Ekstrakti B2G2 i farave të rrushit, efektiv kundër qelizave të kancerit

Një studim i Qendrës për Kancer në Universitetin e Kolorados i publikuar online para se të botohej në revistën “Nutrition and Cancer”, përshkruan sintezën laboratorike të komponentit më aktiv të ekstraktit të farës së rrushit, B2G2, dhe tregon se ky kompleks i sintetizuar shkakton vdekjen e qelizave të njohur si apoptoza në qelizat e kancerit të prostatës duke i lënë ndërkohë qelizat e shëndosha të padëmtuara.

“Kemi treguar aktivitet të ngjashëm anti-kancerogjen në të kaluarën me ekstraktin e farave të rrushit (GSE), por tani e dimë se B2G2 është përbërësi i tij më aktiv biologjikisht i cili mund të sintetizohet në sasi që do të na lejojë ta studiojmë mekanizmin e detajuar të vdekjes në qelizat e kancerit,” thotë Alpna Tyagi nga universitetit i Kolorados Skaggs School of Pharmacy and Pharmaceutical Sciences. Tyagi punon në laboratorin e hulumtuesit të CU Cancer Center dhe anëtarin e fakultetit Skaggs School of Pharmacy, Chapla Agarwal.

Grupi ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke demonstruar aktivitetin antikancerogjen të GSE në kushte laboratorike të kontrolluara. Për shembull, studimet e mëparshme kanë treguar efektivitetin e GSE-së kundër qelizave të kancerit dhe kanë treguar edhe mekanizmin e tij të veprimit. “Por, deri kohët e fundit, nuk e kemi ditur se cili përbërës i GSE-së e ka krijuar këtë efekt. Ky kompleks natyral, GSE, është një përzierje komplekse e polifenoleve dhe gjithashtu deri tani ka qenë e paqartë për përbërësit biologjikisht aktivë të GSE kundër qelizave të kancerit”, thotë Tyagi.

Përfundimisht, grupi e definoi B2G2 si komponentin më aktiv, por, “ai është i shtrenjtë dhe nevojitet një kohë e gjatë për ta izoluar B2G2 nga ekstrakti i farës së rrushit”, thotë Tyagi.

Ky shpenzim i cili lidhet me izolimin e B2G2 e ka kufizuar eksplorimin e mëtejshëm të grupit. Prandaj, në vend të pastrimit të B2G2 nga GSE, grupi vendosi ta sintetizojë atë në laborator. Studimi i tanishëm raporton suksesin e kësaj përpjekjeje, duke përfshirë aftësinë për ta sintetizuar gram-sasinë e B2G2 mjaft shpejt dhe pakushtueshëm.

Në gjysmën e dytë të punimit, grupi tregon aktivitetin antikancerogjen të B2G2 së sintetizuar, ngjashëm në mekanizëm dhe shkallë me efektivitetin e përgjithshëm të GSE.

“Qëllimi ynë gjatë gjithë kohës ka qenë një testim klinik i kompozimeve biologjikisht aktivë nga GSE kundër kancerit të njeriut. Por është e vështirë të merret miratimi i FDA për një test në të cilin nuk i dimë mekanizmat dhe efektet e mundshme të të gjithë komponentëve aktiv. Prandaj, izolimi dhe sintetizimi i B2G2 është një hap i rëndësishëm, sepse tani e kemi mundësinë për të kryer më shumë eksperimente me kompleksin e pastër. Puna e vazhdueshme në laborator rrit më tej të kuptuarit tonë të mekanizmit të veprimit të B2G2 që do të ndihmojë për studimet paraklinike dhe klinike në të ardhmen”, thotë Tyagi.