Komisioni Etiopian për të Drejtat e Njeriut (EHRC) ka njoftuar se të paktën 30 refugjatë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në rajonin Gambella të Etiopisë dhe ka bërë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të ndihmës ushqimore të nevojshme për të gjitha komunitetet e refugjatëve, raporton Anadolu.
Në këtë rajon janë strehuar rreth 400 mijë refugjatë deri në fund të gushtit, ndërkaq ndihmat ushqimore u ndërprenë pjesërisht që nga maji, ndërsa ndihma nuk janë dërguar edhe në kampet tjera që nga qershori i këtij viti.
Sipas njoftimit të djeshëm të EHRC-së, refugjatët vdiqën nga uria dhe kequshqyerja si dhe nga sulmet teksa lanë kampet e tyre në kërkim të ushqimit.
Grupi i të drejtave është një organ i pavarur federal i ngarkuar me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut që i raporton parlamentit federal.
Komisioni tha se zbuloi se pezullimi i ndihmës ushqimore kontribuoi në vdekjet e lidhura me urinë dhe kërcënoi të destabilizonte marrëdhëniet tashmë të brishta të refugjatëve dhe komunitetit pritës.
Shërbimi për Refugjatët dhe të Kthyerit (RRS) i qeverisë federale raportoi gjithashtu vdekje nga uria dhe që lidhen me urinë pas pezullimit të ndihmës ushqimore në maj dhe po punon ngushtë me agjencitë përkatëse të OKB-së dhe partnerët humanitar për të adresuar situatën dhe për rifillimin e shpërndarjes së ushqimit për refugjatët sa më shpejt të jetë e mundshme.
Gjithashtu theksohet se konflikti i armatosur në rajonin Amhara, i cili është intensifikuar që nga gushti dhe ardhja e vazhdueshme e refugjatëve nga vendet fqinje në rajonet Amhara, Benishangul-Gumuz, Gambella dhe Somali, ka kontribuar në rritjen e mëtejshme të konsiderueshme të nevojave humanitare.
Komisioni u kërkoi faktorëve etiopianë dhe humanitar, në veçanti Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (UNWFP), të sigurojnë “përfundimin e shpejtë të përpjekjeve të vazhdueshme të koordinimit, mobilizimit të burimeve dhe masave administrative që lidhen me lejimin e rifillimit të menjëhershëm të ndihmës ushqimore të nevojshme për të gjitha komunitetet e refugjatëve”.
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Etiopi, ndërprerja e ndihmës ushqimore në Etiopi është evidente që nga qershori dhe fillimisht që nga prilli në rajonin Tigray derisa të vendosen masa që mund të sigurojnë shpërndarje efektive.
Por operacionet humanitare, sipas OKB-së, po rifillojnë gradualisht në rajonin Amhara pas një ndërprerje të disa aktiviteteve në muajin gusht.