bajrami-infoshqip-696x385

DISA RREGULLA TË FITËR BAJRAMIT

HËNA E MUAJIT SHEVAL

Gjatë lajmërimit se është parë hëna e Shevalit:

Ndërpriten teravitë me xhemat në xhami, ndërsa ai që do të falë namaz nate, mund të falet vetë në shtëpi.[1]

Me vërtetimin e hënës së Shevalit, prej pas perëndimit të diellit fillohet me tekbire deri në namazin e Bajramit.

Vazhdohet të jepet zekati i fitrave deri në faljen e namazit të Bajramit.

PËRFUNDIMI I MUAJIT

Allahu për në fund të muajit Ramazan ligjëroi për robërit e Vet ta madhërojnë dhe thotë: “Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)

Prej sunetit është që tekbiret të shqiptohen haptazi dhe zëshëm në xhami, shtëpi dhe tregje.

Me tekbire fillohet prej momentit që vërtetohet paraqitja e hënës së re e muajit Sheval.

Prej formave të tekbirit është: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.”

Tekbiret përfundojnë me faljen e namazit të Bajramit.

BAJRAMI ËSHTË NË DITËN KUR NJERËZIT KANË BAJRAM

Kush agjëron në një vend e pastaj udhëton në një vend tjetër ku agjërimi te ta ka filluar një ditë para apo një ditë pas, nga vendi prej ku vjen, në këtë rast për të vlejnë rregullat e agjërimit sikur për vendasit, edhe nëse i bie të agjërojë më tepër se tridhjetë ditë, duke u mbështetur në hadithin: “Agjërimi nis me ditën kur njerëzit agjërojnë dhe agjërimi përfundon me ditën kur njerëzit përfundojnë.”[2]

Por, nëse pakëson më pak se njëzet e nëntë ditë duhet ta kompensojë një ditë pas Bajramit (sepse muaji hënor nuk mund të jetë më pak se 29 ditë).[3]

PËRFUNDOJENI AGJËRIMIN ME PAMJEN E HËNËS

Ajo që ndodhi para disa vitesh, ku njerëz të besueshëm e panë në disa rajone hënën e re të Shevalit, në krahasim me disa astronomë të cilët këmbëngulnin se atë natë nuk do të paraqitet hëna e re sipas llogarive astronomike të tyre, është një mësim i madh për myslimanët se duhet të kapen për argumentet e fesë. Për ta vërtetuar fillimin e hyrjes së muajit dhe daljes prej tij, duhet t’i mbështetemi pamjes së hënës, e jo të përllogaritjeve astronomike që nganjëherë shkaktojnë huti dhe janë të gabuara, saqë vetë astronomët ndodh të kenë dilema në mes vete.

SUNETET E BAJRAMIT

Prej suneteve të Bajramit janë:

Pastrimi i trupit, zbukurimi dhe parfumosja.

Shqiptimi i tekbireve deri në faljen e Bajramit në faltoren e Bajramit. Nuk ka namaz para dhe pas namazit të Bajramit, përveç për atë që falet në xhami, ai mund t’i falë dy rekate për përshëndetjen e xhamisë.

Shkuarja në xhami në këmbë nëse ka mundësi e kur kthehet nga xhamia, të kthehet rrugës tjetër nga ajo që ka shkuar për në xhami.

Në mes të tekbireve të namazit të Bajramit lejohet të falënderohet dhe të lavdërohet Allahu dhe të dërgohen salavate mbi Pejgamberin ﷺ.

Kujt i ikën namazi i Bajramit, mendimi më i saktë është se pëlqehet ta kompensojë namazin dhe ta falë në formën e vet, pra dy rekate dhe pa hutbe pas tij. Nëse e gjen imamin duke e mbajtur hutben, le të ulet ta dëgjojë imamin e pastaj le ta falë namazin, kështu të bashkojë në mes dy dobive.

NËSE BAJRAMI BIE NË DITËN E XHUMA

Nëse bie Bajrami në ditën e xhumasë, atij që e ka falur Bajramin i lehtësohet të zgjedhë a ta falë xhumanë apo drekën, edhe pse më e mira është të shkojë në namazin e xhumasë, bazuar në fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Sot në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të mos e falë namazin e xhumasë, i mjafton namazi i Bajramit. Po, gjithsesi, ne do të falim edhe xhumanë.”[4]

Imami e fal namazin e xhumasë, edhe nëse në xhami vijnë dy veta.[5]

Xhamitë qëndrojnë të hapura për xhuma, ndërsa ata që nuk shkojnë në xhuma, e falin namazin e drekës në shtëpi me familjet e tyre.

SHPENZIMET E BAJRAMIT

Kërkesat për shpenzimet e Bajramit nganjëherë e turbullojnë çiltërsinë e lidhjeve familjare dhe gëzimin e kësaj dite. Prandaj duhet që:

Pasaniku të shpenzojë sipas pasurisë që ka.

I varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu. Nuk ka nevojë që veten ta fusë në borxhe të rënda, familjes ia sqaron gjendjen e tij me fjalë të mira dhe u premton që në të ardhmen, nëse Allahu ia lehtëson gjendjen, të shpenzojë më shumë për ta.

Të braktiset teprimi në blerje apo shpenzimi në gjëra të ndaluara.

Të ketë barazi në shpenzim në mes të fëmijëve.

Të konsultohen anëtarët e familjes në mes vete sipas mundësive.

FESTA E FESTAVE

Ditët e Bajramit me gjithë gëzimin, lumturinë dhe harenë që e kanë, janë mundësi e mirë për kujtimin e ditës së festës së madhe dhe fitimit të madh duke e fituar kënaqësinë e Allahut, hyrjes në Xhenet dhe pamjen e Tij. Kjo Ditë është festa e të gjithë festave. Aty ka lumturi, gëzim, kënaqësi dhe gjëra që mendja e njeriut nuk mund t’i imagjinojë.

Dolën njerëzit për Bajram,

ecnin me mburrje,

të zbukuruar dhe me gëzim.

Dua që këtë ditë Allahu të jetë i kënaqur me mua,

kjo ditë është festa, kënaqësia dhe gëzimi im.

Dita e Fitër Bajramit është dita e shpërblimeve, sepse këtë ditë ndahen shpërblimet për punëtorët në Ramazan sipas punëve të bëra. Kush agjëroi me besim dhe llogariti në shpërblimin e Allahut, do ta marrë shpërblimin e tij të premtuar kur të plotësohet puna e tij, e ajo plotësohet me përfundimin e Ramazanit dhe me hyrjen në ditën e Bajramit.

Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

[1] Nata e Bajramit nuk lejohet të veçohet nga netët e tjera të vitit me namaz nate, përveç për atë që e ka traditë namazin e natës gjatë netëve të tjera të vitit, në këtë rast nuk ka problem nëse ngrihet natën e Bajramit dhe fal namaz nate, kurse hadithet që kanë ardhur për vlerën e ngjalljes së natës së Bajramit me namaz nate, nuk janë të sakta. (Bajrami – rregulla dhe dobi – Muhamed el-Munexhid) (sh.p.)

[2] Tirmidhiu (697), prej hadithit të Ebu Hurejrës h, shejh Albani e saktësoi hadithin.

[3] Fetava Ibn Baz (51/551).

[4] Ebu Davudi (1073), shejh Albani e saktësoi.

[5] Fetava Ibn Baz (31/31).