thumbs_b_c_a011f1896c73a34f812b59e865c87f15

Franca, Britania dhe Gjermania thirrje Izraelit të hapë vendkalimet në Gaza për ndihmë humanitare

Ministrat e Jashtëm të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, në një apel të përbashkët, i bënë thirrje Izraelit që të hapë menjëherë pikat e kalimit në Gaza dhe të sigurojë shpërndarjen e sigurt dhe të papenguar të ndihmave humanitare në rajon, tha Ministria e Jashtme franceze në një deklaratë, transmeton Anadolu.

“Franca, Britania dhe Gjermania i bëjnë thirrje Izraelit të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të garantojë mbrojtjen e civilëve”, thuhet në deklaratë.

“Dimri po afron në Gaza – dhe bashkë me të shi e të ftohtë. Qeveria izraelite duhet të sigurojë që OKB-ja të mund të zbatojë planin e saj dimëror. Njerëzit në Gaza kanë nevojë për shumë më tepër ndihmë humanitare tani”, thuhet në deklaratë.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 44.400 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 105.000.

Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr ragime ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullsinë palestineze.

Më 21 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.