Sot në Prishtinë ka filluar Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi 2019 ku profesionistë të fushës së shëndetësisë nga Turqia do të ndajnë përvoja me mjekët në Kosovë dhe anasjelltas, raporton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një konference për media në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), u bë e ditur se në kuadër të kësaj jave, një grup i mjekëve nga Turqia do të asistojnë në disa operime duke u ofruar këshilla mjekëve nga Kosova në fusha specifike.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se përmes kësaj jave, synohet përmirësimi i shërbimeve shëndetësore.
“Një mundësi si kjo na bën që reformat të jenë të prekshme dhe të jenë me përfitim si tek profesionistët shëndetësorë ashtu me përfitim edhe tek pacientët. Janë diku 26 persona të ndryshëm, profesionistë shëndetësorë të cilët vijnë sot. Ne do t’i shpërndajmë (profesionistët nga Turqia) në gjithë klinikat duke punuar për një javë me profesionistë shëndetësorë të Kosovës dhe kështu duke shkëmbyer përvoja”, tha Ismaili.
Përfaqësuesi i mjekëve nga Turqia, Arif Cetin ka thënë së në kuadër të një marrëveshjeje të mëhershme midis dy vendeve, do të dërgohen edhe 100 pacientë nga Kosova në Turqi për shërim dhe trajnim.
“Mes Turqisë dhe Kosovës ekziston marrëveshja në fushën e shëndetësisë e nënshkruar që nga viti 2009. Në kuadër të kësaj marrëveshje ndajmë përvoja. Ne këtu jemi në kuadër të marrëveshjes e cila i përfshin gjithashtu edhe trajnimet e stafit mjekësor, por edhe dërgimin e 100 pacientëve të Kosovës më Turqi për shërim dhe trajnim”, tha Cetin.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, i cili po ashtu ka marrë pjesë në këtë ngjarje, tha se Turqia me këtë, por edhe me projekte tjera po bën përpjekje të qëndrojë afër Kosovës.
Drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu tha se nga ky bashkëpunim më së shumti do të përfitojnë pacientët. Në konferencë u njoftua se mund të ketë kërkesë për zgjatjen edhe për disa ditë të Javës së Shëndetësisë nga stafi ose pacientët. Ky është viti i gjashtë me radhë që organizohet Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi.