Ezani nuk është zhurmë dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë

Feja, padyshim se ka një vend të posaçëm në zemrat e njerëzve. Edhe tash, kur ka përpjekje nga individë, grupe, rrjete dhe qarqe të caktuara për ta minimizuar rolin e saj, prapë kjo e fundit ngel në pozitën më të lartë.

Feja është e Zotit, ndaj mësimet e saj nuk janë fjalë të njerëzve. Për këtë, mposhtja e saj është e pamundur. E pamundur, në kuptimin e mposhtjes së vërtetësisë, origjinalitetit dhe saktësisë se saj me forcën e fakteve dhe argumenteve, por jo edhe me forcën fizike-të dhunës. Feja është mësuar të ballafaqohet me probleme të shumta, me barriera e pengesa, të cilat, ndonjëherë kanë qenë aq të mëdha saqë janë menduar se janë të pakapërcyeshme, por Zoti ka dashur dhe janë tejkaluar. Feja mund të sfidohet por assesi nuk mposhtet.

 

Komunizmi ishte gati ta shpallë veten për zot, por përfundoi në koshin e plehrave të historisë. Me përfundimin e komunizmit kemi menduar se edhe lufta kundër fesë ka përfunduar, bile ne mendonim se posa ta fitojmë pavarësinë e ta formojmë shtetin tonë, do t’i gëzojmë të gjitha të drejtat, secili ashtu siç do, natyrisht pa i shkelur të drejtat e askujt dhe pa dëmtuar askënd. Por për fat të keq nuk na doli ashtu, po na del se kjo fe, pra Islami, meqë për të tjerat as që guxojnë të flasin, ka armiq të shumtë, dushmanë të shumtë, pavarësisht se në çfarë petku vishen apo çfarë qëllimi kanë. Një gjë është shumë e vërtetë se ata po mundohen ta mposhtin fenë Islame, por nuk kam fare dyshim se edhe këta do të përfundojnë ashtu siç përfunduan komunistët, e ndoshta edhe më keq.

Nuk është përpjekja për ndalimin e ezanit tjetër pos një hallkë nga hallkat e zinxhirit të sfidave të shumta që po i bëhen Islamit dhe muslimanëve në këtë vend të banuar kryesisht me muslimanë. Natyrisht, në pamundësi për të dalë haptazi kundër ezanit, disa qeveritarë tanë ‘të moderuar’ po e konsiderojnë atë si zhurmë, e cila kinse po i penguaka njerëzit. E kësaj i thonë: jo buka por kulaçi, siç thotë populli ynë.

A mendon ministri në fjalë se ne nuk i kuptojmë qëllimet e tija tendencioze dhe anti-islame? Jo ministër, jo! Mos i vër vetes siklet se neve nuk mundesh të na i shesësh këto lojëra, ne të njohim mirë, qe besa dhe e dimë se ti vjell vrer kundër Islamit, shumë madje. Ndaj dëshiron t’i shfrytëzosh edhe këta pak muaj që të kanë mbetur nga pushteti për ta luftuar këtë fe madhështore, se më kurrë, me lejen e Zotit, nuk do të kesh pushtet. Mos harro se çka të bësh e ke për vete, Zoti është i Madh, Ai do të të hakmerret, në një formë ose tjetër. Jo vetëm nga ti, por edhe nga ata deputetët të cilët i çuan gishtat kundër ezanit, ashtu siç i patën çuar para dy vitesh kundër shamisë. Nuk ua harrojmë as atyre e as ty, vjen koha e zgjedhjeve e do ta shohim. E mbi të gjitha, Zoti iu sheh të gjithëve.

Meqë jemi tek deputetët, ashtu siç shpreh indinjatën time të thellë ndaj atyre që votuan që ezani të trajtohet si zhurmë, po ashtu shpreh falënderimin tim të skajshëm për të gjithë deputetët dhe deputetet që votuan kundër këtij projektligji, jo për faktin se nuk duhet ndaluar zhurma, por për faktin se Ezani nuk është zhurmë, nuk duhet të trajtohet si i tillë dhe nuk bën të politizohet. Kësaj radhe një falënderim të veçantë shumicës së deputetëve të LDK-ës të cilët kësaj radhe qëndruan si burrat duke kundërshtuar këtë projektligj, e bashkë me ta edhe disa deputetë tjerë, si ata të PD-së, pastaj AKR-së, etj.

Meqë jemi te ezani, duam të bëjmë me dije të gjithë atyre që nuk e dinë, apo bëhen kinse nuk e dinë, se ezani gjithmonë ka qenë, atë kurrë askush nuk e ka ndalur, ashtu siç nuk janë ndaluar kambanat e kishave. Ky vend ka pasur shumë pushtues, por kurrë kush nuk e ka trajtuar atë si zhurmë që pengon njerëzit, bile ka pasur përplot serbë e malazezë, komunistë e ateistë, të cilët nuk e kanë dashur xhaminë e as ezanin, ndaj edhe pse ezani ka mundur ta shqetësojë ndonjërin prej tyre, megjithatë, kurrë nuk kanë tentuar ta ndalojnë atë. Nga ky këndvështrim, edhe sot e kësaj dite të gjithë pjesëtarët e SLS-së votuan kundër këtij projektligji, ndaj a nuk mendojnë votuesit pro të këtij projektligji, a nuk kanë pak turp. Kjo për shkak se ata e dinë shumë mirë se ezani dhe kambanat janë simbol i identifikimit fetar të kësaj shoqërie dhe vendi.

Ezani paralajmëron se aty ka muslimanë. Ezani nuk është nga njeriu, ai është porosi nga i madhi Zot dhe që nga dita e parë kur u thirr në Medinë, para 1435 vitesh, ai kurrë nuk u ndal. Atë nuk e ndalën as shtetet më komuniste, madje as nazi-fashizmi, megjithatë, renegatët muslimanë në stil të Ataturkut dhe diktatorit Enver Hoxha po përpiqen edhe sot të kthejnë kohën prapa. Andaj, çfarë kuptimi ka konsiderimi i ezanit si zhurmë duke pasur në konsideratë se ai përmban fjalë kuptimplote përderisa kishat, e të gjitha fraksioneve, kumbojnë lirshëm dhe askush as që guxon të mendojë rreth zhurmës së tyre. Në këtë kohë, kur po gënjejmë vetveten se jemi të barabartë, se të drejtat e njeriut janë të garantuara, përpiqemi me çdo kusht t’u garantojmë të drejtat pakicave ndërsa shumicën e luftojmë sheshazi. A thua vallë çfarë dallimi ka në mes të diktaturës se dikurshme dhe asaj aktuale nëse ndërmerren të njëjtat veprime vetëm se në emër të një sistemi tjetër. Madje shkeljet e të drejtave fetare, lirisë së plotë të manifestimit të fesë, në këtë kohë kur vendin e kanë kapluar probleme nga më të ndryshmet, secili më i madh se tjetri, e pushtetarët në vend se të merren më ato probleme ata zhvendosin vëmendje duke tentuar të na ndalin ezanin. Flasin se feja nuk bën të politizohet, prijësit fetarë nuk bënë të merren me politikë, ndërsa anë anën tjetër ata vet e politizojnë fenë dhe në emër të saj mundohen të fitojnë karrierën e tyre tashmë të humbur. Andaj konsideroj se kjo që po ndodh tek ne në lidhje me ezanin është skandaloze dhe turp i shekullit 21.

Duke pasur parasysh atë që u cekë më lart dhe duke pasur në konsideratë se ezani është i shenjtë për muslimanët, se loja me të është lojë me identitetin e tyre, se të drejtat për ta praktikuar fenë lirshëm janë të garantuara me kushtetutën e këtij vendi, konsiderojmë se ky projektligj duhet anuluar apo modifikuar për dy arsye:

1. Ezani nuk duhet futur në këtë ligj, pasi që ai nuk është zhurmë, as ndotje akustike, e as i dëmshëm apo i padëshiruar për masën.

2. Objektet fetare respektivisht liria e manifestimit të fesë, zbatimi i ritualeve fetare, duhet të rregullohen me ligj të veçantë, sikur që është ligji mbi liritë fetare. Ezani është pjesë e riteve, pra e faljes-namazit.

Përveç kësaj, nga parlamentarët dhe komisioni përkatës kërkojmë që të jenë të mëshirshëm ndaj popullit që i ka zgjedhur, t’i mëshirojnë njerëzit në tokë ashtu që të mëshirohen nga Ai që është në qiell, siç ka thënë Muhamedi alejhi selam. Allahu e drejtoftë këtë popull e këtë qeveri, na e përmirësoftë shoqërinë dhe gjendjen tonë në përgjithësi. Amin, e deri në javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.