Rtv Pendimi
Ilaçe për zemrën / Rukja Mirësjellja - Edukata fetare Probleme shpirtërore & shoqërore

FJALË NGA THESARET E DYNJASË (2)

  1. Sa i bukur që është ai lot, i cili pikon nga syri që qau nga frika e Allahut!
  2. Dyert e hallallit janë të shumta, pse atëherë ia ngushton vetes jetën dhe troket në derën e haramit?!
  3. Vdekja reale është ajo, kur ndalet zemra jote nga ndjenja e të bërit mëkat!
  4. Nuk përkujdesem për atë që është me mua në fillim, po përkujdesem për atë që është me mua gjithmonë, deri në fund, në fillim të gjithë janë të mrekullueshëm!
  5. Humbje e vërtetë është ta jetosh jetën tënde pa namaz!
  6. Ajo që është e jotja, do të vijë pavarësisht dobësisë sate dhe ajo që nuk është e jotja, nuk do ta arrish as me fuqinë tënde.
  7. Mirë është të jesh si deti, pamja jote e jashtme të jetë e qetë dhe e hijshme, kurse brendësia jote botë e thellë!
  8. Dita më e mirë është ajo ditë që në të nuk i bën gjynah Allahut!
  9. Mos e bëj mirësinë tënde libër që e shfletojnë të gjithë, ka njerëz që nuk meritojnë ta lexojnë asnjë shkronjë nga ai!
  10. Prej gabimit është që t’i rregullosh gjërat përreth dhe ta lësh kaosin në zemrën e tënde!
  11. Morali i mirë është dritë, e cila ta ndriçon çdo rrugë!
  12. Kur jep sadaka, ti nuk i humb të hollat, po ato ia dërgon vetvetes në një periudhë tjetër!
  13. Gjëja e vetme, e cila e meriton pikëllimin tim, është mangësia ime ndaj Zotit tim!
  14. Të suksesshmit i realizojnë synimet e tyre, kurse dështakët krijojnë arsyetime për dështimet e tyre!
  15. Është për të të ardhur shumë keq, se gjokset tona janë të mbushura me shumë gjëra, të cilat nuk na përkasin neve!
  16. Gjumi duke dëgjuar Kuran, të bën të zgjohesh në rehati, e cila nuk ka fund!
  17. As varfëria s’mund t’i mposhtë shpirtrat e fortë, e as pasuria s’mund t’i ngritë shpirtrat e poshtër!
  18. Nga gjërat më të këqija që mund të ndodhin në jetë është të posedosh në zemrën tënde fjalë që gjuha nuk mundet t’i përkthejë!
  19. Sabri është si ilaç i hidhur, mirëpo rezultatet e tij janë të mira!
  20. Nuk interesohet për ty, përveç atij që e vëren se dita e tij është e mangët pa ty!
  21. Në fund të lojës së shahut, edhe mbreti edhe ushtari, shkojnë në të njëjtën kuti!
  22. Fal, se edhe ti po ashtu ke gabuar një ditë nga ditët!
  23. Nëse do të mësosh diçka nga begatitë e Allahut, vendosi duart e tua mbi sytë e tu!
  24. Bëhu në jetën e tjerëve si kokrrat e sheqerit, saqë edhe nëse largohesh, pas teje e lë shijen e ëmbël!
  25. Digji gjynahet e tua me istigfar, në të kundërtën do të vijë dita kur ato do të të djegin ty!
  26. Mos ndiej keqardhje nëse të iku posti apo pozita, por ndiej keqardhje, nëse të iku namazi!
  27. I arsimuar bosh është ai i cili lexon nëpër shkenca të ndryshme, kurse në qoshet e librarisë e ka Kuranin, të cilin nuk e ka prekur asnjëherë!
