Fotoja që ia ndryshoi jetën refugjatit sirian

Ku ndodhet sot Anas Modaman, refugjati sirian, i cili u bë i famshëm në vitin 2015, pas një selfie me kancelaren e asaj kohe, Angela Merkel?

Modaman, tani jeton në periferinë e Berlinit në një apartament me qira. Por gjashtë vite më parë, kur mbërriti në Gjermani jetonte në një konvikt refugjatësh. Ai ka arritur shumë që nga atëherë.

“Unë studioj për ekonomi. Punoj në të njëjtën kohë dhe jetoj me të dashurën time. Shpresoj të marr më vonë nënshtetësinë gjermane”, tha ai.

Një selfie që bëri me Angela Merkelin e bëri papritur të famshëm. Imazhi i tij u shfaq në të gjitha mediat gjermane dhe më gjerë. Një familje gjermane e kontaktoi menjëherë, duke i ofruar një vend për të qëndruar.

“Fotoja që bëra me kancelaren ka shumë kuptim për mua. Është shumë më tepër se një fotografi. Është një simbol i humanizmit të Merkelit. Ajo më ndihmoi, më shpëtoi jetën. Unë do t’i jem mirënjohës asaj për gjithë jetën time”, tha ai. “Fotoja ishte provë se Angela Merkel ka një zemër të madhe, ajo na dha mundësinë të qëndrojmë dhe të integrohemi këtu”.

Por gjërat nuk kanë qenë gjithmonë të bukura për Modamanin që atëherë. Pas sulmeve terroriste në Bruksel dhe Berlin, ai u vu në shënjestër si i dyshuar në shumë faqe të mediave sociale, duke e detyruar të mos dalë nga shtëpia.

Por pavarësisht të gjitha historive, Angela Merkel mbetet heroina e tij.

“Do të më mungojë shumë. Nëse do ta takoja përsëri, do të doja ta falënderoja për gjithçka që bëri për mua. Falë saj, sot kam një jetë. Dua ta takoj e ta falënderoj dhe ti kërkoj të bëjmë sërish një foto bashkë”, përfundoj ai.

Angela Merkel përfundoi mandatin si kancelare e Gjermanisë para pak javësh.