Dua hatmeje në Lubinjë të Epërme të Prizrenit

Dua hatmeje në Lubinjë të Epërme të Prizrenit

Në xhaminë e fshatit Lubinjë e Epërme (Gorne Lubinje), të komunës së Prizrenit, u organizua ceremoni solemne me rastin e mbarimit të hatmes, nga vijuesit e rregullt të mektebit të xhamisë. Në këtë tubim madhështor morën pjesë përfaqësues nga Këshilli I BI-së së Prizrenit, hoxhallarë e shumë xhematlinjë e qytetar nga fshati dhe më gjerë. Me këtë rast imami i xhamisë Fatmir ef. Sezairi, prezantoi para të pranishmëve suksesin e këtyre nxënësve përgjatë mësim besimit dhe leximit të Kuranit dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar përgjatë mësimit. Ai me shumë suksese ua mësoi leximin e Kur’anit 27 nxënësve, prej tyre 13 vajza e 14 djem. Në fjalën e tij, imami Sezairi, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre, e në mënyrë të veçantë prindërit për interesimin dhe bashkëpunimin e tyre. Në emër të KBI-Prizren, të pranishmit i përshëndeti kryetari i KBI-së së Prizrenit mr. Besim ef. Berisha, i cili e vlerësoi lartë angazhimin e imamit të fshatit. Ai tha se këta fëmijë janë e ardhmja e shëndoshë e vendit tonë, sepse tashmë janë pajisur me virtytet më të larta të moralit. Edhe kryeimami dr. Orhan ef. Bislimaj e falënderoi imamin për këtë angazhim madhor e afatgjatë. Po ashtu, ai i përgëzoi dhe prindërit për vetëdijen e lartë. Nëpërmjet mektebit, prindërit e arrijnë atë kënaqësinë me fëmijët e tyre, e që ka qenë synim i pejgamberëve. Ceremonia u mbajt në xhaminë e fshatit, filloi me lexim të Kur’anit, ndërsa mbaroi me duanë e Hatmes. Në fund, Këshilli i BI-së iu shpërndau nxënësve nga një ‘certifikatë’ për ndjekjen e mektebit, si dhe nga një dhuratë modeste.