Feja islame e mbështet zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit në dituri. I pari verset kur’anor që iu komunikua Muhamedit a.s. ishte: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)”. Është më se e qartë që mesazhi i Allahut për njerëzit është të mësuarit dhe kjo për të gjithë myslimanët pa dallim, për meshkujt dhe për femrat. Duke u nisur nga porositë e të madhit Zot, myslimanët e kohës së Profetit a.s. e në vazhdim u dhanë me mish e me shpirt për të përvetësuar diturinë, shkencën. Ata u përpoqën me të gjitha aftësitë e tyre që dijet t’i vënë në shërbim të njerëzimit, duke u përpjekur që mesazhet e Kur’anit t’i provojnë nëpërmjet eksperimentit dhe filozofisë së mendimit të lirë, nëpërmjet debatit dhe zbulimeve që ata arritën në fshehtësinë e natyrës.
Myslimanët, të mbështetur në mësimet e Kur’anit, nuk gjenin asnjë pengesë që të studiojnë çdo lloj shkence, pavarësisht se në cilin vend ishte zhvilluar, ose nga cili filozof e shkencëtar ishte shkruar. Profeti ynë, Muhamedi a.s., porosit: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo mysliman e myslimane”. Në këtë mënyrë Profeti a.s. i nxiste myslimanët që të studionin gjithçka të trashëguar në shkencë, filozofi e çdo kulturë tjetër nga popujt e zhvilluar, para se të vinte Islami. Myslimanët e parë, të nxitur nga mësimet e Kur’anit dhe porositë e Profetit të tyre, u njohën me kulturën greke e romake dhe me kulturën e vjetër të shumë popujve të tjerë, duke e çuar atë shumë më përpara e duke i dhënë një zhvillim të paparë dijes dhe shkencës. Është një e vërtetë e padiskutueshme se kur Evropa gjëmonte nën tiraninë e paditurisë dhe në mes të Romës kullosnin derrat, në botën islame ndriçonte dija dhe shkenca. Universitetet islame në Kordobë të Spanjës, në Kajro, në Bagdad e gjetkë u bënë qendrat e dijes e të shkencës. Njerëzit atje bënin një jetë të kulturuar dhe jetonin me shumë komoditete. Gjithë këtë përparim në shkencë e dituri që Islami i solli popujve të botës në një kohë fare të shkurtër, bota para islame s’e kishte arritur për shekuj të tërë.
Në kohën e Profetit a.s., duke u nisur nga porositë e Allahut në Kur’an, u zhvillua një punë e paparë kundër paditurisë dhe injorancës. Aq e vërtetë është kjo, saqë edhe robërve të luftës, që kishin njëfarë kulture, u garantohej liria po t’i mësonin 10 personave shkrim e këndim. Beteja për të luftuar injorancën zhvillohej në mënyrë paralele, si për meshkujt ashtu dhe për femrat. Profeti Muhamed a.s., që në xhaminë e parë që ndërtoi, pati parasysh që pjesa e përparme të ketë një ose dy vende në formë dhomash, të cilat quheshin “sufa” dhe përdoreshin si shkolla masive.
Duke pasur parasysh se me përqafimin e diturisë, bota islame i la një trashëgimi të madhe njerëzimit në zhvillimin e të gjitha shkencave, për çka Evropa dhe tërë bota ia ka borxh mirënjohjen, të vjen keq kur sheh se sa prapa kanë mbetur myslimanët në shkencë e përgjithësisht në dituri, në krahasim me Evropën dhe Amerikën. Bota islame, duke pasur parasysh mesazhet e Kur’anit e duke qenë e bindur se në çdo mesazh ka të vërteta të padiskutueshme, duhej të thellohej në studimet shkencore për t’i provuar me anë të eksperimentit ose të provave konkrete për të krijuar bindje në ekzistencën e një Zoti, Krijues e rregullator i gjithë rruzullit. Këtë e bënë jomyslimanët dhe për këtë duhen përgëzuar. Sa e sa mesazhe ka në Kur’an që shkenca duhet t’i provojë dhe që shumë prej tyre i ka provuar, por fatkeqësisht dijetarët myslimanë as që janë marrë me këto probleme. Ata mjaftohen duke shkruar se shkenca ka provuar këtë ose atë të vërtetë të pohuar në Kur’an. Ky argument për mendimin tim provon prapambetjen e botës islame, që do të provojë madhështinë e Kur’anit me fjalët e shkencëtarëve të mëdhenj të botës joislame. Kur’ani pa dyshim se, me mesazhet e veta, vërteton fshehtësitë e botës sonë, fshehtësitë e vetë organizmit tonë si dhe ato të gjithë rruzullit. Detyra e dijetarëve është që këto mesazhe t’ua provojnë masave me anë të provave dhe eksperimenteve, me argumente shkencore. Vetëm kështu do të provojmë madhështinë e Kur’anit si Fjalë e Zotit dhe do t’i bënim të ndërgjegjshme masat në njohjen dhe besimin në një Zot. Profeti Muhamed a.s. në një hadith thotë: “Kush njeh veten, ka njohur Zotin”. Ç’bënë dijetarët myslimanë për njohjen e njeriut nga ana biologjike, fizike dhe psikike? Kjo fjalë e Profetit tonë, që i transmetoi njerëzimit Kur’anit, Fjalën e Zotit, duhet të ishte nxitje për dijetarët, që të jepnin kontributin e tyre në zhvillimin e shkencës, për njohjen e vërtetë të njeriut, si qenia më e përsosur e krijuar nga Allahu. Përse bota islame i la në harresë dhe nuk u thellua më tej në shkencën e anatomisë e të mjekësisë në përgjithësi, që trashëgoi nga Avicena dhe Averroe, dy mjekë myslimanë të përmendur të kohës së mesjetës? A lejohet për dijetarët myslimanë që të mos jenë pararojë në shkencë e dituri, ashtu siç ishin dikur, dhe ta kufizojnë diturinë vetëm në të mësuarit e mësimeve morale të Kur’anit, që kanë të bëjnë vetëm me mësimin e besimit dhe kryerjen e riteve?! Bota islame nuk është thelluar në arsimimin e rinisë me njohuritë shkencore, nën pretekstin se po injorojnë Kur’anin. Kur’ani nuk injorohet dhe do të mbetet ashtu siç është, Fjalë e Zotit, që jo vetëm këshillon mbarë njerëzimin, por njëkohësisht udhëheq dijetarët në zbulimin e fshehtësive të natyrës (mrekullitë e të madhit Zot).
Në Kur’an thuhet: “O Zot, na gëzo me të mirat e kësaj dhe ato të botës tjetër…” (Bekare, 201) A ka mesazh më të qartë se ky ajet kuranor?! Të gëzosh të mirat e kësaj bote, nevojitet shkenca në mënyrë që të shfrytëzosh tokën dhe nëntokën, por krahas kësaj, të mos harrosh edhe formimin me moral të njeriut për të siguruar harmoninë, dashurinë dhe paqen në mes njerëzve. Kjo, pa dyshim, kërkon zbulimin e ligjeve sociale, gjë që bëhet vetëm me dituri, të mbështetur në Kur’anin e madhnueshëm. Vetëm kështu dijetarët myslimanë e kryejnë detyrën e tyre karshi Zotit, duke i bërë njerëzit të aftë për këtë jetë e duke i përgatitur njëkohësisht edhe për jetën tjetër. Sikur dijetarët myslimanë të zbatonin mësimet e Kur’anit dhe me njohuritë e tyre të porosisnin masat se vetëm Fjala e Allahut e çon shoqërinë përpara, duke vënë në lëvizje mendjen (dhuratën më të çmuar që Zoti i ka dhënë njeriut), Islami pa dyshim do të kishte sunduar botën. Është më se e vërtetë se Evropa dhe Amerika kanë bërë hapa të mëdha në zbulimet shkencore, por nuk arritën të japin zgjidhje për shumë probleme të mprehta sociale, për të vetmen arsye se ata nuk e njohin Kur’anin (Fjalën e Allahut). Ata nuk njohin ligjet sociale të shoqërisë, ashtu siç porosit Allahu në Kur’an. Dijetari i madh anglez Xhorxh Bernard Shou parashikon që shekulli në të cilin jetojmë do të jetë shekulli i Islamit. Kjo do të vërtetohet nëse dijetarët myslimanë, ashtu si dikur, të mbështetur në mësimet e Kur’anit, duke i zbërthyer ato shkencërisht, do t’u bëjnë të ditur masave ligjet sociale të Kur’anit, duke u paraprirë edhe masave organizative të ndërtimit të shoqërisë sociale. Kjo arrihet vetëm me dituri.