Rtv Pendimi
Dija & Daveti Haxhi

DITËT E TESHRIKUT – DISPOZITA DHE DOBI

  1. Ditët e Teshrikut, dita e njëmbëdhjetë, e dymbëdhjetë dhe e trembëdhjetë e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ndryshe quhen edhe si ditët e Minës, ngase në këto ditë haxhilerët qëndrojnë në Mina, dhe njashtu janë ditë të gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat.
  2. Ditët e Teshrikut janë quajtur me këtë emër shkaku se mishi i kurbanit theret dhe bëhet copa dhe shtrihet në diell për t’u tharë apo terur. Thuhet se me therje të kurbanit nënkuptohet copëtimi i saj dhe ndarja pjesë-pjesë. Thuhet njashtu se janë quajtur me këtë emër shkaku se kurbani nuk theret derisa të lindë dielli.[1]
  3. Në ditët e Teshrikut haxhilerët i gjuajnë guralecët në tre Xhemaratet: Xhemaratin e vogël, të mesmin dhe të madhin. Haxhiu gjuan nga shtatë guralecë te të tre Xhemaratet, gjatë çdo gjuajtjes bën tekbir (thotë Allahu ekber) dhe ato i gjuan për çdo ditë pas animit të diellit (nga kupa e qiellit) dhe kohëzgjatja e gjuajtjes është deri në sabahun e ditës tjetër. Haxhiu pasi i gjuan guralecët në ditën e parë dhe në ditën e dytë, dhe me këtë përfundojnë detyrimet e haxhit, në ditën e tretë preferohet që gjuajtjen ta vonojë sepse kështu veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Allahu në Kuran thotë: “Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut.” (El-Bekare: 203)
  4. Bujtja në Mina është nga detyrimet e haxhit dhe haxhilerët detyrohen që natën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të Dhulhixhes ta kalojnë në Mina. Nëse haxhiu dëshiron që edhe natën e trembëdhjetë ta kalojë në Mina, gjë që pëlqehet të veprohet, atëherë i detyrohet bujtja edhe natën e trembëdhjetë, kurse ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë, iu lejohet ta braktisin bujtjen në natën e trembëdhjetë, dhe nuk bëjnë gjynah.
  5. Ditët e Teshrikut janë “ditët e caktuara”, në to Allahu urdhëroi të përmendet Ai. Allahu thotë: “Dhe madhëroni Allahun në (tri) ditët e caktuara (të Teshrikut).” (El-Bekare: 203)

Ibën Abasi, Ata’ja, Muxhahidi dhe dijetarët e tjerë thanë: “Ditët e caktuara’ që përmenden në ajet janë ditët e Teshrikut dhe u quajtën të caktuara,[2] shkaku se janë pak në numër.”

  1. Dita më e mirë nga ditët e Teshrikut është dita e parë e saj. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e madhe tek Allahu është Dita e Kurban Bajramit, e më pas dita pas saj (‘jeumu el karr’).”[3]

Dita e parë e Teshrikut vjen pas ditës së Kurban Bajramit dhe është quajtur si “jeumu el karr”, shkaku se haxhilerët në këtë ditë qëndrojnë në Mina pasi njëherit e kanë kryer tavafin e ifadesë dhe e kanë therur kurbanin dhe më pas ndalen të qëndrojnë dhe pushojnë në Mina. Nuk i lejohet haxhiut në këtë ditë të ikën dhe të mos qëndrojë nga Mina.

  1. Ditët e Teshrikut janë ditë feste. Ato janë ditë ngrënieje, pijeje dhe përmendjeje e Allahut, dhe shfaqjeje gëzimi dhe mbajtjeje të lidhjeve farefisnore. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[4]

Në një hadith tjetër: “Dita e Arafatit, Dita e Kurban Bajramit dhe ditët e Teshrikut, për ne myslimanët janë ditë ngrënieje dhe pirjeje.”[5] Grave u lejohet t’i bien defit në këto ditë.

