“DITA E GJATË”

Njerëzit në këtë botë jetojnë të shkujdesur dhe me shpresa të gjata. Prandaj, rikujtimi i shpirtit për realitetin e udhëtimit të tij është i domosdoshëm, me qëllim që ta ndërtojë ahiretin me dynjanë dhe ta shfrytëzojë të tashmen për të ardhmen. Allahu e bëri bindjen në ditën e Kiametit prej shtyllave të besimit dhe na mësoi se do të vijë një ditë ku të gjitha krijesat do të zhduken: “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket”. Rahman 26. E pastaj do të vijë një ditë tjetër ku Allahu do t’i ringjallë të gjitha krijesat prej varrezave, e i pari prej tyre do të ringjallet profeti jonë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem. Të gjithë do të ringjallen të zhveshur, këmbëzbathur, të pa bërë synet:“Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë”. Enbija 104. I pari i cili do të vishet prej krijesave do të jetë Ibrahimi, alejhi selam,njerëzit e mirë do të vishen me rroba fisnike, ndërsa të shëmtuarit do të vishen me rroba prej hekurit të shkrirë. Tubimi i tyre nuk do të jetë në këtë tokë dhe këta qiej, por do të jetë në tokën e mahsherit. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: O i Dërguar i Allahut, ku do të jenë njerëzit atë ditë? – U përgjigj: “Mbi urën e Siratit (ura që kalon mbi xhehenem)”.

Nuk do të përjetojnë robërit asnjëherë ditë më të vështirë se kjo ditë. Allahu e përshkroi këtë ditë si të vështirë e të rëndë, ku flokët e fëmijës do të thinjen, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do të shihen si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, shikimet e tyre do të jenë të shtangur, pa lëvizje fare, nuk do të flet asnjëri prej tyre, do të ikë njeriu prej të dashurve të tij, prej nënës, babait, fëmijës, gruas, ndërsa mëkatari do të dëshirojë që edhe më të dashurit e tij të hynë në xhehenem, e ai të shpëtojë: “Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet, edhe gruan, edhe vëllanë e vet, edhe farefisin, që i gjendej pranë (në jetën e Tokës), si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte”. Mearixh 11-14.

Toka do të dridhet e do të bëhet copë e thërrime, kodrat do të lëvizin, toka e kodrat do të ngrihen lart e do t’i mëshojnë njëra tjetrës me një të goditur shkatërrimtare, kodrat do të bëhen rërë rrëshqitëse dhe do të bëhen si leshi i shprishur, kurse toka do të sheshohet nga rrënimi i maleve. Detet do të përzihen dhe do të vlojnë si zjarr flakërues, qielli do të bën një tronditje të fortë e do të çahet për shkak se atë ditë është i rraskapitur, e pastaj do të bëhet i kuq si vaj i shkrirë, yjet do të rrëzohen, dielli do të mblidhet e do të humbë shkëlqimin së bashku me hënën, ndërsa toka do të errësohet: “Por, kur sytë t’i verbohen dhe të zihet Hëna dhe Dielli e Hëna të bashkohen”. Kijame 7-9. Atë ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara, egërsirat do të tubohen dhe shpirtrat do të bashkohen (me trupat), fletët do të shpërndahen, xhehenemi do të flakërojë, xheneti do të afrohet, edhe melekët nga të gjitha anët do të jenë të pranishëm në dijeni dhe llogari para Allahut, me zërin e tyre do ta lavdërojnë Allahun dhe të gjithë do të jenë të frikësuar nga pamja e tyre madhështore dhe zëri lavdërues. Atë ditë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur për këtë ditë. Do të shpalosen zemrat e fshehtësitë,  mëkatari do të pendohet për mëkatet e bëra dhe do të shpresojë që asnjëherë mos t’i kishte vepruar dhe afruar atyre. Njerëzve nuk do t’ju lejohet që të flasin dhe as të arsyetohen për veprat e tyre: “Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar”. Murselat 35-36.

