Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, sot, në ambientet e medresesë së mesme “Alauddin” në Prishtinë, ka filluar cikli i parë i trajnimeve fetaro-shkencore me imamë dhe profesorë. Para të pranishmëve ligjëroi dr. Hamed al Vuhejbi.
Fillimisht, mysafiri dr. Hamed al Vuhejbi u prit në takim nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava dhe nga drejtori i Medresesë, prof. Fadil ef. Hasani.
Dr. Hamed al Vuhejbi në ligjëratën e tij i vuri theks të veçantë tolerancës që promovon Islami, si dhe luftimit të ekstremizimit dhe radikalizmit. Ai foli gjithashtu edhe për çështjet bashkëkohore, të cilat preokupojnë myslimanët e sotshëm.
Ky cikël i trajnimeve do të vazhdojë edhe nesër, ku pas përfundimit të ligjëratave, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata.