Fëmija ka kollë, si ta qetësojmë?

Kolla përbën një mekanizëm mbrojtës natyral, për lirimin e rrugët e frymëmarrjes nga ngacmime të ndryshme; të thjeshta (tymra, gazra, pluhura etj) ose problematike (infeksione, trupa të huaj etj). Dallojmë atë që quhet “kollë e njomë” dhe “kollë të thatë”, shkruan syri.net.

Kur fëmija ka kollë, si ta qetësojmë.

Mjeku këshillon disa masa të thjeshta që vlejnë për të gjitha tipet e kollës.

• Të pijë më tepër lëngje, sidomos të ngrohta.
• Lagështoni mjedisin me mjetet e mundshme.
• Lirojeni nga veshja e tepruar.
• Bëni avull me ujë (pa lëndë të tjera) ose me aparat.
• Për fëmijët mbi një vjeç, një filxhan qumësht të ngrohtë me një lugë mjaltë, 3 herë në ditë (jo për fëmijët nën një vjeç). Më të rriturve, një karamele me mente.
• Largojeni nga mjediset ngacmuese (ku pihet duhan, përdoret gaz për ngrohje) etj.
• Nëse mbas kollës vjell ushqimin, jepeni më shpesh dhe në sasi të vogël.

Po medikamente?

Mos u jepni shumë pas tyre, po nëse merrni vetë në farmaci, kërkojeni sipas tipit të kollës: për kollë të njomë, ose të thatë (mos u nisni nga emri, rëndësi ka përbërja). Asnjëherë antibiotikë pa u konsultuar me mjekun.

Kur duhet të lidhemi me mjekun?

Vizita duhet kryer sa më shpejt për fëmijët nën 2 muaj. Kolla shoqërohet me disa shenja të quajtura “shenjat e alarmit” si:

• Frymëmarrje shumë e shpeshtë, e vështirë dhe e zhurmshme
• Kollë lehëse
• Maviosje rreth buzëve
• Mospranimi i lëngjeve
• Sa herë dyshohet për trup të huaj

Cilat mund të jenë shkaqet?

Shkaqet janë të shumta, duke filluar nga mjedisi i shtëpisë. Nëse pihet duhan, atëherë në mënyrë pasive “pinë duhan” dhe fëmija. Shkak tjetër është gazi për ngrohje ose gatim etj. Ndikim kanë dhe gjendje emocionale të veçanta. Vend të rëndësishëm e shpesh problematic zenë alergjitë dhe infeksionet. Infeksionet më të zakonshme, nga viruset mandej nga mikrobet shkaktojnë mahisje të rrugëvë të frymëmarrjes, me rastet më të shumta gjatë stinëve të ftohta. Më të predispozuar janë fëmijët e moshës deri në 3-4 vjeç që frekuentojnë mjedise kolektive (çerdhe, kopshte etj). Kolla me sekrecione të shumta nga hundët, e ngjyrë të verdhë mund të shkaktohet edhe nga sinuziti.