[There are no radio stations in the database]

Fondacioni Turk Maarif shtron sofër iftari në Shkup

Fondacioni Turk Maarif (TMV) ka shtruar sofër iftari në shkollën e fondacionit në kryeqytetin Shkup, raporton Anadolu.

Në programin e iftarit morën pjesë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limani, ambasadori turk në vend Fatih Ulusoy, deputetë nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues të institucioneve turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Limani në fjalën e tij në program shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në këtë program, duke kujtuar se “ky muaji i mbushur me paqe, reflektim e mirëkuptim është një kohë e veçantë për çdo besimtar dhe është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet tona”.

“Në këtë frymë dëshiroj të theksoj se jemi të hapur dhe të gatshëm për çdo mundësi të bashkëpunimit dhe të mbështetjes për zhvillimin e kopshteve të fëmijëve si një hap i rëndësishëm për sigurimin e një të ardhme të ndritur për brezat që vijnë”, tha Limani.

– “Arsimi është një dimension i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë me Maqedoninë e Veriut”

Ndërkaq, ambasadori Ulusoy në fjalën e tij tha se stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, janë ndër prioritetet e politikës së jashtme të Türkiyes.

Ambasadori turk tha se vendi i tij që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e ka mbështetur dhe do të mbështesë këtë vend me institucione të ndryshme.

“Arsimi është një dimension i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë me Maqedoninë e Veriut. Arsimi është një nga elementët më të rëndësishëm që formëson të ardhmen e një shoqërie. Duke ofruar arsim në të gjitha nivelet në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2018, shkollat ​​e Fondacionit Turk Maarif shërbejnë si një urë lidhëse që çojnë përpara jo vetëm individët, por edhe shoqërinë tonë”, tha ai.

Anëtari i bordit drejtues në TMV, Muhammet Murtaza Yetiş, tha se Shkollat ​​Maarif përpiqen t’u mësojnë nxënësve se si ta gjejnë sekretin brenda vetes.

“Ne po përpiqemi t’u mësojmë mijëra fëmijëve se si ta gjejnë këtë rrugë me 450 shkollat ​​tona në 55 vende të botës”, tha ai.

Përfaqësuesi i TMV-së për Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgül, nga ana e tij, informoi rreth punës së shkollave të fondacionit.


[There are no radio stations in the database]