Rtv Pendimi

Dialogu i munguar mes muslimanëve

Duke ndjekur emisionin e mbrëmshëm në Top Show: “Islami i keqkuptuar”, për një gjë më erdhi mirë dhe keq njëkohësisht. Më erdhi mirë për faktin se media krijoi një hapësirë dhe tryezë dialogu të munguar, ku pavarësisht kohës së limituar dhe elementëve të tjera, tregoi se muslimanët e këtij vendi kanë mundësi të diskutojnë mes tyre dhe jo thjesht të pozicionohen nëpër llogore lufte dhe të vazhdojnë të mos e shohim njeri-tjetrin në sy, duke i ikur debatit dhe duke u ndjerë “rehat” pas pozicioneve ku janë. E për çudi për këtë mundësi të artë duhet falënderuar media, që në shumicën e rasteve nuk tregohet objektive ndaj nesh si muslimanë. Por, mbi të gjitha më erdhi keq se pse duhet të ishte media ajo që bën këtë gjë dhe jo ne vetë?! Pse të na imponojë media uljen në tavolinën e dialogut dhe jo iniciativa jonë?! Iniciativa nuk ka munguar, madje as propozimet konkrete, si haptazi por edhe në biseda private, së paku vetë jam dëshmi e gjallë për disa vjet me radhë i rasteve ku kam qenë protagonist dhe dëshmitar i kësaj kërkese të ripërsëritur deri në bezdisje, por për të ardhur keq, deri tani asgjë që ia vlen të përmendet.

Unë e di se jam askushi, për t’i imponuar një institucioni apo atyre që për kaq vjet me radhë na kanë parë dhe ndoshta vazhdojnë të na shohin, me sytë e postit që mbajnë, por injorimi i kësaj kërkese normale dhe legjitime është një nga shkaqet, edhe pse ndoshta jo ndër më kryesorët, mes shumë të tjerave, që na ka sjellë në këtë gjendje ku jemi sot, ku mes të tjerash jemi të detyruar të përballemi me besimtarë që vriten nëpër luftëra, me tjerë të arrestuar, me xhami të pavarura dhe mbi të gjitha me një ndjenjë mungese të theksuar përfaqësimi.

Mos të harrojmë se, ndjesia e mungesës së lidershipit real dhe dinjitoz krijon terrene pjellore për kultivimin e çdo lloj lidershipi që sjellin edhe të tilla probleme si ato që u diskutuan në atë emision.

Justinian Topulli

TË NGJAJSHME