Rtv Pendimi

Flamuri i Shqipërisë vendoset në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Flamuri i Shqipërisë vendoset në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

-Flamuri i Shqipërisë vendoset në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në një ceremoni simbolike Shqipëria merr zyrtarisht për herë të parë në historinë e saj vendin në Këshillin e Sigurimit Ndërkombëtar.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se është krenar për Shqipërinë që merr vendin në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë.

Mandati 2-vjeçar i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit nisi prej 1 Janarit 2022 dhe bëhet fjalë për një vend jo të përhershëm. Ky vend u mbështet në një votim nga 175 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Qershor të vitit të kaluar.

Një ndër objektivat që ka vendosur shteti shqiptar gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit është dhe avancimi i çështjes se Kosovës, duke lobuar për të shtuar listën e vendeve që e njohin pavarësinë e saj dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit në OKB-së është ndër organet më të rëndësishme të saj që ka për detyrë mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë mes kombeve.

Ky këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Anglia, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme, kurse 10 vendet e tjera kanë një mandat dy vjeçar.

Ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferid Hoxha vendosi të martën flamurin shqiptar mes atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

***

-Schütz: Të bindur për suksesin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit Ndërkombëtar

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme Federale Gjermane, Susanne Schütz uroi të martën Shqipërinë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në periudhën 2022-2023.

“Me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për 2022/2023, Susanne Schütz, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme Federale Gjermane, uroi Shqipërinë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, thuhet në një njoftim të ambasadës gjermane në Tiranë.

Schütz shpreh bindjen se “Shqipëria do të lulëzojë në promovimin e multilateralizmit, ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, qeverisjen e mirë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, të cilat janë kaq të rëndësishme për të gjithë ne”.

Nga 1 janari 2022, Shqipëria ulet si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për shtetin shqiptar. 

***

-Ministri Peleshi uron efektivët ushtarakë në misione të NATO-s jashtë Shqipërisë

Me rastin e festave të fundvitit, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi uroi përmes një bisede virtuale përfaqësuesit e Forcave të Armatosura, që shërbejnë në misionet ushtarake në kuadër të NATO-s jashtë Shqipërisë.

Duke i cilësuar ambasadorë të Shqipërisë, ministri Peleshi vlerësoi kontributin e të gjithë efektivëve në këto kohë të vështira pandemie. Ai theksoi se Shqipëria edhe pse një vend i vogël renditet në vendet e para përsa i përket kontributit aktiv në NATO.

Gjatë mesazhit drejtuar përfaqësuesve shqiptarë me mision jashtë Shqipërisë, Ministri i Mbrojtjes foli për arritjet e vitit 2021: “Ky vit që po lëmë pas ishte një vit i suksesshëm për Forcat e Armatosura, për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, integritetin tonë kombëtar, për pozicionin dhe rolin strategjik që ky vit e forcoi akoma më tepër përmes stërvitjes “Defender 2021”, një stërvitje e përmasave të pakrahasueshme me çdo stërvitje tjetër që ka ndodhur. Ne ishim një vend pritës. Do të jemi vazhdimisht vend pritës për çdo stërvitje Defender, të paktën çdo dy vite që ato do të zhvillohen në rajonin tonë. Kjo stërvitje na krijoi mundësinë për të ndërverpuar në një shkallë të gjerë, por edhe për të krijuar një vetëdije shumë të fortë se sa strategjik dhe sa i rëndësishëm është roli jonë në rajon“, – theksoi ministri Peleshi.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, viti që vjen do të sjellë një lartësim të figurës së ushtarakut të FA, përmes rritjes së shpërblimit të miratuar nga qeveria: “Ne kemi miratuar në qeveri një shpërblim prej 30%, një rritje të sheshtë, që do të thotë nga ushtari i parë e deri te gjenerali do të ketë një rritje 30% të pagës, gjë që na jep më shumë motivim dhe syrin e hapur për të rekrutuar më shumë dhe më mirë. Jemi në një fushatë rekrutimesh në të gjithë Shqipërinë tani. Këtë vit po përpiqemi ta bëjmë më rinore. Do ta vazhdojmë në qendrat e qyteteve. Ftojmë të rinjtë të bisedojnë me ne, ta njohin më afër ushtrinë, të kuptojnë më mirë rolin e FA, cilat janë mundësitë e jashtëzakonshme që FA si asnjë strukturë tjetër u jep”, – tha më tej Peleshi.
Teksa garantoi vijimin e rolit aktiv të Shqipërisë në të gjitha misionet jashtë territorit shqiptar, ministri i Mbrojtjes tha se aktualisht Shqipëria ka një buxhet 30% më të lartë, në masën 1,75% të PBB, për ta rritur atë në masën 2% në vitin 2024, sipas përcaktimeve të NATO-s.
Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj u shpreh se ky ishte një vit plot sfida dhe arritje për FA dhe një pjesë e arritjeve u takon pikërisht këtyre misioneve që bëjnë krenar çdo shqiptar.

***

-Fëmija i parë në Shqipëri për vitin e ri 2022 është djalë 

Foshnja e parë që ka ardhur në jetë në vitin 2022 në Shqipëri është djalë.

Në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë ka ardhur në jetë në orën 00:00 fëmija i parë, një djalë që prindërit i kanë vendosur emrin Akid.

Mjeku Artur Hatibi, në një deklaratë për mediat tha se edhe nëna edhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë.

“Lindja e parë përfundoi me sukses”, tha Hatibi.

Hatibi theksoi se gjatë ndërrimit të viteve janë realizuar disa lindje.

“…Një urim special të gjitha nënave të Shqipërisë…”, u shpreh Hatibi…

Nga ana tjetër, në traditën e përvitshme, ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ishte mëngjesin e ditës së parë, pranë fëmijëve të parë të vitit 2022, ku shpërndau çekun e bebes për të porsalindurit, me urimin që ky vit të jetë i shëndetshëm dhe i begatë për të gjithë shqiptarët.

“…Viti 2022 do të jetë viti i fëmijëve, i zbatimit të politikave dhe programeve të reja për fëmijët tanë.

Do të vijojmë programin e kujdesit neonatal me investimet në maternitetet e reja të Beratit, Kukësit, investimin madhor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” si dhe në maternitetin Koço Gliozheni. Investimet tona nuk do të ndalen…”, tha Manastirliu.

***

-“Traditë, zakone dhe festa” në konkursin e fotografisë “Colours of Albanians”

Është tema e kësaj jave feste në konkursin e fotografisë “Colours of Albanians”.

Lajmin e bëri të ditur ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila publikoi disa nga fotot që qytetarët kanë shkrepur për të marrë pjesë në këtë konkurs.

Ngjyrat e shqiptarëve” (Colours of Albanians 2022), është një koleksion fotosh dhe videosh, të bukurive të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Këtë vit një nga risitë është edhe fakti që futen edhe videot.

Ky konkurs nuk ka qenë i ri për Shqipërinë, ka nisur në vitin 2015-2019. Për fat të keq prej pandemisë së koronavirusit vitin e shkuar nuk u organizua dot. Ndërkohë që këtë vit, me një emër të ri, “Colours of Albanians”, sepse është në kuadër dhe të protokollit zbatues në fushën e diplomacisë kulturore midis dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky konkurs është lançuar në 26 nëntor në kuadër dhe të takimit të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH