DITËN KUR TË VDES MËSUESI

Shumë njerëz e kanë njohur Haxhi Xhaferr Shkodrën; nga lindja në perendim. Hoxhën energjik që kurrë këto 25 vite nuk reshti së foluri për Zotin, Krijuesin e gjithësisë. Hoxha i cili u edukua në mejtepin e dhe urtësinë e Hafiz Ali Korçës. Hoxha i cili në vitin ’91 e luftoi publikisht komunizmin duke sfiduar të gjitha paragjykimet dhe rreziqet e kohës thiri publikisht mu në mes të Kavajës; aty ku ishin themelet e rrënuara të xhamisë kubelije. O vëllezër dhe motra të Kavajës kemi dalë sot këtu për ti vënë shkelmin komunizmit. Pikërisht këtu ku kanë shembur xhaminë dhe kanë ndërtuar banjot publike do të rindërtojmë xhaminë që na e ndërtuan të parët tanë. Nga këtu po e them hapur dhe publikisht pas kaq vitesh La ilahe ila Allah, Nuk ka Zot tjetër të Adhuruar me meritë përveç Allahut.

Asokohe isha shumë i ri, nuk dija pothuaj asgjë për Zotin, edhe pse gjyshi im kishte qenë hoxhë i përndjekur nga komunistët, ishte hera e parë që dëgjoja dikë që të fliste hapur për Allahun. Pikërisht ishte Xhaf Shkodra, karrocierin e veshur me një xhup fishfishe me gjyrë kafe. Pas kësaj dite veshi uniformën e hoxhës dhe nuk e hoqi sa qe me frymë.

Ngjarjet e lëvizjeve demokratike ndryshuan gjithëçka në shqipëri. Haxhi Xhafa u bë myftiu i parë pas rrëzimit të pushtetit të Enver Hoxhës. Ishte pjesë e rëndësishme e ringritjes së Komunitetit Musliman në Shqipëri. Hapi Medresenë e parë në Kavajë. Aty hapi edhe një kurs dy vjeçar për imamë të rinj ku u regjistrova edhe unë. Aty mësova çdo të thotë Zot, Islam e Pejgamber nga goja e hoxhës me dituri modeste dhe dëshirë të madhe. Aty mësova se si duhet të pastrohet një musliman. Ja ashtu siç dinte ai mbi tavolinë mësuam dalë nga dalë me zellin tonë shumë elementë të domosdoshëm të edukatës së përditshme për një musliman.

Deshi Allahu dhe në vitin ’93 rrugëtova në Medinen e Profetit për të thelluar studimet islame. Më erdhi vizitë në shtëpi dhe më tha; Sulejman, Allahu të përzgjodhi ty, nipin e Shefikut, të shkosh në Medine, pranë Pejgamberit, prandaj shko dhe ktheu shpejt se Kavaja ka nevojë për ty dhe shokët e tu. Sa herë që kthehesha në verë më të marrë lajmin e ardhjes nga Medina vinte në shtëpi, jo vetëm mua por të gjithë studentëve, dhe më thonte kemi shumë punë.

Me Haxhi Xhafën kam bashkëpunuar shumë dhe më ka mbështetur vazhdimisht në inisiativat e mia ashtu siç dinte ai. Ai kurrë nuk pushoi duke folur për Zotin aq sa dinte ai. Ato që kishte në zemër i thonte shqip bukur dhe qartë drejtëpërdrejtë pa mëdyshje dhe iu trembur askujt. Qoftë pasanik apo i varfër; gangster apo dobët fizikisht; politikan i lartë apo i ulët. Oxhaqet e komunizmit i shëndërroi në minare mirëpo nga sot ato do ta ndiejnë mungesën e tij.

Shtatë vite me sëmundjen bashkjetove duke e sfiduar nga dita në ditë. Shtatë muaj në shtrat Allahun pareshtur e kujtove dhe ditën e fundit që u takuam pororsi për të punuar për dinin e Allahut më le amanet.

Fakti që po të kujtoj publikisht tregon sesa i rëndësishëm ke qenë dhe ke mbetur në kujtesën time. Zotit i lutem që këto rrjeshta me fjalë modeste të jenë si shenjë mirënjohjeje për kontributin që ke dhënë në formimin tim islam. Sa të kem jetë e sa të rroj, me shpresën e të madhërishmit ty kurrë s’do të të harroj, gjithmonë për mirë do të të kujtoj, o mësuesi im që edhe gjatë sëmundjes dhe ditën që u largove nga kjo botë mashtruese na dhe të gjithëve një mësim; kjo botë pa Zotin është një mashtrim.

Sot familjarët e haxhi xhafës u ndanë nga i afërmi i tyre. mirëpo ne nxënësit e tij nga mësuesi. Kavaja humbi një hoxhë shembull e të palodhur në shërbim të popullit në çdo çast.

Zoti të faltë Haxhi Xhafa e na bashkoftë në xhenet.

Amin!

Sulejman Rustemi