Fëmijët që luajnë në telefona dhe tabletë flenë më pak

Fëmijët të cilët e kalojnë kohën duke luajtur me telefonat e mençur dhe tabletët flenë më pak se moshatarët e tyre, të cilët nuk e përdorin këtë lloj të teknologjisë, thonë shkencëtarët.

Studimi tregoi se çdo orë e kaluar para ekranit me prekje lidhet me një gjumë 15 minuta më të shkurtër, transmeton Koha.net.

Në studimin e Universitetit Birkbeck në Londër morën pjesë 715 prindër të fëmijëve nën tre vjeç. Atyre iu parashtruan pyetje në lidhje me atë se sa shpesh fëmija i tyre luan me ndonjë telefon të mençur ose tablet dhe për shprehitë që kanë të bëjnë me gjumin.

Rezultatet treguan se fëmijët që i përdorin telefonat e tyre fjetën më shumë gjatë ditës dhe më pak gjatë natës. Hulumtuesit konstatuan se çdo orë e përdorimit të ekranit me prekje e shkurtoi gjumin për 15 minuta.

“Kjo nuk është shumë kohë për dikë që fle 10-12 orë në ditë pa ndërprerë, por çdo minutë është e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës, sepse gjumi ka shumë avantazhe”, tha dr. Tim Smith.

Nga ana tjetër, studimi tregoi se fëmijët që i përdorin ekranet me prekje më shpejt i zhvillojnë aftësitë motorike.

“Këto të dhëna mund të jenë mashtruese, sepse shkenca është ende e papjekur, që është arsyeja se pse është shumë herët të jepen deklarata të tilla”, tha Smith, përcjell Koha.net.

Hulumtuesit sugjerojnë që prindërit duhet t’u caktojnë kufij fëmijëve, apo t’ua përcaktojnë se sa kohë duhet ta kalojnë duke e përdorur telefonin e mençur apo tabletin.