Gjendja e njerëzve të mirë dhe besimtarëve:

Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, të qeshura e të gëzuara. Atë Ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që do t’i mbulojë errësira. Dielli me ngrohtësinë e tij do tu afrohet njerëzve me largësi prej vetëm një miljesh, e nuk do të ketë aspak hije, pos hijes së Arshit të Allahut, Zotit të botëve, disa do të jenë nën hijen e Tij e disa në diellin e nxehtë, të ngushtuar dhe të përplasur në njëri-tjetrin, duke i kapluar etja për ujë, e djerset do tu rrjedhin për tokë, e do t’i mbulojnë disa deri në zokth të këmbëve, e disa deri në gjunj, e disa deri në fyt, varësisht nga veprat e tyre. Profeti, alejhi selam, thotë: “Mundimet dhe mërzit e njerëzve do të arrijnë atë ditë aq shumë sa nuk do të mund t’i përballojnë”.

Gjendja e mëkatarëve dhe jobesimtarëve:

Mëkatari atë ditë do të pendohet fort për mos kryerjen e adhurimeve në dynja dhe prej pikëllimit të madh do të hajë gishtat e duarve të veta. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!”. Furkan 27-29. Mëkatari do ta urrejë veten, familjen, shokët dhe çdo dashuri të cilin nuk e kishte bazuar mbi baza fetare do ta shndërron në armiqësi.

Sunduesit e botës nuk do të kenë më sundim pos nënçmim, ngase do të jenë më të vegjlit në formë dhe më të përulurit në atë ditë dhe në atë vend. Atë ditë shumëfishohet padrejtësia e dynjas, ashtu siç na njofton Profeti, alejhi salatu ue selam: “Padrejtësia ditën e Kiametit shumëfishohet”. Njerëzit do të hakmerren, dëmbërësi do t’i kthejë padrejtësitë me dhurimin e të mirave tek i dëmtuari dhe do t’i marrë të këqijat, po ashtu edhe kafshët do të hakmerren mes veti (siç dëftojnë për këtë disa hadithe se kafsha pa brirë do të hakmerret ndaj kafshës me brirë). Njerëzit më të këqij ditën e Kiametit do të jenë njerëzit me dy fytyra, të cilët disave u janë paraqitur me një fytyrë, e disa të tjerëve me fytyrë tjetër. Kush e shpëton një të brengosur (ia largon brengat), Allahu ia largon atij një brengë prej brengave të Ditës së Kiametit. Kush ia lehtëson dikujt një çështje që i është vështirësuar, Allahu ia lehtëson atij në këtë botë dhe në ahiret (botën e ardhshme). Kush ia mbulon një të metë vëllait të vet, Allahu ia mbulon atij në dunja dhe ahiret. Njerëzit e drejtë do të ulen në minbera prej drite në anën e djathtë të Allahut. Çdo njeri do të ringjallet ashtu si ka vdekur, nëse ka vdekur në Haxh do të ringjallet duke bërë telbije (duke thënë Lebbejke Allahume Lebbejke), nëse ka vdekur në rrugë të Allahut do të ringjallet dhe ngjyra e tij do të jetë ngjyrë gjaku, kurse era e tij, erë misku. Muezinët atë ditë do të jenë me qafa më të gjata, çdo gjë që e ka dëgjuar ezanin e tij do të dëshmon për të ditën e Kiametit. Çdo njeri atë ditë do të jetë nën hijen e lëmoshës së tij deri sa Allahu të gjykon mes njerëzve. Çdo vepër e robit do të peshohet në peshore, qoftë e madhe apo e vogël, Allahu askujt nuk do t’i bëjë padrejtësi: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë”. Zelzele 7-8. Fjala elhamdulilah e mbush peshoren, kurse subhanallahi ue bihamdihi subhanallahi el adhim janë të rënda në peshore. Profeti, alejhi salatu ue selam, në një hadith thotë: “Dy fjalë janë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato janë: “subhanallahi ue bi hamdihi, subhanallahi el adhim.”

Atë ditë librat do të shpalosen, sa prej veprave i ke harruar, sa prej mëkateve që i ke fshehur do të paraqiten, librat do të lexohen, gjymtyrët do të flasin, melekët do të dëshmojnë, po ashtu Allahu do të jetë dëshmitar për të gjitha veprat: “Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë”.Junus 61. Pasi që të gjykohet mes kafshëve do të fillon gjykimi mes njerëzve. Umeti i parë i cili do të gjykohet do të jetë umeti i Muhamedit,alejhi salatu ue selam. Po ashtu ky umet do të jetë i pari i cili do të kalojë mbi Sirat dhe i pari i cili do të hyjë në xhenet. Profeti, alejhi salatu ue selam, thotë: “Ne jemi Umeti i fundit, mirëpo të parët ditën e Kiametit”.

Allahu, azze ue xhel, ditën e Llogarisë  do ta fisnikëron Muhamedin, alejhi salatu ue selam, me një krua (Haud), i cili është i gjerë dhe i gjatë një muaj distancë udhëtim. Uji i tij është më i bardhë se qumështi, ndërsa era e tij më e këndshme se parfumi (misku). Aty do të shuajnë etjen vetëm besimtarët e sinqertë të këtij umeti, kush pi prej tij nuk do të ndjejë etje më kurrë. Disave prej umetit do t’ju ndalohet afrimi tek Haudi dhe Profetit, alejhi salatu ue selam, do t’i pamundësohet kontakti me ta. Profeti, alejhi salatu ue selam, thotë: “Unë do t’ju paraprijë tek Haudi. Kush vjen, pi, e kush pi nuk do të ndjejë etje më kurrë. Do të më vijnë tek Haudi ca njerëz, që i njoh e më njohin, por më pas pamundësohet kontakti me ta (afrimi i tyre tek haudi)…them: O Zot, ata janë shokët e mi. Një melek më përgjigjet: Ti nuk e di se çfarë kanë bërë – shpikur pas teje”.

Me një transmetim tjetër: “Unë do t’ju paraprijë atyre në Haud. Vëni re! Disa njerëz do të largohen nga Haudi im ashtu siç largohet deveja e humbur. I thërras: Ej, ejani! Por (më) thuhet: Ata ndërruan pas teje. Atëherë unë do të them: Larg (meje)! Larg (meje)!

Shpëtimi prej kësaj dite:

Shpëtimi prej mundimeve të asaj dite fitohet me mëshirën e Allahut e pastaj me vepra të mira. Njeriu i cili neglizhoi urdhrat e Allahut në dynja padyshim se do të pendohet atë ditë, nuk do t’i bën dobi arsyetimi, as falja e pendimi, dhe xheneti ose xhehenemi do të jenë vendbanimi i përhershëm i tij.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun”. Fatir 5.

Kush është i falimentuari ditën e Kiametit?

I falimentuar atë ditë do te jetë ai i cili vjen me namaz, me agjërim, me zekat, mirëpo filanin e ka ofenduar, filanin e ka sharë, filanit pasurinë ia ka ngrënë padrejtësisht, filanit gjakun ia ka derdh, i merret prej veprave të mira të tij dhe i jepen atyre që i ka bë padrejtësi. Në rast se i harxhohen veprat e mira para se të përfundon gjykimi i tij, i merren mëkatet e atyre që i ka bë padrejtësi dhe i shtohen në llogari të tij, e pastaj hidhet në zjarr të xhehenemit.

Salih el Mërij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Një ditë në mesditë i vizitova varrezat. I shikoja varret që i përngjanin një popullit memec, që hesht, dhe thash: “I lartësuar qoftë Allahu i cili do t’ju ringjall pas një sprove të gjatë”. Papritmas dëgjova një zë i cili vinte nga një prej gropave të varrezave dhe më tha: O Salih: “Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur)“. Rum 25. Salihu tha: Kur i dëgjova këto fjalë më ra të fikët”.

Hasan el Basrij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Janë dy ditë dhe dy net të cilave nuk u përngjan asnjë ditë dhe natë tjetër dhe të gjitha krijesat nuk do të dëgjojnë asnjëherë si ato. Ajo është nata kur do të flesh me banorët e varrezave, ndërsa më herët nuk ke fjetur në një vend sikur se ai dhe nata kur në mëngjesin e saj do të ndodh dita e Kiametit. Kurse ditët që nuk krahasohen me tjera janë, dita kur të vjen përgëzuesi prej anës së Allahut dhe të përgëzon ose me xhenet ose me xhehenem, dhe dita kur do ta marrësh libri tënd, me të djathtën ose me të majtën tënde”.

Prandaj o ju robërit e Allahut, përgatituni për atë që ju pret para jush dhe veproni për këtë ditë të gjatë. E lus Allahun të na bëjë prej banorëve të xhenetit dhe të na falë mëkatet e tona, të prindërve tanë dhe të gjithë muslimanëve.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU