Dhjetëra mjekë në Kosovë punojnë me liçenca të jashtëligjshme në spitale publike

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka ndonjë ide se çfarë do të bëjë me dhjetëra mjekë specialistë, të cilëve prej katër muajsh gjykata ua ka anuluar vendimin për punë specialistësh.

Dy shkallë të gjykatës e kanë cilësuar këtë vendim si të jashtëligjshëm. Vendimi i marrë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ua ka mundësuar mjekëve që të marrin titullin specialist pa i plotësuar kushtet e nevojshme, shkruan “Koha Ditore”.

Janë dy raste, në të cilat mjekëve u është mundësuar kjo. E para, një mjek ka mundur ta marrë titullin specialist i një lëmi edhe pse nuk është specializuar në të, por ka punuar në atë fushë për më shumë se pesë vjet.

E dyta, një mjek ka mundur ta marrë titullin specialist i një fushe, ndonëse nuk është specializuar në të, por ka marrë gradë akademike doktor ose magjistër shkence në atë fushë.