  28. Lehtë është të gjesh njeri me të cilin do të flasësh, por rëndë është të gjesh njeri që i beson!
  29. Nganjëherë fiton, e nganjëherë mëson!
  30. Kërkimfalja është kulturë e lartë, injorantët besojnë se ajo është nënçmim për shpirtin!
  31. E meta për ne është bërë më e rëndë sesa harami, sepse ne jemi shoqëri e cila frikohet më shumë nga krijesat sesa nga Krijuesi!
  32. Asgjë nuk kthehet më si më parë, mësoje mirë këtë shprehje, para se të thyesh diçka të bukur!
  33. Përvojat nuk lexohen nëpër libra, mirëpo librat ndihmojnë të përfitohet nga përvojat!
  34. Njerëzit i ndryshojnë fytyrat e tyre për çdo ditë, për këtë arsye mos e kërko vlerën tënde në fytyrat e njerëzve!
  35. Po flemë e po zgjohemi dhe celularët nëpër duart tona, mendjet ikën dhe u humbën, as Kuran, as Sunet, e madje as dhikër! O Zot, bëhu i butë me gjendjen tonë dhe kthena kah Ti me kthim të mirë!
  36. Besnikëria është si kalaja nga rëra, e rëndë të ndërtohet, kurse shumë e lehtë të shkatërrohet!
  37. Bëhu ai person që kur e shohin njerëzit thonë se në dynja ende ka hair!
  38. Alij ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Nuk u thanë lotët, vetëm se nga ngurtësia e zemrave dhe nuk u ngurtësuan zemrat, vetëm se nga gjynahet e tepërta.”
  39. Ia vodhën hajdutët shtëpinë, qau një muaj, ia vodhi shejtani zemrën, as që e hetoi!
  40. Zgjidhi banorët e zemrës sate me precizitet, ngase qytetet njihen sipas banorëve të saj!
  41. Nganjëherë guri është më i butë, sesa zemrat e disa njerëzve!
  42. Ruaje çdokënd që pyet për ty dhe për gjendjen tënde, ata janë të rrallë në këtë kohë!
  43. Familja ime kaloi gjatë duke më mësuar se si të flas dhe unë tash kaloj kohë edhe më të gjatë të mësohem se si të heshti!
  44. Bëj mirë, ngase ajo është e vetmja gjë që nuk vdes kur ti mungon!
  45. Nëse ke mundësi që ta sundosh zemërimin tënd për një moment, do t’i kursesh vetes një mijë ditë nga pendimi!
  46. Shoku më i mirë në jetë është qetësia, kjo, sepse ajo t’i mëson gabimet e tua, atëherë kur vetmohesh me të!
  47. Mos i qorto shumë të tjerët! Ai i cili të do, e ka mundësinë të krijojë një mijë tregime që të flasë me ty, kurse ai i cili nuk të do, e ka mundësinë të krijojë një mijë arsyetime që të largohet nga ti!
  48. Mos u dëshpëro asnjëherë! Ai që e krijon të gjallën prej së vdekurës dhe krijon të vdekurën prej së gjallës, ka fuqi që shpresat e tua t’i nxjerrë nga ëndrra në realitet!
  49. Nuk mund ta përfitosh një zemër me fuqi, por mundesh me një fjalë t’i përfitosh zemrat e njerëzve!
  50. Jetojmë me një kohë, ku nëse i thuhet gurit bëhu njeri, do të thotë: Ndjesë, nuk jam aq i ngurtë sa duhet!
  51. Kur do të posedosh një gjë që nuk e ke pasur më herët, detyrohesh të veprosh një gjë që nuk e ke bërë më herët!
