FEJA E VËRTETË TEK ALLAHU ËSHTË VETËM ISLAMI

Njerëzit për të arritur deri te lumturia e dynjasë dhe për t’i njohur rrugët që çojnë deri te ajo kapen për shkolla ideologjike të ndryshme dhe i përkrahin ato! Njeriu i mençur s’ka nevojë të kapet për asnjërën nga to, sepse ai e di se, për të arritur deri të lumturia ekziston vetëm se një rrugë, e ajo është të kënaqurit e Allahut dhe të kapurit për fenë e Tij!

Feja e vërtetë tek Allahu është Islami dhe nuk pranon fe tjetër nga krijesat e Tij. Tek Allahu nuk ka pasur fe tjetër të pranuar përpos Islamit dhe nuk do të ketë kurrë e asnjëherë fe tjetër: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”. (Ali Imran: 19)

Allahu e bëri Islamin fe të gjithë pejgamberëve dhe të ithtarëve të tyre. Pejgamberi i parë, Nuhi, alejhi selam, tha: ”Por, nëse ktheni shpinën, (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nështrohen (Atij).” (Junus: 72)

Miku i Allahut, Ibrahimi, alejhi selam, dhe i biri i vet, Ismaili, alejhi selam, thanë: ”O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!”. (El-Bekare: 128)

“Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanëtë nënshtruar ndaj Atij!”. (El-Bekare: 132)

Musa, alejhi selam, tha: ”O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni muslimanë!”. (Junus 84)

Allahu i Madhëruar për Isën, alejhi selam, tha: “Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij)”. (Ali Imran: 52)

Mbretëresha e Shebës tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!”. (En-Neml: 44)

Islami është feja të cilën e zgjodhi Allahu për robërit e Tij: ”Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”. (El-Maide 3)

Allahu lajmëroi për premtimin e Tij, dhe Allahu premtimin e Tij nuk e thyen, se kjo fe do të lartësohet mbi të gjitha fetë tjera: “(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kur’anin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë”. (Et-Teube: 33)

Nuk ka begati e as thesar më të çmuar sesa feja që Allahu e zgjodhi për krijesat e Tij e bëri rrugë që të arrihet deri tek Ai dhe e bëri rrugë të vetme për t’i arritur gradat e krenarisë, e fuqisë, ndihmës dhe përkrahjes! Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, ka thënë: ”Përgëzoje këtë Umet me pozitën e lartë, me fenë, me lartësimin, me fitore dhe pushtetin në Tokë. Kush bën vepra të ahiretit për dynjanë, në ahiret nuk do të ketë asgjë”.

Dhe po ashtu ka thënë: ”Allahu ma mblodhi tokën dhe ma afroj, e pashë lindjen dhe perëndimin e saj, padyshim sundimi i Umetit tim do të arrijë në gjithë atë që më është afruar”.

Me Islam nënkuptojmë nënshtrim, dhe dorëzim, dhe bindje ndaj urdhrave të Allahut dhe ndaj urdhrave të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Detyrohet çdo krijesë që çdo adhurim t’ia drejtojë me sinqeritet vetëm se Allahut dhe ta pasojë të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe të largohet nga idhujtaria dhe nga çdo gjë që çon deri te ajo, sepse idhujtaria është shkaku i rënies shpirtërore, e cila të çon deri në devijim dhe shkatërrim në dynja dhe ahiret! Allahu thotë: ”Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur”. (El-Haxh: 31) Kurse mëkati i cili nuk falet në ahiret, nëse njeriu vdes dhe nuk pendohet nga ai në dynja, është pikërisht shirku (idhujtaria): ”Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë”. (En-Nisa: 48)

Islami është fe e pastër që përputhet me natyrshmërinë e pastër të njeriut! Islami është feja që i liroi njerëzit nga barrët e rënda dhe nga vështirësitë që i kishin më herët, si mëshirë dhe bamirësi, prej anës së Allahut: “dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit”. (El-A’raf: 157)

Islami është fe që Allahu me të e themeloi sistemin shoqëror të ndërlidhur si bashkëlidhja në ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin, ashtu si erdhi në hadithin që e përcjell Numan ibën Beshir, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Shembulli i besimtarit në dashurinë, mëshirën dhe miqësinë që kanë mes tyre është si shembulli i trupit; kur lëngon një organ në të, lëngon i gjithë organizmi”.

Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Besimtari me besimtarin janë si ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin (dhe i lidhi gishtat e tij)”.

Islami është fe që Allahu me të i mbrojti shpirtrat, pasuritë, mendjet dhe nderin! E ndaloi vrasjen e një shpirti, të cilin e ndaloi Allahu vrasjen e tij, përveç se atëherë kur e jep feja! E bëri të ndaluar cenimin e nderit të ndokujt dhe e bëri të ndaluar përdorimin e çdo gjëje që e dëmton trurin dhe mendjen e njeriut, si, drogën, cigaren, alkoolin, etj.! E ndaloi ngrënien e pasurisë në të kotë, me të gjitha format dhe ngjyrat e saj dhe ia mbrojti çdo njeriu të drejtën e vet dhe ia qartësoi detyrimet e tij, caktoi ligje dhe rregulla, për t’i mbrojtur të drejtat e njerëzve dhe ia ngriti vlerën dhe ia mbrojti krenarinë!

Islami është fe që Allahu me të i ngriti bazat e drejtësisë në mesin e të gjitha krijesave, musliman apo jomusliman, arab apo joarab, të zi apo të bardhë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh, dhe e bëri që takvaja për Allahun të jetë baza e epërsisë mes tyre: ”O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë”. (El-Huxhurat: 13)

Në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kanë ardhur shumë përgëzime me përkrahje dhe ngritje dhe fitore për këtë fe; nga ato:

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: ”Unë jam dërguar me shprehjen e shkurtër, por që mbart kuptime të gjëra dhe më është dhuruar fitorja duke ia ndezur tmerrin armikut (armikut në zemër), ndërsa, duke qenë në gjumë, mu dhuruan dhe mu vunë në dorë çelësat e thesareve të botës”.

Muavije ibën Ebi Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur me të, në hutben e tij tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Një grup nga umeti im do të vazhdojnë, të pranuar, në urdhrin e Allahut. Ata s’do të dëmtohen nga ata që ua kthejnë shpinën apo nga ata që i kundërshtojnë, derisa të vijë urdhri i Allahut dhe ata të jenë fitimtarë ndaj njerëzve”.

Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, ka thënë: ”Përgëzoje këtë umet me pozitën e lartë, me fenë, me lartësimin, me fitore dhe pushtetin në Tokë”.

Këto janë përgëzime të bekuara që na lajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili, nuk flet prej hamendjes, po flet me shpallje prej anës së Allahut!

Shejh Usame ibën Abdullah Hajat