Sheikh Zayed Grand Mosque in Abu Dhabi, UAE

DITA E XHUMA – RREGULLA DHE DOBI

  1. Allahu i dalloi krijesat ndërmjet tyre në vlerë dhe i ngriti disa në shkallë të larta karshi disa të tjerave: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht…” (El-Kasas: 67)

Disa ditë dhe muaj i favorizoi karshi disa të tjerëve, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, dita e Kurbanit Bajramit është dita më e mirë e vitit, ndërsa nga netët, nata e Kadrit është nata më e mirë në mesin e tyre.

  1. Dita e xhuma në gjuhën arabe është quajtur me emrin “el-xhumua” shkaku se buron nga fjala arabe “el-xhem’u”[1], që do të thotë tubim ose grumbullim i myslimanëve një herë në çdo javë. Po ashtu thuhet se është quajtur me këtë emër, ngase Allahu në këtë ditë e ka përfunduar krijimin e çdo gjëje dhe në këtë ditë janë grumbulluar krijesat.[2]
  2. Allahu për myslimanët e zgjodhi ditën e xhuma, për në këtë ditë i udhëzoi dhe me këtë ditë i veçoi.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Popujt që ishin para nesh Allahu i shmangu nga dita e xhumasë. Çifutëve ua dha ditën e shtunë, të krishterëve ua dha ditën e diel, pastaj na udhëzoi neve për në ditën e xhuma. Kështu që dita e xhuma vjen para së shtunës dhe së dielës. Ato njëjtë edhe në ditën e Kiametit do të jenë mbrapa nesh. Ne jemi të fundit nga banorët (umetet) e dynjasë, mirëpo të parët në ditën e Kiametit, që do të merremi në llogari.”[3]

Në një transmetim tjetër: “Ne jemi të fundit (nga umetet) dhe të parët (që do të merremi në llogari) në ditën e Kiametit edhe pse atyre para nesh u janë dhënë Librat hyjnorë. Kjo është dita (dita e xhuma) që janë detyruar t’i zbatojnë ritet e fesë së tyre, por ata ranë në kundërshtim dhe u përçanë në lidhje me të, kurse neve Allahu na udhëzoi për në këtë ditë (ditën e xhuma). Të gjithë njerëzit janë mbrapa nesh, (dita e shenjtë) te çifutët është të nesërmen (të shtunën) dhe te të krishterët është pasnesër (të dielën).”[4]

  1. Dita e xhuma për myslimanët është festë javore. Ajo është zonja e ditëve dhe dita më e mirë tek Allahu si dhe dita më e mirë në të cilën lind dielli, ashtu siç lajmëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe tha: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë u fut në Xhenet, në këtë ditë doli nga Xheneti dhe nuk ka për të ndodhur Kiameti, përveçse në ditën e xhuma.”[5]
  2. Dita e xhuma është ‘dëshmitari’ në të cilin u betua Allahu në suren El-Buruxh dhe thotë: “Për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet.” (El-Buruxh: 3). Kur Allahu betohet në diçka nënkupton që ajo është madhështore.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita e premtimit është dita e Kiametit, dita që për atë dëshmohet është dita e Arafatit dhe dita e dëshmitarit është dita e xhuma.”[6]

Shumica e komentuesve të Kuranit janë të këtij mendimi se dita e xhuma është dita e dëshmitarit.

Është quajtur me këtë emër, sepse kjo ditë do të dëshmojë për çdonjërin se çka ka vepruar në këtë ditë, si dhe po ashtu çdo ditë tjetër (dëshmon).[7]

  1. Nga vlerat e ditës së xhuma është se kush vdes ditën apo natën e xhuma, Allahu e mbron nga sprova e varrit, d.m.th. nga ndëshkimi dhe marrja në pyetje. Kjo është shenjë nga shenjat e përfundimit të mirë.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo mysliman që vdes ditën e xhuma apo natën e xhuma Allahu e mbron nga sprova e varrit.”[8]

  1. Dita e xhuma është ditë feste për myslimanët, nuk parapëlqehet të veçohet me agjërim, shkaku se myslimani gjatë kësaj dite ka nevojë për energji e cila e ndihmon dhe e përkrah për adhurim. Veçohet myslimani, i cili agjëron dhe agjërimi i tij qëllon në këtë ditë si shembulli i atij i cili e agjëron një ditë dhe një ditë jo, dhe agjërimi i tij i bie të jetë në ditën e xhuma, ose ai i cili e agjëron ditën e Arafatit apo ditën e Ashurës dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[9]

Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa. Xhuvejrije bint El-Harith, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se një ditë xhumaje ajo mbante agjërim dhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hyri në dhomën e saj dhe i tha: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.[10]

Në një hadith tjetër: “Askush nga ju të mos e agjërojë ditën e xhuma, përveç nëse agjëron bashkë me të një ditë para apo mbrapa.”[11]

Me një transmetim tjetër: “Mos e veçoni me namaz nate natën e xhuma nga netët e tjera, dhe mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë.”[12]

  1. Namazi i xhumasë është një nga detyrimet më të mëdha dhe më të vërtetuara të Islamit. Detyrshmëria e tij është nga veprat e domosdoshme që duhet të dihen nga feja islame.

