Ekipet izraelite të bashkisë së Kudsit lanë të pastrehë një familje palestineze prej gjashtë anëtarësh në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat izraelite, të cilët erdhën në lagjen Silvan në jug të Kudsit Lindor, e rrethuan zonën ku do të bëhej prishja në një “kordon sigurie”.
Ekipet e bashkisë prishën shtëpinë prej 65 metrash katrorë që i përkiste familjes palestineze Halisi, me arsyetimin se ishte ndërtuar “pa leje”.
Në një prononcim për AA, pronari i shtëpisë, Sulltan Halisi, tha se autoritetet izraelite refuzuan të jepnin leje me gjithë tentativat e tyre për shtëpinë e ndërtuar në vitin 2014 dhe ku jeton familja e tij prej gjashtë anëtarësh.
Duke thënë se së fundmi kishte marrë një njoftim për prishjen e shtëpisë, Halisi tha se, “Sot na rrënuan shtëpinë. Unë dhe fëmijët tanë jemi të pastrehë”.
– Rrënimet e Izraelit në Kudsin Lindor
Në Kudsin Lindor të pushtuar, autoritetet izraelite kanë kërcënuar se do të shkatërrojnë mijëra shtëpi palestineze me arsyetimin se ato janë ndërtuar “pa leje”.
Burimet palestineze tregojnë se më shumë se 5 mijë shtëpi palestineze janë shkatërruar nga forcat izraelite në Kudsin Lindor që nga viti 1967.
Sipas një raporti të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, autoritetet izraelite prishën dhjetëra shtëpi në Kudsin Lindor në vitin 2020 me arsyetimin se ato ishin “pa leje”. Shumë palestinezë mbetën të pastrehë për shkak të prishjeve.
Duke deklaruar se praktika në fjalë e Izraelit nuk ka bazë ligjore, palestinezët deklarojnë se ajo është “pjesë e politikave të Izraelit të frikësimit dhe judaizimit të qytetit”.