Rtv Pendimi

“Ende mbetet shumë për t’u bërë për personat me aftësi të kufizuara”

Është bërë shumë pak për ta bërë jetën më të lehtë për personat me aftësi të kufizuara dhe ata shpesh janë kategoria më e diskriminuar e popullatës në Kosovë, u tha sot në një seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për nder të 3 Dhjetorit – Ditës për Personat me Aftësi të Kufizuara, morën pjesë edhe disa persona me aftësi të kufizuara, ndërsa të gjitha fjalimet u përkthyen edhe me gjuhën e shenjave për persona të shurdhër dhe memecë.

Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, tha se 3 dhjetori është ditë për të kuptuar sa është dëshmuar e gatshme shoqëria kosovare për të përfshirë këtë kategori në të gjitha organizimet në vend.

Osmani tha se Kosova ka bërë jashtëzakonisht pak në garantimin e një jetë të dinjitetshme për këta persona.

“Mesazhi i qartë për të gjithë ne këtu është që kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht shumë pak për t’u garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë, dhe ndryshe nga çdo komunitet tjetër, aftësia e kufizuar tejkalon të gjitha identitetet, gjininë, racën, klasën socio-ekonomike, fenë, kombësinë, çdo çështje”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, ky vit për shkak të pandemisë ka vështirësuar edhe më shumë jetën e kësaj kategorie duke u përballur me sfida të qasjes në kujdesin shëndetësor, në arsim dhe në vende të punës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ende mbetet shumë për t’u bërë në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Zemaj tha se për herë të parë planifikohet që pajisjet që shërbejnë për lëvizje, për këtë kategori, të mbulohen nga buxheti i shtetit, ku me këtë rast përmendi draft-udhëzimin që ka hartuar Ministria e Shëndetësisë, për përcaktimin e listës dhe llojet e pajisjeve falas për këtë kategori.

Sipas tij, shumë shpejt i njëjti draft-udhëzim do të shkojë për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

“Për herë të parë planifikohet që për këtë kategori të qytetarëve tanë të Kosovës pajisjet që shërbejnë për lëvizje, parandalim e asistim të mbulohen nga shteti, përmes buxhetit të Republikës së Kosovës. Ju njoftoj se bazuar në legjislacionin në fuqi, të gjithë qytetarët që e kanë statusin e personit me aftësi të kufizuar lirohen nga participimet me pagesë në institucionet shëndetësore publike, në të gjitha nivelet për shërbimet që marrin”, ka thënë Zemaj.

Deputeti Fetah Rudi, i cili vetë i përket kategorisë së personave me aftësi të kufizuara dhe i cili ishte iniciatori i debatit të sotëm, përmendi faktin se për një vit ai u ngjit në sallën plenare me ndihmën e zyrtarëve të kuvendit, sepse kuvendi nuk i siguroi qasje të lehtë në objekt.

Megjithatë, tani në Kuvend po përfundon puna e vendosjes së ashensorit për qasje për përdoruesit e karrocave, për në hapësirat e sallës ku mbahen seancat plenare.

“Një falënderim të veçantë e kam për të gjithë ata zyrtarë e punëtorë që për një vit rresht më bartën shkallëve për të ardhur në Kuvend. Vendosja e këtij lifti po bëhet për mua por do t’i shërbejë kuvendit dhe personave me aftësi të kufizuar që në legjislaturat e ardhshme do të jenë deputetë, kryetarë kuvendi, presidentë, kryeministra e ministra. Nga mungesa e deritanishme e këtij lifti mësuam se kuvendi duhet t’i rishikojë ligjet për t’i hequr burokracitë ligjore”, tha ai.

Edhe pse zyrtarisht nuk ka të dhëna të sakta, në Kosovë llogaritet se jetojnë 250 mijë persona me aftësi të kufizuara, apo 10 për qind e popullatës së përgjithshme.

TË NGJAJSHME