
E TILLË ËSHTË JETA E NJERËZVE TË MIRË
Ata që e kënaqin veten me harame, e shohin pasionin dhe dëshirat e epshit me sy tjetër. Për ta ato kanë domethënie dhe vlera që gjërat e tjera nuk i kanë.
Si disa të tjerë, edhe unë e kisha mendimin se njerëzit që nuk jepeshin pas pasioneve dhe dëshirave të epshit, jetën e kanë të rëndë. E ndieja se ata janë të privuar nga kënaqësitë dhe e detyrojnë veten të respektojnë rregullat e fesë.
Mirëpo, pasi e mora rrugën e udhëzimit, e kuptova se bota e besimtarëve është krejtësisht tjetër siç e mendoja. Në krahasim me kënaqësitë e gjynahqarëve dhe atyre që jepen pas kënaqësive të epsheve, besimtarët përjetojnë kënaqësi më të mëdha dhe më të thella. Prej atyre kënaqësive veçohet:
Kënaqësia e imanit:
Këtë kënaqësi nuk e përjeton çdokush. Shumë njerëz privohen ta përjetojnë këtë kënaqësi të veçantë. Gjynahet, femohimi dhe neglizhenca janë shkak që zemra të mos e ndiejë kënaqësinë e imanit.
Enes ibn Maliku tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush i posedon këto tria, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit: Allahu dhe i Dërguari i Tij m të jenë më të dashur për të se çdokush tjetër; ta dojë tjetrin vetëm për hir të Allahut; si dhe të urrejë të kthehet në kufër (femohim) pasi që Allahu e udhëzoi, ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”[1]
Abas ibn Abdulmutalibi tregon se e dëgjoi Pejgamberin ﷺ të thotë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e imanit ai që është i kënaqur ta ketë Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin m për Pejgamber.”[2]
Kënaqësia e mposhtjes së vetes:
Kënaqësi tjetër më e madhe se ajo që e përjetojnë gjynahqarët është kënaqësia e mposhtjes së vetes dhe e dominimit mbi epshet. Për njeriun kjo është vlerë reale.
Por çfarë vlere ka personi që vetja e tij është robëruar me prangat e dëshirave të epsheve kalimtare. E vëren se sa shpejt bie në humnerën e tyre. E flijon karakterin, turpin, pasurinë dhe autoritetin e tij për të arritur deri te kënaqësia e përkohshme. Nuk ka guximin t’i thotë vetes një herë: “Jo!” në asnjë situatë.
Shprehjet dhe frazat si: Nuk mundem; Nuk kam durim; dëshmojnë dhe e shqiptojnë statusin e tyre se janë robër të epsheve.
Një studiuese në universitetin Ajnu Shems të Kajros në Egjipt bëri një studim për punimin e saj të magjistraturës rreth ndikimit të mbulesës në aspektin shpirtëror dhe në personalitetin e njeriut. Studimi përfshiu 250 studente, me mbulesë dhe pa mbulesë, prej shtatë fakulteteve të ndryshme. Rezultati i studimit ishte ky: “Vajzat pa mbulesë janë më të ndjeshme, më pak i bëjnë ballë shqetësimit dhe baraspesha emocionale është më e vogël në krahasim me vajzat me mbulesë.”[3]
Kënaqësia e shoqërimit me besimtaret:
Largimin prej shoqeve të këqija e përjetoja shumë keq. E kisha ndjenjën se, nëse largohem prej tyre, do të jetoj e vetme dhe larg njerëzve, e kjo do të më shtyjë drejt botës së mërzisë dhe pikëllimit. Mirëpo, nuk paska qenë ashtu. Përkundrazi, Allahu më nderoi me shoqërimin e besimtareve dhe ma kënaqi zemrën.
Gjatë ndejave me to vëreja se të folurit e sinqertë ishte adresa e bisedave të tyre, përgojimi i ndonjërës prej tyre ishte si të haje mishin e trupit të saj të vdekur, bartja e fjalëve të dëmshme te të tjerat llogaritej gjynah i madh.
Ato i zgjidhnin fjalët më të mira ashtu si i zgjidhnin frutat më të mira. Sharja, fjalët e pista dhe të paturpshme nuk ekzistonin në fjalorin e tyre.
Këto janë mirësitë në dynja me rastin e shoqërimit të tyre, ndërsa në ahiret janë më të mëdha sesa të përshkruhen me fjalë.
Në Ditën e Kiametit, kur njeriu ikën nga shoku tij, nga nëna e babai i tij, nga gruaja e vëllai i tij, e shkëputet çdo lidhje dhe nuk vlen asnjë marrëdhënie e dynjasë, shoqëria e tyre mbetet për shkak se janë shoqëruar për hir të Allahut: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Ez Zuhruf, 67)
Allahu i nderon me një pozitë që të tjerët ua kanë lakmi, ashtu siç lajmëroi Pejgamberi ﷺ se Allahu atë Ditë thotë: “Ku janë ata që janë dashur për hir të madhërisë Sime? Ata do të ulen në podiume prej drite, me ç’rast do t’u kenë lakmi pejgamberët dhe dëshmorët.”[4]
Nëse njëri prej shokëve ka më pak vepra se shoku tjetër, pavarësisht veprave, Allahu do ta nderojë duke e ringjallur me shokun e vet. Ebu Musa el Eshariu tregon për një burrë se e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Po njeriu që do një popull (të mirë dhe besimtar), por s’mund t’i arrijë ata (me vepra)?” Pejgamberi ﷺ tha: “Njeriu do jetë me atë që do.”[5]
Kur Allahu do t’i nderojë me futjen e tyre në Xhenet, zemrat do t’u pastrohen duke larguar çdo gjë të fëlliqur prej aty: “Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (El Hixhr, 47)
Përmallimi për takimin me Allahun:
Kënaqësia më e madhe që e ndiejnë besimtarët është përmallimi për takimin me Allahun, kënaqësia me përjetimin e shpërblimeve dhe me Xhenetin e Tij. Më e madhja nga të gjitha këto kënaqësi është të kënaqurit me shikimin në Fytyrën e Allahut të Madhërishëm.
Përmallimi për takimin e Allahut vlerën e ka aq të madhe, saqë Pejgamberi m e kërkonte atë në lutjet e tij siç e kërkonte shikimin në Fytyrën e Allahut.
Pejgamberi m e kërkonte shikimin në Fytyrën e Allahut, që është begatia më e madhe e Xhenetit, dhe e kërkoi përmallimin për takimin me Allahun, që është begatia më madhështore e dynjasë.
Prej lutjeve të Pejgamberit ﷺ ishte: “O Allah! Kërkoj nga Ti kënaqësinë e shikimit në Fytyrën Tënde dhe përmallimin për takimin Tënd. Kërkoj mbrojte te Ti nga çdo vështirësi që mund të më dëmtojë dhe nga çdo sprovë që më çon në shkatërrim.”[6]
[1] Buhariu (16), Muslimi (43).
[2] Muslimi (34).
[3] “Porosia drejtuar Havës, porosia numër pesë” (f. 67).
[4] Tirmidhiu (2390), Ahmedi (21575).
[5] Buhariu (6170), Muslimi (2641).
[6] Nesaiu (1305), Ahmedi (17861).
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)