DITORI I AGJËRUESIT, FALJA DHE SHLYERJA E MËKATEVE

 

Pashmangshëm duhet të kemi parasysh se Ramazani është mundësi e artë për t’u avancuar, ngritur, përmirësuar dhe gdhendur në çdo aspekt. Por, është njëkohësisht mundësi edhe për t’u liruar nga barrët e tepërta dhe të panevojshme që na rëndojnë e nuk dimë si t’i heqim qafe. Janë barrët e mëkateve dhe veprave që nuk do të donim të dilnim para Allahut duke i pasë të evidentuara në regjistrin tonë.
Allahu i Madhëruar është aq i mëshirshëm për robërit e Vet saqë u ka dhënë mundësi të panumërta që ata, duke qenë ende në jetë, në këtë botë, të mund të pastrohen prej mëkateve që i kanë bërë dhe të lirohen përjetësisht nga barra e tyre. Një prej këtyre mundësive është Ramazani. I Dërguari i Allahut, në hadith autentik thotë: “Kush agjëron Ramazanin me iman dhe duke llogaritur në shpërblim, i falen mëkatet e kaluara. Dhe kush falet në Natën e Kadrit me iman dhe duke llogaritur në shpërblim, i falen mëkatet e kaluara.” (Muslimi)
Njejtë ka ardhur edhe për faljen e namazit të natës në gjithë Ramazanin: “Kush fal namazin e natës në Ramazan me besim dhe duke llogaritur në shpërblim, i falen mëkatet e kaluara.” (Muslimi)
Andaj, a nuk ia vlen të gëzohemi dhe të urojmë njëri-tjetrin për muajin në të cilin mund të përfitojmë shumë nga mundësia për të na u falë mëkatet?!
Falja është gjë e madhe ashtu sikur edhe nevoja jonë për të, sikur madhësia dhe shumësia e mëkateve tona. Faljen mund t’a sigurojmë duke kërkuar falje dhe këtë duhet t’a bëjmë shumë. Por a thua e bëjmë dot? Cili prej neve bën shumë istigfar gjatë ditës? I Dërguari i Allahut bënte istigfar me qindra herë gjatë ditës. Vetëm në një ndejë ia numëronin njëqind herë të kërkonte falje prej Allahut. Ky duhet të jetë frymëzimi ynë dhe të mos rreshtim së kërkuari falje për mëkatet, çfarëdo qofshin ato, që i kemi bërë.
Pas kësaj, është mirë të shfrytëzohen të gjitha mundësitë praktike që të mund të lirohemi sa më mirë nga barra e të këqijave. Agjërimi, namazi i natës, sadakaja, bamirësitë e ndryshme, të gjitha janë mundësi për të arritur këtë, vetëm se duhet t’a rregullojmë motivin-nijetin.
Njerëzit e mirë para nesh ishin shumë të brengosur si të arrinin për t’ju falur mëkatet. Këtë ishin të interesuar t’a arrinin edhe me investime të mëdha. Ja shembujt:
Shembulli i parë:
Ebu Katade transmeton se i Dërguari i Allahut u foli njerëzve për vlerën e xhihadit dhe se si është vepra më e mirë praktike, kur u ngrit një njeri dhe e pyeti: Nëse vritem në rrugën e Allahut, a do të më falen mua mëkatet? I Dërguari i tha: “Po, nëse vritesh në rrugën e Allahut, duke qenë i durueshëm dhe duke llogaritur në shpërblim, më fytyrë e jo me shpinë kah armiku, do të të falen mëkatet.” (Muslimi dhe Tirmidhiu)
A thua, çfarë e shtyhu atë njeri të pyeste se a do t’i faleshin mëkatet? Sipas logjikës sonë do të duhej pyetur a do të shpërblehet, a do t’i bëhet vend në xhenetin Firdeus. Por ja që, ata me gjithë dëshirën dhe gatishmërinë për të bërë vepra të mira pyesnin dhe interesoheshin a do t’u falen mëkatet. Dhe për këtë ishin në gjendje të investojnë edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre por me kusht që t’u falen mëkatet.
Shembulli i dytë:
Faraoni, sipas përshkrimit Kur’anor, i kërcënoi magjistarët, pasi që ata i besuan Musait, se do t’i vriste duke i masakruar në formën më të tmerrshme.
“Do t’ua pres duart dhe këmbët tërthorazi dhe do t’ju gozhdoj të gjithëve. Ata thanë: S’ka gjë, ne i jemi kthyer Zotit tonë. Ne lakmojmë që Zoti ynë të na i falë mëkatet, pasiqë u bëmë besimtarë ndër të parët.” (Shuara: 49-51)
Edhe këta dhanë shembullin se çfarë është mirë të shpresohet dhe synohet dhe cila është mënyra e duhur për t’a arritur atë. Treguan gatishmëri për të sakrifikuar më të shtrenjtën, për t’u përballur durueshëm me terrorin e faraonit duke dëshiruar që Allahu t’i falë.
Për këtë, duhet t’i gëzohemi Ramazanit, t’a konsiderojmë mundësi për të na u falur mëkatet, por kjo nuk arrihet pa treguar gatishmëri për t’u radhitur aty ku e kërkon Zotin ynë: nwlë radhët e agjëruesve, falësve të namazit, të kërkuesve të faljes së Tij.

Shkruar nga Hoxha Ekrem Avdiu, transmeton Radio Pendimi.