  52. Frikohem të ndahem nga jeta dhe në zemrat e të tjerëve shkaktova ndonjë plagë me duart e mia! O Zoti im, mos i bëj fjalët dhe sjelljet e mia shkak për vuajtjen e askujt!
  53. Disa njerëz janë si vatani, ndarja prej tyre është kurbeti më i rëndë!
  54. Disa njerëz janë si historia, as nuk kthehen, e as që harrohen!
  55. Të suksesshmit i realizojnë synimet e tyre, kurse dështakët krijojnë arsyetime për dështimet e tyre!
  56. Mos ia ki zili tjetrit për atë që ai e posedon, ti ke më shumë, mirëpo nuk e di!
  57. Gjatë kohës kur je i lumtur, falënderoje Allahun.
  58. Gjatë kohës kur je i qetë, përmende Allahun.
  59. Dy gjëra e ndryshojnë pikëpamjen tënde rreth jetës: Sëmundja dhe vetmia!
  60. Jeta nuk është ato ditë që kaluan, po ato ditë që i rikujton!
  61. S’ka dyshim në lutje: Ose do të të përgjigjet, ose do të jetë sebep që ta largojë një të keqe, ose do të ruhet për në ahiret!
  62. Nëse do që të mos ndiesh keqardhje për ndonjë gjë, veproje çdo gjë për hir të Allahut!
  63. Në jetën tënde, çdo ditë jetoje si të jetë dita e fundit, se një ditë nga ditët, me të vërtetë do të jetë ashtu!
  64. Para se t’i ngritësh sytë dhe të kërkosh nga Allahu atë që të mungon, zbriti sytë dhe falënderoje Allahun për atë që e posedon!
  65. Lëre të kaluarën të ecën dhe fjalët e njerëzve të kalojnë, a ke dëgjuar për ndonjë njeri që e fitoi garën duke u kthyer mbrapa?!
  66. Periudhat e udhëtimit janë të gjata dhe të lodhshme për atë që nuk ka shoqërues në udhëtimin e tij, kështu është edhe rrugëtimi i jetës!
  67. Kulmi i sabrit është të heshtësh, por në zemrën tënde ke plagë që flet dhe kulmi i fuqisë është të buzëqeshësh, por në syrin tënd i ke një mijë lot!
  68. Luani qëllimisht bëhet sikurse ndien dhembje kur e kafshon i vogli i tij, që ta bëjë të ndiejë se ai posedon fuqi!
  69. Para se të flesh, faljua njerëzve, ti nuk e di se, a ti do të ndahesh nga ata apo ata nga ti!
  70. Mos e lër namazin asnjëherë, ka me miliona që janë nën varre, dhe shpresojnë që nëse kthehen në dynja të bien në sexhde, edhe po të ishte ajo vetëm një herë!
  71. Ka mundësi të shohësh se shoku të shan, armiku të shpëton, pasanikët të kërkojnë ryshfet dhe të dobëtit të japin lëmoshë! Kjo është dynjaja!
  72. Gjatë momentit kur je nervoz, ki mendim të mirë për Allahun.
  73. Njerëzit mendojnë se ndjenja e lumturisë vjen si rezultat i suksesit, mirëpo në fakt është e kundërta, suksesi është rezultat i ndjenjave të lumtura!
  74. Gjysma e vuajtjeve të njerëzve vjen nga përpjekja e tyre ta paraqesin atë që nuk janë!
  75. Të menduarit e tepërt për të ardhmen është vrasësi i parë i lumturisë sate.
  76. Mos të të pikëllojë fakti se dështove me një projekt, përderisa mundohesh të qëndrosh përsëri në këmbët e tua!
  77. Kur je në gjendje të keqe mos lexo diçka të dhembshme, ngase çdo herë kur i kalon faqet dhe lexon diçka, mendon se është shkruar për ty!
  78. U pyet një i urtë:

