edukimi-i-femijeve-3290nem7ayunpqi8iv6ghs

EDUKIMI I VAJZAVE

Vajza në Islam ka pozitë të lartë. Lindja e saj është gëzim i madh dhe përgëzim madhështor. Ajo edukon breza, ajo prodhon trima, ajo është simbol i turpit, ajo është adresa e nderit!

Islami e lartësoi dhe e ngriti pozitën e vajzës në Islam, dhe i kushtoi respekt të veçantë. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: Kur hynte Fatimja, e bija e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai u ngritke, e puthte dhe e ulte në mexhlisin e tij.

Nga fisnikërimi i vajzës është edhe ky tregim, i cili në vete përmban domethënie edukatore të madhe. Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, falej dhe e mbante Umamen, bijën e Zejnebit, vajza e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Kur binte në sexhde, e ulte afër, kur u ngritke, e merrte me vete në krahë.

Vajzat janë begati e dhuruar nga Allahu. Vlera e tyre nuk mohohet, ato janë nënat, motrat, gratë e tona. Allahu e bëri vajzën të jetë çelës i Xhenetit për prindërit e saj, t’ua lehtësojë atyre rrugën për në Xhenet dhe t’i largojë nga zjarri i Xhehenemit. Madje atyre që sillen mirë ndaj tyre, duke ua mësuar moralin dhe duke i edukuar mirë, u garantoi ringjalljen me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Përgëzime për ty, o ti prind i vajzës, me këtë respekt dhe nder nga ana e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Si mos të përgëzohesh, kur ti, me edukimin e mirë të tyre, përgatit popull dhe ndërton ardhmëri!

Ukbetu ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush i ka tri vajza dhe bën durim në rritjen e tyre, si dhe i vesh e i mbath nga pasuria e vet, ato do të jenë për të shpëtim nga zjarri”.

Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai që ka tri vajza dhe i edukon ato, është i mëshirshëm dhe kujdeset ndaj tyre, e ka të garantuar Xhenetin e përhershëm”. Shokët i thanë: “O i Dërguari i Allahut, e nëse i ka dy vajza”? Tha: “Edhe nëse i ka dy vajza”.

Xhabiri thotë: “Disa menduan se, sikur të pyetnin edhe për një vajzë (d.m.th. për edukimin e një vajze, – sh.p.), do të kishte thënë i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kjo vlen edhe për një vajzë.

Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush kujdeset dhe edukon dy vajza derisa ato të rriten, në Ditën e Gjykimit do të jemi unë dhe ai kështu – dhe bashkoi dy gishtat e tij-(d.m.th. së bashku, – sh.p.)”.

Edukimi i vajzave pra, ka një rëndësi të madhe, dhe është një vepër e cila të afron për te Allahu.

Gruaja muslimane ka ndikim të madh në jetën e çdo muslimani. Ajo është medreseja e parë në ndërtimin e një shoqërie të mirë, ajo është shtylla e ardhmërisë, ajo është gruaja e sinqertë, dhe nëna e mëshirshme dhe edukatorja e fëmijëve. Nëse vajza rritet me edukatë të mirë, e kapur për fe, dhe me sjellje të drejtë, me lejen e Allahut, ne garantojmë formimin e një familjeje muslimane, e cila do të nxjerr breza të hajrit, të forta në besim dhe devotshmëri. Ato vajza do të jenë burim i mirësisë dhe devotshmërisë, që ndërtojnë shoqëri dhe jo që e prishin, që krijojnë familje dhe jo që ikin nga ato, dhe që e përhapin mirësinë dhe dashurinë. Allahu thotë: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu”. (En-Nisa: 34)

Edukata e drejtë e vajzës kërkon bashkëpunim të fortë mes prindërve mes veti dhe po ashtu organizim ideologjik mes tyre, që ajo edukatë ta jep frytin e vet.

Themeli i parë në formimin e personalitetit të vajzës, është përqendrimi në dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mësimi i detyrimeve fetare, rritja e saj nga vegjëlia mbi parime fetare dhe mbi vlera fetare, dhe mbjelljen e gjithë këtyre parimeve tek ajo me bindje dhe edukatë. Po ashtu ajo që ndihmon në edukimin e shëndoshë dhe në formimin e ideologjisë së pastër, janë rrëfimet mbi nënat e besimtarëve, grave të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe rrëfimet mbi gratë e sahabëve, të cilat me edukatën e tyre ndërtuan breza madhështor.

Edukata e arrin vlerën e vet, atëherë kur nëna bëhet shembull për të bijën e vet, duke i nxjerr në vepra vlerat islame, me sjellje të mirë në ecjen e saj, veshjen e saj dhe moralin e saj. Në këtë rast e bija e pason të ëmën e vet dhe bëhet pamje e realët e nënës së saj në sjellje dhe moral.