  1. Ditët e Teshrikut janë ditë feste dhe nuk lejohet të agjërohen. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndaloi që këto ditë të agjërohen.[6]
  2. Shumica e dijetarëve nuk e lejojnë agjërimin e këtyre ditëve, qoftë agjërim vullnetar apo kompensim të ditëve të humbura apo shkaku i zotimit, dhe ai që i agjëron ditët e Teshrikut agjërimi i tij është i pavlefshëm, shkaku i ndalesës që erdhi në hadith.
  3. Agjërimi i ditëve të Teshrikut nuk u lejua në asnjë mënyrë, përveçse për haxhiun që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban, ashtu siç thanë Aisha dhe Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[7]
  4. Në këto ditë pëlqehet të shpeshtohet përmendja e Allahut, dhe llojet e përmendjes së Allahut janë të ndryshme dhe ndër to bën pjesë tekbiri i përcaktuar i cili bëhet pas çdo namazi farz. Tekbiri i përcaktuar fillon nga sabahu i ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për atë që është në haxh fillon nga namazi i drekës së Kurban Bajramit, dhe përfundon me kryerjen e namazit të ikindisë të ditës së tretë të Teshrikut (apo ditës së katër të Kurban Bajramit).

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sahabët janë unikë dhe të një mendimi për kohën e fillimit dhe të mbarimit të tekbirit të përcaktuar dhe mendimin e tyre e përcjell nga Omeri, Aliu, Ibën Mesudi dhe Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[8]

Ikrime, Allahu e mëshiroftë, në komentin e  fjalës së Allahut: “Dhe madhëroni Allahun në (tri) ditët e caktuara (të Teshrikut).” (El-Bekare: 203), thotë: “Tekbiri në ditët e Teshrikut është pas namazeve farze.”[9]

  1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të bëhet gjatë këtyre ditëve është edhe tekbiri i papërcaktuar. Në esencë tekbiri i papërcaktuar pëlqehet të bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes dhe gjatë tri ditëve të Teshrikut dhe përfundon me përfundimin e ditëve të Teshrikut. Bëhet në çdo kohë, gjendje dhe vende, natën dhe ditën, në rrugë, në treg, në xhami, në shtëpi, në vende pune, dhe në çdo vend ku lejohet përmendja Allahut, qoftë në këmbë, ulur apo shtrirë, i hipur në mjet transporti apo duke ecur në këmbë, dhe myslimani pëlqehet ta bëjë haptazi dhe ta ngritë zërin gjatë shqiptimit të tij.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tekbir bënte në tendën e tij në Mina, dhe tekbirin e tij e dëgjonin të pranishmit në xhami dhe bënin tekbir edhe ata, dhe bënin tekbir edhe tregtarët derisa dridhej Mina nga tekbiret.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tekbir bënte në Mina gjatë ditëve të Teshrikut, dhe bënte pas namazeve farze dhe në shtratin e tij dhe në tendën e madhe ku qëndronte në Mina dhe në vendet ku rrinte ulur dhe kur ecte dhe gjatë gjithë atyre ditëve në përgjithësi.

  1. Baza në përcaktimin e kohës së tekbirit të përcaktuar dhe të papërcaktuar janë gjurmët e ndryshme që transmetohen nga shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nga të parët tanë të mirë.

Forma më e njohur e tekbirit që është transmetuar nëpër gjurma është: “Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Njashtu përcillet edhe forma: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Në këtë çështje hapësira e veprimit është e gjerë.

  1. Myslimani ia rikujton vetes gjatë tekbirit se Allahu është më i Madh se çdo gjë. Ai nuk i jep përparësi asgjëje dhe askujt para urdhrit të Allahut dhe Profetit të Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, as në shtëpi dhe as në treg dhe as në vepra dhe as në mosmarrëveshje.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tekbiri është ligjëruar të shqiptohet në vende të mëdha, që të qartësohet se Allahu është më i Madhi, dhe në zemra të mbizotërojë madhështia e Tij krahas madhështisë së atyre vendeve të mëdha. Kështu që feja të jetë e tëra për Allahun dhe robërit e Tij ta madhërojnë vetëm Allahun, dhe nëpërmjet saj ata t’i arrijnë dy synime: atë të adhurimit, duke e madhëruar Allahun zemrat e tyre, dhe atë të kërkimit të ndihmës nga Allahu, duke i nënshtruar të gjitha kërkesat e tjera në madhështimin e Allahut.”[10]

  1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet dhe të shpeshtohet në ditët e Teshrikut është përmendja e Allahut në përgjithësi, ashtu siç Allahu thotë: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!” (El-Bekare: 200); që nënkupton të përmendet Allahu me tekbir (Allahu ekber), tahmid (elhamdulilah), dhe me lavdërimin e Tij.
  2. Disa nga të parët tanë të mirë për atë i cili është në haxh e pëlqenin që në ditët e Teshrikut më shpesh të lutet me lutjen: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit). (El-Bekare: 201).[11]
  3. Kjo lutje është më gjithëpërfshirëse nga të gjitha lutjet e tjera në kërkimin e mirësive të dynjasë dhe ahiretit dhe vetë Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, lutej shpesh me të, ashtu siç transmeton Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Lutja që më shpesh Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, lutej me të ishte: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. Dhe Enesi kur dëshironte të bënte dua, lutej me këtë lutje në të.[12]
  4. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet në ditët e Teshrikut është përmendja e Allahut gjatë therjes së kurbanit duke thënë bismilah dhe Allahu ekber.

Koha e therjes së kurbanit fillon pas faljes së namazit të Bajramit dhe zgjat deri në perëndimin e diellit të ditës së tretë të Teshrikut (ditës së katërt të Kurban Bajramit).

Pra, ditët e therjes janë katër: Dita e Kurban Bajramit dhe tri ditët që vijnë pas saj.

  1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet në këto ditë, të cilat janë ditë ngrënieje dhe pirjeje, është përmendja e Allahut gjatë ngrënies dhe pirjes. Të fillohet ngrënia e ushqimit duke thënë bismilah (me emrin e Allahut) dhe të përfundohet duke thënë elhamdulilah (falënderimi i takon Allahut). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu nga robi i Tij dëshiron që kur ta hajë ushqimin ta falënderojë Allahun, apo kur ta pijë pijen ta falënderojë Allahun.”[13]
  2. Nga format e transmetuara të falënderimit që përdoren pas ngrënies dhe pirjes janë këto:

“Elhamdulil-lahi hamden kethiren tajjiben mubareken fihi, gajra mekfijjin ue la mueddain ue la mustegnijen anhu Rab-bena.”

“Falënderimi i takon Allahut, falënderime të shumta, të mira dhe të bekuara pa kufij. Ne nuk mund ta kompensojmë mirësinë Tënde, nevoja jonë për ushqim nuk do të ndërpritet, sepse kemi nevojë për të në vazhdimësi dhe as nuk mund të bëjmë dot pa të, o Zoti ynë.”[14]

“Elhamdulilahi el-ledhi et’ameni hadha ue rezekanihi min gajri haulin minni ue la kuvetin’’

“Falënderimi i takon Allahut, i Cili ma mundësoi ta ha këtë ushqim dhe më furnizoi pa ndonjë lëvizje dhe pa ndonjë fuqi timen.”[15]

“Elhamdulil-lahi el-ledhi et’ame ue seka ue seuegahu ue xheale lehu mahrexhen.”

“Falënderimi i takon Allahut, i Cili ka dhënë për të ngrënë dhe për të pirë, e ka bërë të mundur hyrjen e ushqimit dhe pirjes dhe gëlltitjen e tij lehtësisht, dhe ka bërë organe për jashtëqitjen e tyre.”[16]

  1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet në këto ditë, dhe është i veçantë për ata që janë në haxh, është përmendja e Allahut me tekbir (duke thënë Allahu ekber) gjatë gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat në ditët e Teshrikut.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Tavafi rreth Qabesë, sa’ji mes Safasë dhe Mervas dhe gjuajta e guralecëve në Xhemarat, janë ligjëruar për ta përmendur Allahun.”[17]

  1. Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje dhe pirjeje dhe përmendjeje të Allahut, kështu që te myslimanët bashkohen në këto ditë: “begatia e trupave të tyre me ngrënie dhe pirje, dhe begatia e zemrave të tyre me përmendje dhe falënderim të Allahut, dhe me të përsosen begatitë, dhe sa herë që e shtojnë falënderimin për ndonjë begati, bëhet falënderimi i tyre begati tjetër që çon deri në falënderim tjetër, i cili nuk ndalet dhe nuk përfundon asnjëherë.”[18]
  2. Nga përsosja e falënderimit të begatisë është që nëpërmjet saj të shtohen adhurimet dhe të mos përdoret në të bërit mëkat Allahut, ashtu siç erdhi në hadith: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[19]

Hadithi na e bën të qartë se “me ngrënie dhe pirje në ditët e Bajramit myslimani ndihmohet për ta përmendur dhe adhuruar Allahun, dhe kjo është nga përsosja e falënderimit të begatisë, që ajo të përdoret për adhurime. Allahu urdhëroi në Kuran me ngrënie të ushqimit hallall dhe urdhëroi të falënderohet Allahu: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (El-Bekare: 172)

Prandaj kush i përdor begatitë e Allahut për t’i mëkatuar Atij, vetëm se i mohoi ato dhe i ndërroi me mohim dhe ai është më meritori për t’ua marrë ato.”[20]

 

E lus Allahun të na japë suksese në shfrytëzimin e sezonave të mirësive dhe të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

 

[1] Shih: Nihajeh fi garib el hadith, Ibën el Ethir (2/464), el Mexhmua, Imam Neveviu (6/442), Lisan el Arab (10/176), el Misbah el Munir (1/310).

[2] Shih: Tefsir Taberij (3/549).

[3] Ebu Davud (1765), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

[4] Muslimi (1141).

[5] Ebu Davud (2419), Tirmidhiu (773), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

[6] Imam Ahmedi (16081), shejh Albani e saktësoi në Sahih el Xhami (7355).

[7] Buhariu (1998).

[8] Shih: Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (6/124).

[9] Tefsir Ibën Kethir, (1/560).

[10] Mexhmua el Fetava (24/229), shkurtimisht.

[11] Shih: Letaif el Mearif, (fq. 290.), Ed-Dur’ru el Menthur, (1/560).

[12] Buhariu (6389), Muslimi (2690).

[13] Muslimi (2734).

[14] Buhariu (5458).

[15] Tirmidhiu (3458), Ibën Maxheh (3285), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të mirë.

[16] Ebu Davud (3851), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[17] Ebu Davud (1888), përcillet si merfu dhe meukuf, shejh Albani e vlerësoi si të dobët.

[18] Letaif el Mearif, (fq. 291).

[19] Muslimi (1141).

[20] Letaif el Mearif, (fq. 290.), me shtojcë.

Të ngjajshme

MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

Irfan Jahiu

STINA E DIMRIT DHE MES’HU MBI MESTE

Irfan Jahiu

MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

Irfan Jahiu

ZBUKURIMI I LEJUAR DHE AI I NDALUAR

Irfan Jahiu

VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

Irfan Jahiu

VDEKJA

Irfan Jahiu

TË KAPURIT PËR KURAN DHE SUNET

Irfan Jahiu

TË DREJTAT E RRUGËS DHE ETIKA E SAJ

Irfan Jahiu

SHKAQET E RISKUT

Irfan Jahiu