thumbs_b_c_097861be4c34cb7022f0aeecdb0dd877

Franca dhe Norvegjia mbështesin shefin e OKB-së, kritikojnë Izraelin për shpalljen e tij person të padëshiruar

Franca dhe Norvegjia kanë shprehur mbështetjen e tyre për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke dënuar Izraelin për shpalljen e tij “person të padëshiruar” dhe për mohimin e lejimit të tij të hyjë në Tel Aviv, transmeton Anadolu.

“Franca shpreh keqardhje për vendimin serioz, të pajustifikuar dhe kundër-produktiv të Izraelit për shpalljen ‘person të padëshiruar’ sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.

Ministria franceze tha se riafirmojnë “mbështetjen tonë të plotë dhe besimin në sekretarin e përgjithshëm të OKB-së”.

“Franca përsërit angazhimin e saj ndaj Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe rëndësinë e respektimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me ruajtjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare”, theksoi ministria franceze, duke shtuar se OKB-ja luan një rol themelor në stabilitetin e rajonit.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, nga ana e tij, në rrjetet sociale tha se Norvegjia “qëndron fortë” pas shefit të OKB-së, mbrojtjes së Kartës së OKB-së, si dhe pas përpjekjeve për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

“Unë kundërshtoj fuqishëm përpjekjet e Izraelit për të minuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe OKB-në,” theksoi ai.

Më tej, kryeministri norvegjez tha se “krizat me të cilat përballemi, përfshirë në Lindjen e Mesme, bëjnë thirrje për një OKB të fuqishme, me mbështetjen tonë të plotë”.

Dje, Izraeli njoftoi se e shpalli shefin e OKB-së “person të padëshiruar”, pasi ai kërkoi një de-përshkallëzim urgjent në Lindjen e Mesme.

Gjatë muajve të fundit, gjithashtu edhe disa zyrtarëve të tjerë të OKB-së u është ndaluar të hyjnë në Izrael, duke përfshirë raportuesen e posaçme të OKB-së për Palestinezët, Francesca Albanese, e cila u akuzua se “merr anë me palestinezët” dhe me shefin e zyrës humanitare të OKB-së në territorin e pushtuar palestinez, i cili në muajin gusht deklaroi se Izraeli refuzoi të zgjasë vizën e tij për shkak të një raporti të OKB-së që akuzonte Izraelin për shkelje të të drejtave të fëmijëve palestinezë.