Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ku u diskutua për luftën në Ukrainë, vazhdimin e negociatave të paqes dhe rëndësinë e krijimit të korridoreve të sigurta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, presidenti Erdoğan i ka thënë homologut të tij ukrainas se Turqia ka bërë çdo përpjekje për të vazhduar negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë dhe është e gatshme të ofrojë më shumë mbështetje, duke përfshirë ndërmjetësimin.
Erdoğan tha gjithashtu se vendi i tij i kushton rëndësi të veçantë krijimit të një korridori të sigurt për eksportimin e produkteve bujqësore të Ukrainës nga deti.
Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Rusia ndërpreu fluksin e eksporteve të Ukrainës duke bllokuar Detin e Zi. Ndalimi i eksporteve ka çuar në çmime më të larta të ushqimeve në mbarë botën dhe ka shkaktuar frikë për mungesë të mundshme.
Sa i përket krijimit të mundshëm të një qendre monitorimi për Ukrainën që do të jetë me qendër në Stamboll, Erdoğan tha se Turqia ka një pikëpamje pozitive për të marrë pjesë në një mekanizëm të tillë me pjesëmarrjen e Ukrainës, Rusisë dhe OKB-së.
Takimi i parë dhe i fundit i nivelit të lartë që nga fillimi i luftës i ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë u zhvillua më 10 mars në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë, ndërsa më 29 mars, negociatorët nga të dy vendet u takuan në Stamboll.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 4.000 civilë janë vrarë dhe rreth 5.000 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, mbi 6,7 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit.