thumbs_b_c_6e2e99cd38b7abe2852394f83bdc9aa0

Dhjetë vende anëtare të BE-së do të dërgojnë ekipe të kërkim-shpëtimit në Türkiye

Janez Lenarçiç, anëtari i Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) përgjegjës për administrimin e krizave, mbrojtjen civile dhe ndihmën humanitare, tha se pas kërkesës së Türkiye-s, 10 vende anëtare të BE-së do të dërgojnë ekipe të kërkimit dhe shpëtimit për shkak të tërmetit 7.7 ballë që ndodhi me epiqendër në rajonin Pazarcık në qytetin Kahramanmaraş dhe i cili ka prekur gjithsej 10 qytete të vendit, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për shtyp me një grup gazetarësh, Lenarçiç informoi se vendet që do të dërgojnë ekipe janë Holanda, Polonia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Çekia, Franca, Italia dhe Hungaria.

Ai shprehu ngushëllimet për Türkiye-n dhe familjarët e atyre që kanë humbur jetën për shkak të tërmetit dhe theksoi se në një kohë të shkurtër pas tërmetit me kërkesë të Türkiye-s kanë vendosur në veprim Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

“Besoj se në orët dhe ditët në vijim do të rritet numri i vendeve që i janë përgjigjur thirrjes për ndihmë”, tha Lenarçiç, duke theksuar se ekipet e kërkim-shpëtimit do të punojnë nëpër qytete për shpëtimin e personave që kanë mbetur nën rrënoja.

Më tej Lenarçiç shtoi se kanë koordinuar mbështetjet në kuadrin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së në të cilën Türkiye është e përfshirë që nga viti 2016 dhe se disa nga ekipet që do të shkojnë në Türkiye janë nisur.

“Ndodhemi vazhdimisht në kontakt me Türkiye-n për dërgimin dhe pozicionimin e ekipeve”, deklaroi Lenarçiç, duke bërë të ditur se janë të gatshëm për mbështetje shtesë të nevojshme, se është aktivizuar edhe shërbimi Satelitor Copernicus për shërbimet e hartës dhe se kanë filluar të ofrohen mbështetje të situatës emergjente me fotografi satelitore për punimet e kërkim- shpëtimit në Türkiye.

Ai vuri theksin se dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në Siri dhe se do të ofrojnë ndihmë edhe atje në kuadër të programit të ndihmës humanitare.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së

Në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së përveç 27 vendeve anëtare të BE-së, janë edhe Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina dhe Türkiye. Mekanizmi përdoret me qëllimin për përgatitje për fatkeqësi natyrore si zjarre, përmbytje, tërmete dhe për të ofruar përgjigje ndaj këtyre fatkeqësive.

Përveç vendeve pjesëmarrëse, mekanizmi mund të vihet në veprim nga çdo vend që përballet me ndonjë fatkeqësi. Mekanizmit të themeluar 20 vite më parë, Türkiye iu bashkua në vitin 2016 dhe u është përgjigjur shumë herë kërkesave të vendeve të ndryshme për ndihmë në kuadrin e mekanizmit.

Türkiye, e cila më parë i është përgjigjur 5 herë kërkesave për ndihmë, ka aktivizuar mekanizmin për herë të tretë me tërmetin e fundit që ndodhi në mëngjes me epiqendër Kahramanmaraş. Mekanizmi merr më shumë se 100 kërkesa çdo vit.