Turqia është e gatshme të mirëpresë një samit të liderëve rus dhe ukrainas për të zbutur tensionet aktuale, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për gazetarët gjatë kthimit nga Ukraina, ku ai ishte për vizitë zyrtare njëditore, Erdoğan tha se është gati t’i sjellë së bashku në tryezë presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në lidhje me vizitën e tij në Kiev, Erdoğan tha se ai përsëriti mbështetjen e Turqisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Tensioni midis Rusisë dhe Ukrainës po rritet, për fat të keq…ne jemi të gatshëm të japim kontributin e nevojshëm për të ulur tensionin”, tha ai, duke shtuar se homologu i tij ukrainas është gjithashtu i gatshëm të bëjë pjesën e tij në këtë drejtim.
Ukraina dhe Rusia janë përfshirë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë.
Rusia gjithashtu ka grumbulluar kohët e fundit dhjetëra mijëra trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
Moska ka mohuar se po përgatitet për invazion, duke thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje.
Presidenti turk tha se ai beson se “përshkallëzimi i çështjes midis Ukrainës dhe Rusisë nga mediat ndërkombëtare do të bënte më shumë dëm sesa dobi”, dhe se është me rëndësi të madhe “të sillemi me ndjeshmëri të përpiktë”.
Duke kritikuar liderët perëndimorë, Erdoğan tha se ata nuk kanë kontribuar ende në një zgjidhje paqësore.
“Aktualisht ka një krizë lidershipi në Evropë. Më parë (ish-kancelarja gjermane Angela) Merkel mori rolin udhëheqës në çështje të rëndësishme, por ne nuk mund të shohim nisma të tilla tani…nuk ka nevojë të përmendim të tjerë (liderë evropianë)”, shtoi ai.
Erdoğan tha se presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu dështoi të shfaqë një këndvështrim pozitiv mbi situatën dhe se takimet midis kryediplomatëve amerikan dhe rus ende nuk e kanë zgjidhur çështjen.
“Shpresojmë që pas takimit me z.Putin, nëse do të na caktohet një rol ndërmjetësues, ne do të përfshihemi dhe do të përpiqemi të bëjmë pjesën tonë”, tha presidenti i Turqisë.