Dhjetëra kolonë hebrenj, të shoqëruar nga policia izraelite, u futën në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Autoritetit të Vakëfit Islam të Kudsit, theksohet se policia izraelite lejoi kolonët hebrenj të hyjnë në Al-Aksa.
Për shkak të rezistencës palestineze, kolonët hebrenj nuk kanë mundur të hyjnë në kompleksin Al-Aksa që nga 4 maji.
Deklarata më tej theksoi se policia izraelite kishte larguar besimtarët nga zona mëngjesin e sotëm, pas së cilës rreth 50 kolonë hebrenj u futën në Al-Aksa të shoqëruar nga policia izraelite.
Shtohet se policia izraelite arrestoi disa palestinezë me këtë rast dhe se këtë mëngjes, sipas dëshmitarëve okularë, ata parandaluan disa të rinj të hynin në Al-Aksa.
Zyrtarët izraelitë më herët thanë se pas tre javësh, kompleksi Al-Aksa ishte i hapur për kolonët hebrenj.
Për muslimanët, Al-Aksa është xhamia e tretë e shenjtë më e rëndësishme, kurse hebrenjtë besojnë se aty dikur kishte dy tempuj hebrenj.
Kompleksi Al-Aksa, i cili shtrihet në 15 për qind të bërthamës së vjetër të Kudsit, është nën okupimin izraelit dhe është pika e takimit e tri feve më të mëdha në botë. Pas Mesxhidul-Haremit në Mekë dhe Xhamisë së Profetit në Medine, Al-Aksa është vendi i tretë më i rëndësishëm për muslimanët.