Facebook planifikon të bashkojë mesazhet nga WhatsApp, Instagram dhe Messenger

Rrjeti social Facebook planifikon të bëjë bashkë aplikacionet Instagram, WhatsApp, dhe Facebook Messenger, që shërbejnë për dërgimin e mesazheve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç shkruan New York Times, Facebook planifikon të integrojë shërbimet e mesazheve WhatsApp, Instagram dhe Messenger.

Gazeta në fjalë thotë se është një ide personale e themeluesit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, ndërsa aplikacionet e integruara do të mundësojnë që përdoruesi i Facebook-ut, të mund të komunikojnë me dikë që ka llogari vetëm në WhatsApp.

Kjo është ende e pamundur nga shkaku se këto aplikacione nuk kanë një kod burimi të përbashkët.

Megjithatë, kompania Facebook thotë se tashmë ka filluar punën në integrimin e tre elementeve, për të shtuar se projekti pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019 ose në fillim të vitit të ardhshëm.

“Dëshirojmë të bëjmë më të mirën të mundshme për sa i përket këmbimit të mesazheve pasi vetë njerëzit dëshirojnë këmbim të shpejtë, të thjeshtë, të besueshëm dhe privat”, thuhet në njoftimin e Facebook-ut.