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Namazi i xhumasë është një nga detyrimet më të vërtetuara të Islamit dhe një nga vendmbledhjet më të mëdha të myslimanëve. Ai është grumbullimi më i madh dhe më i detyruar se çdo takim dhe grumbullim tjetër, në përjashtim të vendmbledhjes dhe takimit në Arafat.”[13]

Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9). Allahu në këtë ajet e urdhëroi myslimanin të nxitojë për në faljen e namazit të xhumasë dhe e ndaloi të bëjë tregti pasi të thirret ezani i xhumasë, shkaku që shitblerja të mos e shmang nga namazi i xhumasë.

  1. Namazi i xhumasë është detyrim individual për çdo mashkull mysliman, të rritur, me mendje të shëndoshë, të lirë dhe jo rob, të shëndoshë dhe jo të sëmurë, vendas dhe jo udhëtar, i cili e dëgjon ezanin dhe nuk ka ndonjë arsye të shëndoshë sheriatike, që e arsyeton mosfaljen e tij.
  2. Namazi i xhumasë nuk detyrohet për gruan, të sëmurin, udhëtarin, fëmijën dhe robin.
  3. Nëse për namazin e xhumasë prezanton një i rritur,[14] i cili bën pjesë në grupin e atyre që me sheriat nuk iu detyrohet xhumaja (si p.sh. udhëtari, – sh.p.-), namazi i xhumasë i pranohet dhe ai nuk duhet ta falë namazin e drekës.
  4. Urdhërohet fëmija që ta falë namazin e xhumasë kur t’i ketë shtatë vjet dhe detyrohet me forcë (rrihet) kur t’i ketë dhjetë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë. “Urdhëroni (mësoni) fëmijët tuaj ta falin namazin kur t’i kenë shtatë, e nëse nuk e falin namazin kur t’i kenë dhjetë, jini më të ashpër me ta (rrihni lehtë), dhe ndajini në shtretër (të veçantë).”[15]
  5. Ai që e dëgjon ezanin e xhumasë dhe është nga ata që i detyrohet falja e namazit të xhumasë, e ka për detyrë t’i përgjigjet thirrjes së ezanit për namaz dhe nuk lejohet të mungojë, përveçse me arsye.

Arsyet që e lejojnë mosprezencën në namazin e xhumasë janë po të njëjtat arsye që e lejojnë mosprezencën në namazin me xhemat, pra, xhumaja bie shkaku i të njëjtave arsye që bie namazi me xhemat, si: rënia e shiut shumë derisa rrobat të lagen dhe të bëhen qull, i ftohti i ashpër, rruga e baltosur dhe e palëvizshme, frika për veten, pasurinë dhe familjen dhe të tjera. Ai që nuk e fal xhumanë, patjetër e ka ta falë namazin e drekës.[16]

  1. Ai që detyrohet ta falë namazin e xhumasë, nëse e braktis dhe nuk e fal pa ndonjë arsye sheriatike, bën mëkat nga mëkatet e mëdha. Ka ardhur paralajmërim i ashpër dhe kërcënues për zemrën e tij, si: shkujdesja dhe vulosja e zemrës së tij, Allahu na ruajttë.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse njerëzit nuk e ndërpresin mosfaljen e namazit të xhumasë, Allahu do t’ua vulosë zemrat e tyre ose do t’i bëjë nga të shkujdesurit.”[17]

Në një hadith tjetër: “Kush nuk i fal tri xhumaja pa ndonjë arsye sheriatike, Allahu ia vulos zemrën e tij.”[18]

Imami Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, tha: “Vulosja e zemrave nënkupton stampimin e tyre, ky është kërcënim i rëndë, sepse atij që i vuloset dhe i stampohet zemra, më nuk e dallon të mirën dhe nuk e mohon të keqen.”[19]

Dhe tha: “Dijetarët janë unikë se kush nuk i fal tri xhumaja pa arsye sheriatike, është mëkatar dhe dëshmia e tij nuk pranohet.”[20]

  1. Atij që i detyrohet falja e xhumasë, nuk i lejohet të udhëtojë pasi të thirret ezani i xhumasë, përveç në raste domosdoshmërie, sepse xhumaja për të tashmë është obliguar, si dhe nuk i lejohet atij të angazhohet me diçka që e pengon dhe e largon nga namazi i xhumasë, dëfrimi apo tregtia. Allahu na urdhëroi të nxitojmë për faljen e xhumasë dhe thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (ta falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9)

Këtu veçohet ai që dëshiron të udhëtojë dhe ka frikë se po i ikën përcjellja (shokët). Kjo është arsye që e rrëzon obligimin e faljes së xhumasë dhe namazit me xhemat.

Njëjtë është rasti me atë që ka frikë se aeroplani do të fluturojë dhe udhëtimi do t’i ikën, ose koha e udhëtimit të anijes ka ardhur dhe të ngjashme me to.

Po ashtu në këtë rast veçohet edhe ai që mund të arrijë ta falë xhumanë në ndonjë xhami gjatë rrugës së tij.

Ai që udhëton para se të hyjë koha e xhumasë (d.m.th. paradite) për të nuk ka pengesë, por nëse e vonon udhëtimin pas xhumaje kjo për të do të ishte më e mirë, që të mos i ikën mirësia e madhe e xhumasë.

  1. Atij që i ikën namazi i xhumasë, patjetër duhet ta falë namazin e drekës. Nëse ka pasur arsye për mosfaljen e xhumasë, atëherë nuk ka mëkat, a nëse nuk ka pasur arsye, atëherë ka bërë mëkat nga mëkatet e mëdha.
  2. Përkujdesja për pesë kohët e namazit dhe për namazin e xhumasë është me vlerë të madhe dhe është shkak për faljen e mëkateve. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve të bëra në mes tyre, për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha.”[21]

Hadithi nënkupton se këto vepra i shlyejnë të gjitha mëkatet, përveç atyre të mëdhave, ndërsa mëkatet e mëdha shlyhen me pendim apo me mëshirën e Allahut.

Çdonjëra nga këto tri adhurime i shlyejnë mëkatet. Kur gjejnë mëkate të vogla i shlyejnë ato, e kur nuk gjejnë mëkate të vogla dhe as të mëdha, robit i shkruhen të mira dhe i rriten shkallët, e kur gjejnë ndonjë mëkat të madh apo mëkate të mëdha, shpresohet që ato t’i pakësojnë. Mirësia e Allahut me të vërtete është e madhe.[22]

  1. Dita e xhuma është dita ku njerëzit grumbullohen dhe rikujtohen për dynjanë dhe ahiretin e tyre.

Urtësia nga ligjërimi i namazit të xhumasë qëndron në faktin se Allahu “për çdo umet e bëri të ligjshme një ditë në javë, që në të t’i kushtohen adhurimit dhe të grumbullohen për t’ua rikujtuar dynjanë dhe ahiretin, shpërblimin dhe ndëshkimin, dhe me këtë grumbullim ta rikujtojnë grumbullimin në ditën e Kiametit, kur do të qëndrojnë para Allahut. Dita që e meritoi këtë grumbullim dhe rikujtim të tyre u bë dita e xhuma, e njëjta ditë që në të Allahu do t’i grumbullojë krijesat e Tij në ditën e Kiametit. Allahu ia rezervoi këtë ditë umetit tonë shkaku i vlerës dhe prestigjit që e ka ky umet, në dynja grumbullimin e tyre e bëri të ligjshëm në këtë ditë për t’iu nënshtruar Atij dhe në ahiret e përcaktoi grumbullimin e tyre së bashku me umetet e tjera në këtë ditë që ta fitojë dinjitetin dhe prestigjin kundrejt umeteve të tjera. Pra, kjo është dita e ligjëruar për t’u grumbulluar në dynja dhe dita e përcaktuar për t’u grumbulluar në ahiret.”[23]

  1. Nga udhëzimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka qenë madhështimi dhe të nderuarit e ditës së xhuma, të dalluarit e saj me adhurime të veçanta për këtë ditë[24], si leximi i sures Es-Sexhde dhe El-Insan në namazin farz të sabahut, pastrimi për xhuma, veshja e rrobave më të mira, parfumosja, shkuarja herët në xhami, angazhimi me adhurime vullnetare, si: me namaz, dhikër dhe lexim të Kuranit derisa të vijë imami, pastaj leximi i sures El-Kehf natën dhe ditën e xhuma, kërkimi i orës ku në të pranohet lutja dhe nuk ka mysliman që e lut Allahun në këtë kohë, vetëm se Allahu ia jep atë që e kërkon, pastaj dërgimi i salavateve për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, natën dhe ditën e xhuma, si dhe adhurime dhe rregulla të tjera të pëlqyera që është mirë për myslimanin të përkujdeset që t’i veprojë ato.
  2. Pëlqehet natën apo ditën e xhuma të lexohet surja El-Kehf. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e lexon suren El-Kehf në ditën e xhuma, e ndriçon një dritë prej asaj xhumaje e deri në xhumanë tjetër.”[25]

Me një transmetim tjetër: “Kush e lexon suren El-Kehf në ditën e xhuma, e ndriçon një dritë mes tij dhe shtëpisë së lashtë (Qabesë).”[26]

Me një transmetim: “Kush e lexon suren El-Kehf natën e xhuma…”[27]

  1. Natën dhe ditën e xhuma pëlqehen salavatet e shpeshta për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e mirë në mesin e ditëve tuaja është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë ndërroi jetë, në këtë ditë i fryhet surit dhe njerëzit ngrihen nga varret. Shtoni gjatë ditës së xhuma salavatet për mua, sepse ato do të paraqiten para meje.”[28]

Me një transmetim tjetër: “Shtoni salavatet për mua natën dhe ditën e xhuma. Kush bën një herë salavate për mua, Allahu ia kthen me dhjetë.”[29]

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është krijesa më e mirë dhe dita e xhuma është dita më e mirë. Salavatet për të në ditën e xhuma e kanë një veçori që nuk e kanë në ditët e tjera, përfshirë këtu edhe urtësi të tjera, ndër to: çdo mirësi që e ka arritur umeti i tij në dynja dhe ahiret, e ka arritur nëpërmjet Profetit të tyre, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Allahu nëpërmjet Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, umetit të tij ia bashkoi mirësitë e dynjasë dhe ahiretit. Dinjiteti dhe prestigji më i madh që u arrin atyre është në ditën e xhuma. Në këtë ditë është ringjallja e tyre për në shtëpitë dhe pallatet e tyre në Xhenet, në këtë ditë është ‘dita e tepricës’[30] pasi të hyjnë në Xhenet. Kjo ditë për ta është ditë feste në dynja, në këtë ditë Allahu u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të tyre dhe nuk e kthen lutjen e atij që i lutet. Të gjithë këtë mirësi umeti i tij e mësuan dhe e arritën për shkak të të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prandaj edhe nga falënderimi, respekti dhe nga dhënia sadopak e hakut që e kemi ndaj tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është që t’i shtojmë salavatet gjatë natës dhe ditës së xhuma.”

  1. Larja e trupit për namazin e xhumasë është tepër e pëlqyer dhe ky mendim është i shumicës së dijetarëve, ndër ta edhe katër imamët (Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut dhe Hanbeliut). Një grup dijetarësh anojnë kah mendimi se larja e trupit për namazin e xhumasë është detyrim, ndër ta dijetarët e medh’hebit Dhahirij si dhe është thënie e imam Ahmedit dhe disa dijetarëve të tjerë. Ata argumentohen me hadithin: “Guslli (larja e trupit) i ditës së xhuma është detyrim për çdonjërin që ka hyrë në moshën madhore.”[31]

Dijetarët e shumicës thonë që hadithi nënkupton se guslli është sunet i vërtetuar për atë që ka hyrë në moshën madhore, dhe për këtë argument është hadithi: “Kush merr abdes në ditën e xhuma ka vepruar mirë dhe sipas sunetit, kurse marrja e gusllit është më e mirë.”[32]; dhe po ashtu argumentohen edhe me argumente të tjera.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, për më të saktë e zgjodhi mesataren e dy thënieve, dhe ajo është se detyrohet guslli në ditën e xhuma për atë që ka djersë ose i vjen era e keqe dhe kështu dëmtohen të tjerët prej tij.[33] Kjo thënie është e fortë në argumentim.

  1. Koha e gusllit të xhumasë fillon prej pas lindjes së agimit dhe kush pastrohet para kësaj kohe nuk ia ka qëlluar sunetit.

Ajo më e mira është që guslli të vonohet deri para se të dalë për në xhuma, kështu që shkuarja për në xhuma të jetë menjëherë pas larjes së trupit. [34]

  1. Nëse bashkohen guslli i xhumasë dhe guslli i xhunubllëkut, mjafton të merret një gusëll nëse nijeti bëhet i përbashkët.

