Farkëtimi i Egos

Egoja e njeriut është një botë ku jeton dëshira, pasioni, dashuria, refuzimi dhe të gjitha cilësitë e njeriut. Të gjitha cilësitë që përfshin kjo botë janë të prirura të anojnë midis hyjnores dhe djallëzores. Uni nuk është i keq në mënyrë absolute siç mendohet, nuk është diçka që duhet mallkuar, përkundrazi, ai mund të bëhet mjet për të përjetuar miraxhin, nëse edukohet me edukatën hyjnore. Ai është i paprekshëm dhe i padukshëm, por e ndjejmë ekzistencën e tij sa herë që përjetojmë një dëshirë, një frikë, një urrejtje dhe një dashuri. Egoja nuk duhet vrarë, sepse një gjë e tillë nënkupton eliminimin e dinamizmit të brendshëm të njeriut. Nefsi në asnjë mënyrë nuk duhet të humbasë entuziazmin për t’u ngjitur në miraxh. Për të marrë rrugën drejt hyjnores, është i nevojshëm entuziazmi i nefsit Shehadeti duhet shprehur me dashuri, emocion dhe entuziazëm. Artikulimi me gojë i shehadetit duhet të shoqërohet si një kor nga çdo qelizë e organizmit të njeriut. Zemra jonë duhet të dridhet kur të dëgjojë fjalën “Allah”. Uni ynë duhet të pushtohet nga entuziazmi kur shikohen, dëgjohen apo lexohen shenjat e Krijuesit në veten tonë, në univers dhe në fjalën e Tij të shkruar. Së pari duhen thyer të gjithë idhujt e jashtëm, pastaj duhen fshirë ata që gjenden brenda nesh. Pra, për të shpëtuar nefsin, duhet të bëhemi si Ibrahimi (a.s.). Si duhet edukuar që të bëhemi si Ibrahimi? Edukimi është një proces që i ngjan procesit të farkëtimit, prej të cilit përpunohet një metal, pastrohet dhe i jepet forma e caktuar duke e nxehur në farkë, duke e rrahur me çekiç etj. Edukimi i ngjason procesit të rafinimit, në të cilin pastrohet një lëndë nga pjesët e huaja, duke u përpunuar në mënyrë të posaçme, duke i hequr përzierjet e tjera dhe duke e bërë të kulluar e të pastër. Duhet të jemi vigjilentë dhe të forcojmë imunitetin e nefsit kundrejt sëmundjeve, si mendjemadhësia, mburrja, vetëpëlqimi, zilia, koprracia etj. Zemra duhet selitur me dhikër, sepse vetëm përmes dhikrit mund të mbajmë një kanal të hapur jashtë ndikimit të shejtanit midis nefsit dhe zemrës. Në kohën në të cilën jetojmë, i duhet dhënë një rëndësi e madhe pastrimit shpirtëror. Duhet të krijojmë të gjitha mekanizmat mbrojtës për të ruajtur nefsin nga sulmet e shejtanit.