Forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje një grua palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se gruaja, e identifikuar si Ghufran Harun Warasneh, u qëllua pranë kampit Al-Aroub në veri të Hebronit.
Fotot dhe videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë viktimën e shtrirë në tokë pasi është qëlluar.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se forcat izraelite për 20 minuta penguan ekipin e tyre të mjekëve të arrinte në vendngjarje.
Një burim në spitalin Al-Ahly zbuloi se gruaja mbërriti në spital në gjendje kritike, pas së cilës ajo ndërroi jetë.
Ushtria izraelite pretendon se gruaja palestineze dyshohet se ka tentuar të kryejë një sulm me thikë.
Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se “vajza e armatosur me thikë ka tentuar të arrijë te ushtarët, gjë që ka bërë që forcat të hapin zjarr dhe ta neutralizojnë”.
Nuk pati të lënduar mes ushtarëve izraelitë.