Nëse myslimani e bën nijet që me pastrimin e trupit ta largojë vetëm xhunubllëkun dhe pastrimi bëhet pas lindjes së agimit, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve ky gusëll është i vlefshëm edhe si gusëll i xhumasë, sepse ai e ka larë trupin e tij, dhe sipas kuptimit gjeneral të hadithit ajo që synohet është pastrimi i trupit dhe në këtë rast është arritur ky synim me këtë gusëll.

Mirëpo nëse e bën nijet vetëm gusllin e xhumasë, nijeti i tij nuk është i vlefshëm edhe për gusllin e xhunubllëkut, kjo ngase guslli i xhumasë nuk merret për shkak të papastërtisë, ndërsa guslli i xhunubllëkut detyrohet për shkak të papastërtisë, prandaj patjetër duhet që nijeti të jetë prezent për ta larguar këtë papastërti.[35]

  1. Guslli i xhumasë pëlqehet në veçanti për ata që prezantojnë për namazin e xhumasë, burra apo gra, edhe nëse janë nga ata që nuk iu obligohet falja e xhumasë, sepse guslli merret shkaku i namazit e jo shkaku i ditës dhe qëllimi i marrjes së gusllit është të pastrohet trupi dhe të largohet era e keqe, që të mos dëmtohen të tjerët.

Ata që nuk shkojnë për ta falur namazin e xhumasë, si: gratë, fëmijët, udhëtari dhe i sëmuri, s’ka nevojë për gusëll.

Nëse shkon për xhuma ndonjëri nga ata që nuk i obligohet ta falë namazin e xhumasë, guslli në këtë rast pëlqehet për të. Në këtë aludon ajo që kuptohet nga kuptimi i përgjithshëm i hadithit.

  1. Nga rregullat dhe gjërat që pëlqehen të veprohen në ditën e xhuma janë: parfumosja, larja e trupit, zbukurimi dhe pamja e mirë, rregullimi i flokëve, veshja e rrobave më të mira që i posedon njeriu dhe përdorimi i misvakut.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet[36], i lyen flokët me vaj[37] ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[38]

Me një transmetim tjetër: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme, parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, pastaj shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje në mes njerëzve (që janë ulur) duke kaluar në mes tyre, falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu, pastaj hesht kur del imami në minber derisa ta falë namazin, për të do të jetë shlyerje e mëkateve të xhumasë që është prezent dhe xhumasë së kaluar”; me transmetim shtoi: “edhe për tri ditë të tjera shtesë.”[39]

Me një transmetim tjetër: “Guslli (larja e trupit) i ditës së xhuma është detyrim për çdonjërin që ka hyrë në moshën madhore, si dhe përdorimi i misvakut dhe parfumosja për atë që gjen parfum në shtëpinë e tij.”[40]

  1. Nga sunetet e braktisura të ditës së xhuma është shkuarja herët në xhami dhe shpërblimi për këtë është i madh. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet ditën e xhuma sikurse lahet kur pastrohet nga xhunubllëku, pastaj shkon në xhami, në orën e parë (herët) sikurse të ketë bërë për kurban një deve, kush shkon në orën e dytë sikurse të ketë bërë për kurban një lopë, kush shkon në orën e tretë, sikurse të ketë bërë për kurban një dash me brirë, kush shkon në orën e katërt, sikurse të ketë bërë për kurban një pulë, kush shkon në orën e pestë, sikurse të ketë bërë për kurban një vezë. Kur vjen imami dhe hip në minber melaqet ulen ta dëgjojnë fjalimin e tij.”[41]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur vjen dita e xhuma, te çdo derë e xhamisë qëndrojnë melaqe që i regjistrojnë ata që vijnë njërin pas tjetrit dhe kur imami ngjitet në shkallët e minberit, melaqet i mbyllin fletushkat dhe ulen ta dëgjojnë fjalimin e imamit.”[42]

  1. Pesë orët e xhumasë (të cekura në hadith) fillojnë pas lindjes së diellit e deri në arritjen e imamit për namaz dhe nuk është kusht që ato orë të jenë sipas kohëve të orës që njihen te njerëzit (60 minuta – sh.p.-).

Për ta ditur saktësisht kohën e saj, kohën e ndan në pesë pjesë prej lindjes së diellit e deri në ezanin e dytë të xhumasë, kështu që çdo pjesë nga këto pesë pjesë është për qëllim me fjalën ‘orë’ të cekur në hadith[43].[44]

  1. Kanë ardhur argumente për vlerën e shkuarjes herët në xhuma se ka shpërblim të madh që nuk duhet të braktiset dhe lihet. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[45]

Ky shpërblim është i madh. Për çdo hap e fiton shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz nate, edhe atë me bërjen e një vepre të lehtë, si: shkuarja herët në xhuma, afrimi afër imamit dhe dëgjimi i hutbes me vëmendje pa folur.

