Dy imamët nga Mitrovica Faruk Sinani dhe Eroll Nesimi janë në gjendje të rëndë shëndetësore pas infektimit me coronavirus.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Rexhep Lushta.
“Ky virus famëkeq po godet çdo ditë njerëz tonë të dashur, në mesin e tyre kemi edhe dy hoxhallarë tanë nga Mitrovica Dr. Faruk Sinani dhe hoxha Eroll Nesimi. Ata kanë nevojë për lutjet tona. Dr. Farukun e kanë transferuar në spitalin e Prishtinës për shkak të gjendjes së rënduar, prandaj ju lus të gjithëve të mos i harroni në lutjet tuaja”, duke bërë edhe lutjen e tyre.
“O Allah Zot i njerëzve Ti që i largon çdo të ligë, Ti je Shërues të lutemi që ta Shërosh Dr. FARUKUN DHE hoxhën EROLL, me shërim të plotë pas të cilit nuk ka dhembje e as gjurmë të sëmundjes”, është lutur kryeimami i Mitrovicës.
Edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është lutur për shërimin e hoxhallarëve të këtij qyteti.
“Në adresën e lutjeve le të shkojnë sonte dhe ditëve në vazhdim lutjet tona për hoxhë Farukun, që sa më shpejtë të na kthehet i shëruar dhe me shëndet të plotë. Ky rast edhe njëherë dëshmon që duhet të kemi kujdes nga virusi COVID-19 dhe të respektojmë të gjitha udhëzimet e profesionistëve. Lutem te Allahu i Madhërishëm ta ndihmoje hoxhë Farukun, që ai ta kalojë këtë sfidë shëndetësore sa më shpejtë”, ka shkruar tutje Bahtiri./Telegrafi/