Ajo që na bën të mërzitemi është shkujdesja e disa prindërve në edukimin e vajzave të tyre. Kjo vjen nga dobësimi i imanit, injoranca mbi vlerat islame, derisa vajzat e tyre ecin pa mbulesa, dhe me rroba të shkurtra, që i zbulojnë pjesët e turpshme të trupit.

Edukimi i vajzës mbi vlerën e turpit, është mbrojtës besnik i saj nga sprovat dhe mëkatet shkatërruese. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Turpi, i tëri është hajr dhe nuk vjen vetëm se me hajr”.

Fjala e mirë, dhe butësia, dhe urtësia janë mjete të rëndësishme në metodën e edukimit. Kur asaj i bashkëngjitet dashuria dhe mëshira e prindërve, e jep rezultatin e vet, dhe frytin e saj në përmisimin e sjelljes. Allahu thotë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin”. (Ibrahim: 24-25)

Vajza ka nevojë për udhëzime dhe këshilla. Zemrat janë të shkujdesura, zgjimi i tyre vjen me këshilla dhe rikujtim dhe rikujtimi i bën dobi besimtarëve. Kujdesu për të që të kapet për dispozitat e fesë në veshje, dhe mbulesë dhe çështjen e përzierjeve mes gjinive.

Ajo duhet të ushqehet me bazamente dhe botëkuptime të sakta, të cilat i ndihmojnë asaj që ta dallon të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e kota dhe të posedojë aftësi t’i zbulon dukuritë e trilluara dhe të gabuara.

Mungesa e dashurisë dhe mëshirës, mungesa e dialogut të qetë brenda anëtarëve të familjes, e bën vajzën që të kërkon përgjigjen e pyetjeve të saj jashtë rrethit familjar. Kjo e bën të jetë viktimë e lehtë e shoqërisë së keqe. Kjo kërkon ngjalljen e ndejave familjare, dhe dialogut mes prindërve dhe vajzës dhe po ashtu përhapjen e ndjenjave të dashurisë, dhe mëshirës, dhe respektit brenda mureve të shtëpisë.

Koha e lirë është problem shumë i madh për jetën e vajzës. Plotësimi i kohës së lirë me gjëra të dobishme është mburojë për të, si, leximi i Kur’anit, nxënia e tij përmendësh dhe meditimi i tij, mësimi i dispozitave që kanë të bëjnë me gratë, zgjerimi i diapazonit të kulturës dhe edukatës së dobishme, marrja me aktivitete të dobishme, etj.

Shoqërimi i nënës nga vajza, e forcon personalitetin e saj, dhe ajo i bëhet udhërrëfyes i saj në jetë, dhe i shton biografisë së saj mësime të dobishme.

Zgjedhja e shoqes së mirë është çështje e rëndësishme. Shoqëria ka ndikim të madh në sjelljen, dhe ideologjinë dhe kulturën e personalitetit. Shoqet e liga ia dëmtojnë edhe dynjanë dhe ahiretin. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të vet. Për këtë arsye secili nga jush se kë e shoqëroni”.

Problemet mes prindërve, ndarja me burrit dhe gruas, prishja e raporteve mes tyre, e bën që vajza të bëhet e ftohët dhe me sjellje jo të mira.

Vonimi i martesës është sebep i shumë dëmeve morale, dhe shoqërore dhe shpirtërore. Pengesa e saj nga martesa për qëllime të dynjasë, është krim mbi të dhe mbi shoqërinë. Allahu thotë: “mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre”. (El-Bekare 232)

Rreziku më i madh që i kanoset edukimit të vajzave është prezenca e kanaleve satelitore dhe e rrjeteve sociale në internet nëpër shtëpi. Ato e shkatërrojnë çdo vlerë, dhe e luftojnë fenë dhe mirësinë, dhe nxisin në imoralitet dhe në degjenerim. Largimi nga ato është ajo më e mira, edhe pse ndoshta në to ka ndonjë dobi.

Vajza muslimane e ditëve të sotme ballafaqohet me armiqtë e fesë në të gjitha sferat. Ata tentojnë që ta largojnë nga ajo turpin dhe nderin, fenë dhe moralin, ngase me shkatërrimin e vajzës muslimane, shkatërrohet edhe gruaja muslimane dhe nëna muslimane, brezat e muslimanëve dhe shoqëritë e muslimanëve.

Jemi të detyruar të përkujdesemi për to nga çdo armik i saj dhe nga çdo ideologji që e dëmton në fe dhe moral dhe nga ajo kërkohet të mbrohet me gjitha mundësitë që i posedon.

Gjurmët e lutjes dhe ndikimi i saj janë të mëdha. Prindërit duhet ta shfrytëzojnë këtë armë të fortë, që Allahu fëmijët e tyre t’i ruan dhe përmirëson, dhe kënaqësi të syve të tyre t’i bën. Duaja e prindit për fëmijën e vet është e pranuar. Allahu thotë: “edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (El-Furkan: 74)

Shejh Dr. Abdulbarij Thubejt

Nga arabishtja: Irfan JAHIU