Rtv Pendimi

DIJETARI QË I PASTROI TUALETET E XHAMISË

Dijetari Dr. Sharavi, Allahu e mëshiroftë!, ishte duke mbajtur ligjëratë dhe gjatë ligjëratës dëgjuesit dhe xhemati filluan të mahniten nga fjalët e tij, derisa edhe vetë filloi të ndjejë vetëpëlqim dhe mendjemadhësi në vete.

Pas ligjëratës, së bashku me vozitësin e tij hipi në makinë dhe u nis për në shtëpi. Rrugës për në shtëpi e pa një xhami dhe vozitësit i tha:

– Ndalu!

Vozitësi i tha:

– Dijetari ynë, nuk është koha e namazit, pse të ndalemi?

Dr. Sharavi zbriti nga makina dhe shkoi te xhamia, hyri në tualetet e xhamisë dhe i mori i pastroi në tërësi me duart e veta dhe u kthye te makina.

Vozitësi kur e pa, u habit dhe i tha:

– Pse e bëre këtë?

– Fillova të mahnitem me veten dhe të më pëlqejë vetja, e më këtë doja ta nënçmoj dhe ta uli atë, – tha ai.

Allahu na ruajttë nga mendjemadhësia, vetëpëlqimi dhe dyfaqësia! E lusim Atë të na e shtojë sinqeritetin në veprat dhe thëniet tona, dhe të na mundësojë që veprat t’i bëjmë vetëm për Atë!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME