Diyaneti i Türkiye-s dhe Bashkësia Islame e Kosovës nënshkruajnë protokoll bashkëpunimi

Mes Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiye-s (Diyanet) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është nënshkruar “Protokoll i Bashkëpunimit në fushën fetare ndërmjet Kryesisë së Çështjeve Fetare, Fondacionit të Diyanet-it dhe Bashkësisë Islame të Kosovës” me qëllim të bashkëpunimit në fushat fetare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga Diyanet-i, kreu i Diyanet-it, Ali Erbaş, para ceremonisë së nënshkrimit priti në takim kreun e BIK-ut, Myftiun Naim Tërnava dhe delegacionin shoqërues.

Pas takimit, Erbaş dhe Tërnava nënshkruan protokollin e bashkëpunimit mes dy vendeve që mbulon shumë çështje si shërbimet fetare, edukimi fetar, shërbimet e fondacionit, aktivitetet e ndihmës, studimet fetare dhe shumë çështje tjera.

Erbaş në fjalimin e tij në ceremoni theksoi se marrëdhëniet mes të dy institucioneve datojnë në të kaluarën e largët, dhe tha se aktivitetet e tyre tashmë do të shënojnë rritje me këtë protokoll.

Tërnava nga ana e tij falënderoi për interesimin e Türkiye-s ndaj popullit të Kosovës, duke shtuar se ky protokoll do t’i nxisë për punë më të mira në të ardhmen.

Në ceremoni morën pjesë edhe zv/kryetari i Diyanet-it , Burhan İşliyen, si dhe këshilltari i çështjeve fetare pranë ambasadës turke në Prishtinë, Bünyamin Albayrak.

– Përmbajtja e protokollit

Me protokollin synohet zhvillimi i mëtejshëm i shërbimeve ekzistuese duke marrë forcë nga trashëgimia e përbashkët fetare, historike dhe kulturore mes dy vendeve.

Protokolli përfshin ofrimin e zgjidhjeve për problemet që mund të lindin ndërmjet shërbimeve fetare, edukimit fetar, shërbimeve të fondacionit, aktiviteteve të bamirësisë, studimeve fetare, botimeve fetare dhe organizatave fetare në rajon, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit në këto fusha në përputhje me ligjet e dy vendeve dhe mbrojtjen e interesave.

Në përputhje me protokollin, synohet edhe ndarja e materialeve, transmetimeve të përbashkëta si dhe mbështetje teknike dhe të personelit.

Të dy vendet do të inkurajojnë shkencëtarët dhe ekspertët e fushës që të punojnë reciprokisht mbi trashëgiminë kulturore dhe historike, në mënyrë që të konsultohen dhe të ligjërojnë në universitete dhe institucione të tjera.