FONDAMENTALISTËT RACISTË ISLAMOFOB

Bashkim Aliu

“Në mënyrën përjashtuese të të menduarit, nuk ka dallim në mes ISIS-it, i cili kërkon të përjashtohet nga “Shteti Islam” çdo musliman, dhe këtyre fondamentalistëve ateistë islamofob, të cilët kërkojnë të përjashtohet nga kombëtarja Mërgim Mavraj me shokë, pse falin namaz. ”

Ndeshja Shqipëri-Armeni nuk ishte e një rëndësie të veçantë vetëm për aspektin sportiv dhe kualifikimin e kombëtares shqiptare në xhirot vijuese, si dhe për promovimin e sportit shqiptar në botë, por, kjo ndeshje, reflektoi edhe në shumë fusha tjera. Kështu, fjala vjen, edhe përskaj asaj se shqiptarët janë shumë të ndarë, kombëtarja i bashkoi, bile për nga aparenca, në tifozeri për kombëtaren dhe pritjen e fitores. Megjithatë, edhe më tutje, as sporti, dhe as kjo ndeshje, nuk mundën t’i shuajnë disa ndasi dhe dallime të thella të cilat ekzistojnë tek shqiptarët, bile, kjo ndeshje, në mënyrë më të theksuar, vuri në pah ngarkesat nga e kaluara, shpirtin e pa pajtuar marksist-leninist me humbjen karshi besimit, e që në këtë kohë, ka marrë forma të reja të përfaqësimit, gjegjësisht promovohet përmes ateizmit, laicizmit dhe agnosticizmit.
Në fakt, kjo ndeshje ndezi alarmin edhe nji herë tjetër, për rrezikun e mendësisë totalitare enveriste të frymëzuar nga marksizmi, e cila si duket vazhdon të jetojë tek disa individë, e që në momente të caktuara, ndoshta me pavetëdijen e tyre, del në mejdan që të tregojë se është gjallë, dhe që të vërtetojë e faktojë se ende ka “patriotë të partisë së punës”, të cilët e mbajnë në vete. Veprimet krejt normale të disa futbollistëve për mendjen e shëndoshë dhe mentalitetin demokrat evropian, i kalli disa persona me ngarkesa serioze nga sistemi i kaluar monist dhe nga filozofia materialiste, të cilët e derdhën tërë mllefin e tyre mbi përfaqësuesin e kombëtares Mavraj, dhe mbi disa futbollistë tjerë, thjesht për faktin se kanë kryer lutjen fetare-kanë falur namaz, që për pjestarët e Islamit është obligim ditor. Sipas këtyre “patriotëve leckaman” të xhaxhit Enver, dhe të xhaxhallarëve tjerë “legjendar” rus-Leninit e Stalinit, ky veprim i këtyre futbollistëve, nuk duheshka të bëhet dhe se ky veprim e dëmton rëndë imaxhin e Shqipërisë. Jo vetëm që deklaratat e këtilla janë primitvizëm, por në të njejtën kohë, janë edhe jo normale për mendjen e shëndoshë, e në kontekstin e vlerave evropiane, konsiderohen sjellje jo evropiane. Në kontekst të vlerave univerzale njerëzore, nuk mund të mos shihen si raciste, ngase ndjekin mendësinë e kaluar dhe të lënë në shekullin që lam pas, ku njerëzit nuk mund të ishin të lirë të besojnë atë që duan vetë, të mendojnë në aspektin e besimit ashtu si duan, dhe ta praktikojnë atë që e besojnë, por, sipas mendësisë demode komuniste, për këto gjëra vendoste partia, e jo individi. Për atë, këta “trima besnik” të ideologjisë komuniste dhe të indoktrinuar deri në palcë nga filozofia e këtillë, nuk mundën të mos plasin e ta shprehin urrejtjen e tyre ndaj një të drejte natyrore të garantuar sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, të drejtës së besimit dhe religjionit, si dhe ndalimin e diskriminimit në baza religjioze. Bile, ata nuk nguruan edhe të kërcënojnë, dhe që ta shtojnë edhe më tepër budallallëkun dhe ndjenjat raciste, pohuan se kombëtares tonë nuk i duhen futbollistë të këtillë që falen, gjegjësisht që e shfrytëzojnë të drejtën e garantuar nga njerëzit që kanë mend, për ta ushtruar të lirë besimin fetar, dhe se sikur ata të ishin pyetur, futbollistët e këtillë do t’i përjashtonin nga kombëtarja, edhe sikur të ishin të kalibrit të Ronaldos e Mesit.
Një analizë e shpejtë dhe jo shumë e thellë, na çon në konstatimin se, kjo që bëjnë tipat e këtillë, është sjellje jo evropiane, nuk përputhet me mentalitetin që kalitet në vlerat evropiane, dhe s’do mend se logjika e këtillë është raciste, ngase prek në të drejtat e garantuara me konvetat ndërkombëtare, si dhe bën diskriminimin e njerëzve në baza fetare. Ky konstatim është i saktë dhe nuk don koment. Mirëpo, ajo që duhet të theksohet, dhe nuk theksohet sa duhet, është fakti se tipat e këtillë janë islamofob, dhe për pasojë edhe racistë, dhe se mllefin që e kanë ndaj këtyre lojtarëve, në thelb, paraqet mllefin e tyre ndaj Islamit. Në fakt, këta tipa na flasin për fenomenin e fondamentalizmit ateist islamofob, për të cilin nuk flitet dhe nuk debatohet sa duhet, dhe nën trysninë e imponimit të debateve për fondamentalizmin fetar, ai ateist dhe laik janë lënë nën hije. Ndërkaq, realiteti flet se ky lloj fondamentalizmi është prezent me të madhe dhe manifestohet fuqishëm, sa që në momente të caktuara kalon në racizëm dhe prirje për terror jo militant. Fondamentalistët ateistë islamofob, e kanë gojën plotë kundër al-Kaidës, ISIS-it, Talibanëve, Mullahëve, e ku ta dij se çka, por në fakt, këta e kanë të njejtën mendësi me këta kundër të cilëve flasin, në drejtim të mos tolerancës ndaj tjetrit dhe të ndryshmit, dhe të imponimit të qëndrimeve. Në mënyrën përjashtuese të të menduarit, nuk ka dallim në mes ISIS-it i cili kërkon të përjashtohet nga “Shteti Islam” çdo musliman, dhe këtyre fondamentalistëve ateistë islamofob, të cilët kërkojnë të përjashtohet nga kombëtarja Mërgim Mavraj me shokë, pse falin namaz. Nuk e di pse aq tepër flasin kundër ISIS-it, kur ata mendojnë njejtë si ISIS-i, vetëm në drejtimin e kundërt, pra ateist.
Për broçkullën tjetër naive të tyre se, këta, e dëmtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët në sytë e Evropës, as mos të flasim, sepse nuk ia vlen. Kjo, ngase populli e ka të qartë kush e turpëron e kush e bën të mburret dhe të ndjehet krenar. Golshënuesit namazxhinj që i bien në sexhde Krijuesit, nuk e dëmtojnë popullin, por janë në shërbim të tij, ndërkaq, dëmtuesit e vërtetë janë pikërisht radikalët dhe fondamentalistët ateistë, të cilët nga mllefi ndaj Islamit, harrojnë se shkelin edhe mbi vlerat univerzale njerëzore, dhe në veçanti ato evropiane, me çka bëjnë që të duken në sytë e botës së civilizuar, në veçanti të Evropës, si lugjetër.
Edhe pse telallët e dëshpruar marksist-leninist, mundohen ta shfryjnë mllefin e tyre kundër Islamit me sulmet e ashpra ndaj al-Kaidës, Afganistanit, ISIS-it, etj., e që në fakt pas të gjitha këtyre slloganeve ata e kanë për qëllim Islamin, duke i paraqitur këto mostra të primitivizmit, urrejtjes, jo tolerancës dhe racizmit, ata në mënyrë naive dhe të verbër, bien në kurthat që vetë i përgadisin. Në fakt, naiviteti i tyre plangprishës është në favor të realitetit dhe objektivitetit, ngase e shpalon fytyrën e tyre të vërtetë dhe qëllimet e vërteta pas akuzave dhe sulmeve kundër çdo gjëje që është islame, të ambalazhuar me etiketa të luftës kundër terrorizmit, radikalizmit, fondamentalizmit, etj. Realisht, marksist-leninistët e stërngarkuar me ideologji të mykur komuniste nga koha e monizmit, si në Shqipëri, ashtu edhe në trojet tjera shqiptare, tregojnë se nuk janë të denjë për trendet bashkëkohore dhe vlerat evropiane, për të cilat nxjerrin lot krrokodili. Vlerat evropiane mishërohen në respektimin e besimit dhe përkatësisë religjioze të tjetrit, të drejtën e çdo kujt që të besojë dhe ta praktikojë besimin e vet, dhe sanksionimin e përzierjes në të drejtën e fesë dhe besimit. Ndërkaq, protesta e fondamentalistëve ateistë shqipfolës, mohon mundësinë e konvertimit të mendësisë së tyre dhe ngritjes së pionerëve të xhaxhit Enver dhe marshall Titos në stadet e vlerave evropiane pluraliste. Ata pyesin mos kjo kombëtare është e Afganistanit, Katarit apo ndonji shteti tjetër të lindjes, por, përgjigja është e thjeshtë: Edhe nëse është e Afganistanit, përsëri Afganistani është shtet i pranuar në OKB, ndërkaq sigurisht se kjo kombëtare nuk është e shteteve virtuale si Leninistani e Stalinistani, të cilët i preferoni ju, ngase këto shtete nuk figurojnë në OKB.
Ndërsa fondamentalistët ateistë të shkollës marksist –leniniste i shtrrëngojnë dhëmbët dhe plasin nga hidhërimi, djelmoshat namazxhinj të kombëtares, i shërbejnë fesë dhe kombit duke dhënë shembullin e duhur për të rinjtë, duke e nxjerrur imaxhin pozitiv të muslimanit dhe shqiptarit në botë, dhe duke shënuar gola e sjellur fitore për shqiptarët. Kështu promovohen vlerat.