DISA VEPRA QË I SHLYEJNË MËKATET

1- Besimi në Allahun, njësimi i Tij dhe vepra e mirë:

Allahu thotë: “Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.” (El-Ankebut: 7)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Hapen dyert e Xhenetit ditën e hënë dhe ditën e enjte, dhe në këto ditë i falet çdo robi që s’i bën Allahut shirk.” [1]

2 – Largimi prej mëkateve të mëdha:

Allahu thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” (En-Nisa: 31)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Pesë kohët e namazit, Xhumaja deri në Xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha.” [2]

3 – Pendimi i sinqertë:

Allahu thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (El-Furkan: 68-70)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Ai që pendohet prej mëkatit është i njëjtë me atë që nuk ka mëkat.” [3]

4 – Istigfari (kërkimi i faljes):

Allahu thotë: “Kërko ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa: 106)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kush thotë: Estagfirullah el ledhi la ilahe il-la huve el hajju el kajjumu ue etubu ilejhi (Kërkoj faljen e Allahut, të Cilit i takon adhurimi me të vërtetë vetëm se Atij, të Gjallit përgjithmonë dhe Mbikëqyrësit të Përjetshmit, dhe tek Ai pendohem), i falen atij mëkatet edhe në rast se ka ikur nga beteja.” [4]

Në një hadith kudsij (të shenjtë), Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, transmeton prej Allahut se ka thënë: “O robërit e Mi, ju gaboni gjatë ditës dhe natës, ndërsa Unë jam falës i të gjitha mëkateve. Kërkoni falje prej meje dhe unë do t’jua fali.” [5]

5 – Abdesi:

Humrani, shërbëtori i Othmanit, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, thotë: “I solla Othmanit ujë për abdes dhe pasi mori abdes më tha: ‘Njerëzit i thonë disa hadithe për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që nuk e di se prej ku e kanë burimin, mirëpo unë e kam parë Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që mori abdes ashtu siç mora unë, e pastaj tha: ‘Ai i cili merr abdes në këtë formë, i falen atij mëkatet e kaluara’.”[6]

6 – Namazi dhe hapat e bërë për në xhami:

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për veprat që i shlyejnë mëkatet dhe i lartësojnë gradat e juaja? Të pranishmit thanë: ‘Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Marrja dhe plotësimi i abdesit edhe atëherë kur është vështirë, bërja e hapave të shumtë për në xhami, pritja e namazit në xhami pas namazit që ke falur në xhami. Kjo është fortifikatë’.” [7]

7 – Lëmosha (Sadakaja):

Allahu, thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.” (El-Bekare: 271)

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i ka thënë: “A dëshiron t’i tregoj dyert e mirësisë? – Agjërimi është mbrojtje, ndërsa lëmosha e shuan mëkatin sikurse uji që e shuan zjarrin.” [8]

8 – Haxhi dhe Umreja:

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Bëje vazhdimisht Haxhin dhe Umren, se ato ua shlyejnë mëkatet siç e largon zjarri ndryshkun nga hekuri.” [9]

9 – Sprovat dhe belatë:

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nuk e godet myslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje, dhe asnjë mjerim bile asnjë ferrë që e shpon prej saj, përveçse t’i falë Allahu me të prej mëkateve të tij.” [10]

10 – Agjërimi i Ramazanit dhe namazi vullnetar në këtë muaj:

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë.” [11]

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Ai që e fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.[12]

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Muslimi (2565).

[2] Muslimi (233).

[3] Sahihul Xhami’ (3008).

[4] Sahihul Xhami’ (2727).

[5] Muslimi (2577).

[6] Buhariu (159).

[7] Muslimi (251).

[8] Irvaul Galil (413).

[9] Es-Sahiha (1185).

[10] Buhariu (5641).

[11] Buhariu (38).

[12] Buhariu (37).