Fondacioni humanitar turk IHH ka dërguar ndihma humanitare në mbi 150 familje refugjatësh palestinezë që jetojnë në kushte të vështira në një kamp në Libanin jugor, transmeton Anadolu Agency (AA).
IHH me seli në Stamboll shpërndau ndihmat për familjet në nevojë në kampin Ein El Hilweh, kampi më i madh i refugjatëve në Liban ku jetojnë palestinezët.
Furnizimet përfshijnë gjëra ushqimore bazë, si vaji, sheqeri dhe makaronat.
IHH vazhdon aktivitetet e saj të ndryshme humanitare për familjet në nevojë, të cilat janë rritur në numër me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), si dhe për shkak të krizës aktuale ekonomike në Liban.
Gjithsej 22 agjenci turke humanitare, përfshirë IHH, kanë kryer një fushatë për refugjatët palestineze që vuajnë në kampet në Liban.
Refugjatët palestinezë në Liban
Refugjatët palestinezë në Liban jetojnë në 12 kampe, përkatësisht në Beddawi, Burj al-Barajnah, Burj Shemali, Dbayeh, Ein El Hilweh, El Buss, Mar Elias dhe Mieh Mieh, të gjitha të vendosura në rajone të ndryshme të vendit.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 483 mijë refugjatë palestinezë jetojnë në Liban dhe kjo shifër rritet deri në 600 mijë me ata të paregjistruar.
Përafërisht 62 për qind e refugjatëve palestinezë, të cilët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Libanit, jetojnë në kampe ku infrastruktura dhe objektet sociale janë shumë të kufizuara, ndëra pjesa tjetër jetojnë rreth kampeve dhe në pjesë të ndryshme të vendit.
Libani nuk pranon përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve pasi nuk është palë në Konventën e vitit 1951 dhe Protokollin e vitit 1967 në lidhje me statusin e refugjatëve.
Libani është vendi i dytë ku refugjatët palestinezë u nënshtrohen më së shumti shkeljeve të të drejtave pas Izraelit.