Prandaj disa dijetarë thanë: “Nuk kemi dëgjuar në sheriat ndonjë hadith të saktë që të përfshijë një shpërblim të ngjashëm me këtë të përmendur në hadith.”[46]

  1. Nisja herët për në xhuma është dobiprurëse dhe nëpërmjet saj realizohen shumë dobi, ndër to: zbatimi i sunetit, mundësia për t’u ulur në rreshtin e parë, prezenca afër imamit, mundësia për të bërë adhurime vullnetare para namazit të xhumasë, leximi i Kuranit e në veçanti leximi i sures Kehf, angazhimi me dhikër dhe me dërgimin e salavateve për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
  2. Ai që niset për në xhuma pëlqehet të ecën dhe jo të hipën në ndonjë mjet transporti, përveç nëse ka arsye, sëmundje dhe të ngjashme me të, dhe të pastrohet mirë e të niset herët dhe t’i afrohet imamit e të mos flasë, sepse për çdo hap që e bën do ta fitojë shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz nate, duke u bazuar në hadithin e mëhershëm ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[47]
  3. Ecja rrugës për në xhuma duhet të jetë me qetësi dhe me modesti, besimtari rrugës nuk duhet t’i gërshetojë gishtat e tij, sepse ai (llogaritet se) është në namaz. Gjatë ecjes është mirë që t’i ngushtojë hapat dhe t’i shtohen të mirat e tij, si dhe të shtojë në të përmendurit e Allahut dhe ta ulë shikimin e tij.[48]

Rrugës për në xhami pëlqehet ta thotë duanë e shkuarjes për në xhami: “O Allah ndriçoje zemrën time, ndriçoje gjuhën time, ndriçoje dëgjimin tim, ndriçoje shikimin tim, ndriçoje prapa meje, ndriçoje para meje, ndriçoje mbi mua, ndriçoje nën mua. O Allah më ndriço mua.”[49]

  1. Nxitimi për në namazin e xhumasë i ka dy kohë: kohën e detyrimit dhe kohën e vlerës.

Koha e detyrimit është koha kur thirret ezani i xhumasë pasi imami ngjitet në shkallët e minberit. Këtu besimtari duhet të nxitojë dhe ta braktisë tregtinë, ashtu siç Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9)

Ndërsa koha e vlerës është prej kur lind dielli, sa më herët që shkon për në xhuma është më mirë dhe ka më shumë vlerë.[50]

  1. Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se për besimtarin pëlqehet kur të shkojë në xhuma të jetë sa më afër imamit që ta arrijë mirësinë e rreshtit të parë, të heshtë dhe ta dëgjojë me vëmendje hutben.[51] Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[52]

Këtë mirësi nuk e arrin, përveç atij që i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje, pra, patjetër duhet të jenë bashkë këto të dyja. Nëse dëgjon me vëmendje mirëpo është larg imamit, ose është afër imamit mirëpo nuk dëgjon me vëmendje, nuk e arrin këtë shpërblim.[53]

  1. Ai që shkon për xhuma pëlqehet të falë namaz vullnetar të përgjithshëm sa të dojë, derisa të vijë imami dhe të fillojë me hutben.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet sa të mundet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[54]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ai i cili e pastron trupin ditën e xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i fal ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje derisa të kryhet, pastaj falet me imamin, Allahu ia fal mëkatet nga kjo xhuma deri në xhumanë tjetër dhe për tri ditë të tjera shtesë.”[55]

  1. Ai që prezanton në xhuma pëlqehet që të angazhohet me dhikër, lexim të Kurani, me dërgimin e salavateve për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe me përpjekje në adhurim, derisa të vijë imami.
  2. Pas namazit të xhumasë pëlqehet të falen dy apo katër rekate vullnetare, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kush e fal xhumanë, pas saj le t’i falë katër rekate.”[56]

Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pas faljes së xhumasë nuk falte namaz derisa kthehej në shtëpi dhe i falte dy rekate.”[57]

Me një transmetim tjetër: “Pasi Abdullah ibën Omeri, e fali xhumanë u kthye në shtëpi dhe i fali dy rekate, dhe më pas tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vepronte kështu.”[58]

Disa dijetarë mendojnë që besimtari është i lirë të zgjedhë në mes dy dhe katër rekateve për t’i falur pas xhumasë.

Disa dijetarë të tjerë i bashkuan të dy hadithet dhe thanë: “Nëse i fal në xhami atëherë i fal katër, e nëse i fal në shtëpi i fal dy”; kjo është zgjedhje e Ibën Tejmijes dhe nxënësit të tij Ibën El-Kajim, Allahu i mëshiroftë.[59]

  1. Në ditën e xhuma pëlqehet përpjekja në lutje, shpeshtimi i saj dhe të kërkuarit nga Allahu mirësitë e dynjasë dhe ahiretit, në kohën kur pranohen lutjet, duke shpresuar që ta takojë këtë kohë.

Koha kur pranohen lutjet është veçori e ditës së xhuma. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e përmendi ditën e xhuma dhe tha: “Në këtë ditë gjendet një orë, nëse e takon një rob mysliman duke u falur (lutur) dhe kërkon prej Allahut diç, Allahu ia jep atë”, dhe pastaj bëri një shenjë me dorën e tij për të treguar se kjo orë është e shkurtër.[60]

Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë kohë dhe ato që shpresohet të jenë sa më afër së vërtetës janë dy:[61]

Mendimi i parë: Koha e pranimit është në orën e fundit pas namazit të ikindisë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kërkojeni atë në orën e fundit pas namazit të ikindisë.”[62]

Mendimi dytë: Koha e pranimit fillon prej momentit kur ulet imami në hutbe dhe vazhdon deri kur mbaron namazi, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kërkojeni atë prej kur të ulet imami e deri kur mbaron namazi.”[63]

  1. Allahu e fshehu kohën e pranimit të lutjes në ditën e xhuma, ashtu siç e fshehu natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, me qëllim që myslimanët të lakmojnë dhe të përpiqen në kërkimin e saj dhe të garojnë në mes tyre për në vepra të mira.

Kjo është e njëjtë sikurse e fshehu “emrin e Tij të madh tek emrat, e fshehu kënaqësinë e Tij në adhurime që të lakmojnë dhe të shkojnë pas të gjitha të tjerave, e fshehu zemërimin e Tij në mëkate që të largohen nga të gjitha të tjerat dhe e fshehu ndodhinë e Kiametit që të përpiqen në adhurime dhe të jenë të kujdesshëm nga ndodhia e tij.”[64]

  1. Në ditën e xhuma pëlqehet që t’i kushtohet kohë adhurimit dhe të lihen anash angazhimet e dynjasë që të përfitohet hairi dhe bereqeti që janë në të, sepse kjo ditë “është ditë adhurimi, pozita e saj në mesin e ditëve është si Ramazani në mesin e muajve dhe koha e pranimit të lutjeve në të është si nata e Kadrit në Ramazan.

Prandaj kush e bën një ditë xhumaje të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një javë të shëndoshë, kush bën një ramazan të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate të mëdha (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një vit të shëndoshë, kush bën haxh të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate të mëdha (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një jetë të shëndoshë.

Pra, dita e xhuma është peshorja e javës, Ramazani është peshorja e vitit dhe haxhi është peshorja e jetës.”[65]

 

E lusim Allahun që të na japë sukses dhe mbarësi për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq, dhe të na bëjë nga ata që ua pranon veprat dhe të na përfshijë në faljen dhe mëshirën e Tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Tubim, mbledhje, grumbullim apo bashkim (sh.p.)

[2] Shih: Tefsir Kurtubij (18/97), Ibën Kethir (8/119), Lisanul Arab (8/58).

[3] Muslimi (856).

[4] Buhariu (876), Muslimi (855).

[5] Muslimi (854).

[6] Tirmidhiu (3339), dhe hadithin e vlerësoi të dobët, ndërsa shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[7] Shih: Et-Tefsir El-Basit, El-Vahidij (23/380), Tefsir El-Bagavij (8/378), Ibën Kethir (8/365).

[8] Tirmidhiu (1074), shejh Albani e ka vlerësuar të mirë.

[9] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (4/426), El-Mexhmua, Imam Neveviu (6/437) dhe komenti i tij i Sahihul Muslim (8/19), Fetava Ibën Uthejmin (20/51).

[10] Buhariu (1986).

[11] Buhariu (1985), Muslimi (1144).

[12] Muslimi (1144).

[13] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/364).

[14] I cili ka arritur moshën që duhet t’i zbatojë urdhrat fetarë (sh.p.)

[15] Ebu Davud (495), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[16] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (2/376, 3/218), El-Mexhmua, Imam Neveviu (4/203,489), El-Insaf, Imam El-Mavardij (2/300).

[17] Muslimi (865).

[18] Ebu Davud (1052), Tirmidhiu (500), Nesaiu (1369), Ibën Maxhe (1125), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[19] El-Istidhkar (2/55).

[20] El-Istidhkar (2/56).

[21] Muslimi (233).

[22] Shih: Sherh Nevevij ala Muslim (3/113), El-Mexhmua (7/382).

[23] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/407).

[24] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/363).

[25] Shënon Hakimi (2/399), hadithi gjendet edhe në Sahih El-Xhami’ (6470).

[26] Imam Bejhakiu në Shuabul Iman (2220, 2777), hadithi gjendet edhe në Sahih El-Xhami’ (6471), ndërsa imam Nesaiu, Bejhakiu dhe Ibën El-Kajimi si më të saktë e vlerësojnë se hadithi është meukuf (zinxhiri përfundon tek sahabiu, – sh.p.-) dhe zinxhiri i tij përfundon tek Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[27] Imam Darimiu (3450), si hadith meukuf dhe zinxhiri i përfundon tek Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[28] Ebu Davudi (1047), Nesaiu (1374), Ibën Maxhe (1085), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[29] Bejhakiu në El-Kubra (3/353), shejh Albani e vlerësoi të mire hadithin në Es-Sahiha (1407).

[30] Dita e tepricës është dita kur i shfaqet Allahu besimtarëve në Xhenet. Allahu thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf: 35) Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I paraqitet Allahu besimtarëve në Xhenet çdo xhuma.”(sh.p.)

[31] Buhariu (858), Muslimi (846).

[32] Ebu Davud (354), Tirmidhiu (497), Nesaiu (1380), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

[33] Shih: El-Ihtijarat El-Fik’hije (fq. 17), El-Insaf, Imam El-Merdavij (1/247).

[34] Shih: El-Mugni (3/227), El-Mexhmua (4/534), Fetava Ibën Uthejmin (16/142).

[35] Shih: El-Mugni (3/228), Fetava Ibën Baz (12/406), Fetava Ibën Uthejmin (14/302, 16/137).

[36] Për qëllim është pastrim sa të mundet i trupit dhe largim i papastërtisë, dhe këtu përfshihet edhe prerja e thonjve dhe largimi i qimeve në vendet e turpshme dhe nënsqetulla, të gjitha këto janë nga pastrimi. (sh.a.)

[37] I lyen me vaj qimet e flokëve apo të mjekrës duke i krerë ato. (sh.a.)

[38] Buhariu (883).

[39] Ebu Davudi (343), shejh Albani e vlerësoi të mire.

[40] Buhariu (880), Muslimi (846).

[41] Buhariu (881), Muslimi (850).

[42] Buhariu (3211), Muslimi (850).

[43] Si shembulli: lindja e diellit është në ora 6 të mëngjesit dhe ezani i xhumasë thirret në ora 13 në mesditë, kështu që në mes tyre ka 7 orë. Këto 7 orë i ndan në pesë pjesë dhe i bie që çdo pjesë të jetë 1 orë e 40 minuta (7:5=1.4). Pastaj e llogarit prej te lindja e diellit që është në ora 6 dhe e shumon me 1 orë e 40 minuta dhe del që koha e parë të jetë prej ora 6 e deri në ora 7.40. Koha e dytë fillon në ora 7.40 dhe përfundon në 9.20, dhe kështu me radhë. (sh.p.)

[44] Shih: El-Istidhkar, Ibën Abdulbir (2/6), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (8/100), Fetava Ibën Uthejmin (16/140).

[45] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), hadithi është në Sahih Et-Tergib (690).

[46] E përcjell El-Mul’la Alij El-Karij nga disa imam, shih: Mirkatul Mefatih (3/1035).

[47] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), Sahih Et-Tergib (690).

[48] Shih: El-Mugni (3/167).

[49] Buhariu (6316), Muslimi (763).

[50] Shih: El-Mugni (3/164).

[51] Shih: El-Mexhmua, Imam Neveviu (4/546).

[52] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), Sahih Et-Tergib (690).

[53] Shih: Hashijetu Es-Sindij ala sunen Ibën Maxhe (1/338).

[54] Buhariu (883).

[55] Muslimi (857).

[56] Muslimi (881).

[57] Buhariu (937), Muslimi (882) dhe shtojca e shënuar është e tij.

[58] Muslimi (882).

[59] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (3/248), Zadul Mead (1/425).

[60] Buhariu (935), Muslimi (852).

[61] Zadul Mead (1/377, 382), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (2/416, 421).

[62] Ebu Davudi, (1048), shejh Albani e saktësoi.

[63] Muslimi (853).

[64] Tefsir El-Bagavij (8/490).

[65] Zadul Mead (1/386).