– Çfarë është urtësia?

U përgjigj:

– Ta dallosh atë që e njeh nga ajo që nuk e njeh!

  1. Ai që të do respektoje, ai që ka nevojë për ty ndihmoje, ai që të lëndoi falja dhe ai që të braktisi, harroje!
  2. Prej gjërave që më së shumti jep dhembje – shtëpia pa baba.
  3. Keqardhja nuk është mangësi, por argument i prerë se ti je person që ke ndërgjegje!
  4. Vendos pak nga ndjenjat në mendjen tënde që ajo pak të zbutet dhe vendos diçka nga mendja në zemrën tënde që ajo të përqendrohet!
  5. Pak nga injorimi e kthen çdo person në madhësinë e tij të natyrshme.
  6. Gjysma e botës e jetojnë jetën, kurse gjysma tjetër jeton për t’i mbikëqyrur!
  7. Nganjëherë një situatë e thjeshtë në jetën tënde, të bën të ndalesh me veten një kohë më të gjatë dhe nga fillimi ta ndryshosh renditjen e njerëzve në jetë!
  8. Mos mendo se qetësia që e sheh në fytyra aludon në kënaqësi, çdo njeri në brendësinë e tij ka diçka që e ngacmon dhe i jep dhembje!
  9. Biografia e mirë është si druri i ullirit, rritet ngadalë, mirëpo jeton shumë gjatë!
  10. Ajo që e bën pemën të ndiejë dhembje nuk është prerja e saj, po sëpata është ajo që i jep më shumë dhembje, sepse gjysma e sëpatës është nga vetë pema!
  11. Nëse nuk je shi që ujit, mos u bëj zjarr që përvëlon!
  12. Gjynahet i mbyllin dyert e njohjes dhe diturisë!
  13. Prej gjërave që më së shumti dhemb është atëherë kur i ankohesh të vdekurve se çfarë vepruan me ty të gjallët!
  14. Heshtja ka mjeshtëri, prandaj nëse je mjeshtër në heshtjen tënde, do të bëhesh i mrekullueshëm në të folurit tënd!
  15. Prej momenteve më të bukura të lumturisë është kur i realizon gjërat, që njerëzit për to mendojnë se ti nuk mund t’i realizosh!
  16. Mos i jep të varfrit lëmoshë duke e ndier në vete se ai ka nevojë për lëmoshën tënde, por jepja atij dhe ti e di se ke nevojë për falje dhe pranim të saj nga Allahu!
  17. Bëhu njeri i organizuar dhe personaliteti yt do të bëhet i dalluar!
  18. Zogjtë që lindin në kafaz, besojnë se fluturimi është krim!
  19. Edhe përskaj faktit që besoj se zgjidhjet e trurit janë më të qëlluara, vetëm se e kam shumë vështirë t’i braktisi disa gjëra që i zgjedh zemra!
  20. Mos ngurro në mbylljen e syve nga pikëllimi, se ndoshta të kalon para teje lumturia dhe ti ec e nuk e vëren atë!
  21. Mos u jep njerëzve më tepër sesa e meritojnë, se edhe lulet nganjëherë prishen nga uji i tepërt!
  22. Më të rëndën që e bën njeriu është të marrë një vendim të rëndësishëm, vetëm e vetëm që t’i kënaqë të tjerët!
  23. Zgjedh nga kujtimet e tua atë që të përshtatet!
  24. Zot, mos më largo nga tri gjëra: Nga namazi im, nga kënaqësia e prindërve dhe nga ata që i dua!
  25. Zot, bëje çdo gjë që e shpresoj të jetë afër syrit tim si afërsia e zemrës sime me shpirtin, dhe o Zot, bëje që çdo gjë që ia kam frikën të jetë larg syrit tim, si largësia e qiejve me tokën!
  26. O Zot! Mos e bëj që dynjaja të jetë preokupimi ynë më i madh!
  27. O Zot, na jep siguri nëpër vendbanimet tona dhe na i përmirëso me Kuran shpirtrat tanë!
  28. Zoti im, prej Teje e kërkoj Xhenetin dhe prej Teje kërkoj mbrojtje nga zjarri i Xhehenemit!

NGA DHEMBJA DREJT LUMTURISË

(Thënie të mençura nga jeta dhe përvoja)

Irfan Jahiu

Të ngjajshme

MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

Irfan Jahiu

ZILIA DHE DËMI I SAJ

Irfan Jahiu

VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

Irfan Jahiu

TË DREJTAT E RRUGËS DHE ETIKA E SAJ

Irfan Jahiu

SHKAQET E RISKUT

Irfan Jahiu

QARTËSIMI I SHKAQEVE TË LUMTURISË

Irfan Jahiu

LUMTURIA

Irfan Jahiu

DHEMBJA

Irfan Jahiu

KARMA

Irfan Jahiu