Rtv Pendimi

Fatkeqësi migrantësh në Detin Mesdhe, 170 të vdekur ose të zhdukur

Auto Draft

Të paktën 170 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur në dy fatkeqësi të migrantëve mbrëmë në Detin Mesdhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga organizatat joqeveritare, si pasojë e përmbysjes së një skafi në Detin Alboran mes Spanjës dhe Marokut, kanë humbur jetën 53 persona, bëri të ditur Komisioni i Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në një deklaratë me shkrim.

Një person i cili është shpëtuar nga ana e një varke peshkimi pas bllokimit për 24 orë në det, është marrë në trajtim mjekësor në Marok. Theksohet se aktivitetet e fundit të kërkimit nga ana e anijeve të shpëtimit nga Maroku dhe Spanja nuk kanë dhënë rezultat në gjetjen e skafit.

“Nuk mund të lejojmë që të vazhdojë tragjedia në Detin Mesdhe. Nuk mund të injorojmë vdekjen e shumë njerëzve para derës së Evropës”, është shprehur Filippo Grandi, komisioneri i UNHCR-së, në lidhje me aksidentin më të madh të vitit të ri në Detin Mesdhe me migrantët të parregullt.

Ai theksoi se duhet dhënë çdo përpjekje për shpëtimin e migrantëve të parregullt.

– Fatkeqësi tjetër në Detin Mesdhe

Në një aksident tjetër të cilën e ka raportuar marina italiane në Detin Mesdhe, është njoftuar se kanë humbur jetën ose janë zhdukur 117 migrantë të parregullt. Ndërkaq, tre persona janë dërguar në ishullin Lampedusa për t’u trajtuar.

“Tre persona të shpëtuar të cilët gjenden në Lampedusa na treguan se në skaf kanë qenë 120 persona. Ato njoftuan se pasi kanë udhëtuar 11 orë në det, skafi ka filluar të fundoset, ndërsa personat në të kanë filluar të mbyten. Kanë pritur tri orë në det që dikush t’i shpëtojë. Ndër 117 personat e zhdukur gjenden dhjetë gra, prej të cilave një shtatzënë, si dhe dy fëmijë, përfshirë një foshnjë”, ka theksuar zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM) në Itali, Flavio Di Giacomo,.

Ai gjithashtu tha se tre migrantët e parregullt kanë theksuar se “Më mirë të vdesim sesa të kthehemi në Libi”.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, në vitin 2018, 2.262 migrantë të parregullt në përpjekje për të arritur në Evropë kanë humbur jetën në ujërat e Detit Mesdhe.

– Turqia shpreh ngushëllime për fatkeqësinë

Ndërkohë, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, shprehu ngushëllime në lidhje me përmbysjen e anijes me migrantë të parregullt në ujërat e Libisë në Detin Mesdhe.

“Si pasojë e fundosjes së një skafi të migrantëve në ujërat e Libisë, kanë humbur jetën 117 persona. Lus Zotin t’i mëshirojë të vdekurit. Sistemi ndërkombëtar i cili mbetet i heshtur dhe nuk zgjidh dramën që nuk përfundon, është fytyra moderne e barbarizmit”, ka shkruar Kalın në Twitter.

TË NGJAJSHME