Frika dhe shpresa

6. Frika dhe shpresa
Frika dhe shpresa janë dy çështje që, sikur ato të kaluarat, i përkasin fushës së zemrës. E sa tërëndësishme janë më së miri flet hadithi në të cilin Profeti [Paqja qoftë mbi të!] thotë: “Besimi i robit nuk do të jetë i drejtë pa mos qenë më parë e drejtë zemra e tij.”[1] Respektivisht, pa mos qenë zemra më parë me besim të drejtë, me dashuri të kulluar për Allahun, me shpresë dhe frikë, ne respekt dhe nënshtrim.

Së këndejmi, frika dhe shpresa janë një koncept i veçantë që në vete ngërthen motivin për të bërë vepra të mira dhe vërejtjen për tu larguar nga e keqja. Frika dhe shpresa nënkuptojnë lidhjen e besimtarit me Allahun dhe angazhimin e plotë për të fituar Xhennetin. Shpresa nuk është imazh i pasivitetit, nuk është ajo shpresa e rreme, e cila njeriun e lë në baltë megjithëqë me sy kalon kodra e kodra, sikur që frika nuk është ajo frika e shkopit, e kamxhikut, e cila besimtarin do ta shndërronte në rob e skllav të mjerë. Frika dhe shpresa janë dy elemente që veprojnë njëkohësisht dhe kësaj i detyrohemi për ekuilibrin në jetën shpirtërore të besimtarit. Ato, siç do të shprehej Ibn el-Kajjim,[2] janë sikur krihet e shpendit që mundësojnë fluturimin e tij: një herë rreh njëri krah e herën tjetër tjetrin. Frika është barrierë para mëkateve ndërsa shpresa udhëheqës për tek kënaqësia e Allahut. Frika frenon epshin ndërsa shpresa motivon shpirtin dhe trupin. Frika nënkupton të ndalësh veten nga kryerja e mëkateve duke përkujtuar fundin e keq që mund të kesh. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi [Allahu qoftë i kënaqur me të!] se një ditë Profeti [Paqja qoftë mbi të!] kishte ligjëruar me ç’rast kishte thënë: “Po të dinit çfarë di unë, pak do të qeshnit e shumë do të qanit!.…”

Nisur nga kjo perspektivë, frika na del të jetë dije para se të jetë emocion apo ndjesi, sepse fakti që Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] kishte kaq shumë frikë, flet për dijen dhe njohurinë e tij për Allahun. Madje edhe në Kur’an, Allahu na ka shpjeguar se dijetarët ia kanë frikën, ata që e njohin thellësisht: “…Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët,…” [Fatir: 28] Ibn el-Kajjim ka thënë: “…sipas shkallës së dijes së robit për Allahun, është dhe frika ndaj Tij.” Madje, Ibn el-Kajjim frikën (ar. el-hauf) e sheh si imazh të njerëzve të rëndomtë, masave jo të ngritura, përderisa frikërespektin (ar. el-hashjeh) e sheh si imazh të dijetarëve, atyre që e njohin mirë Allahun. Ai merr një shembull për ta kuptuar më mirë. Frikë dhe frikësrespekti i ngjajnë një grupi ushtarësh, një pjesë e të cilëve ik kur ta sheh armikun në sulm ndërsa pjesa tjetër e përmbledh veten dhe i del përpara. Pra, e para është lëvizje ndërsa e dyta është përmbledhje e vetes dhe rishikim i pozicionit karshi veprave. Frika është tronditja dhe çorientim ndërsa frikërespekti është dije dhe përforcim.[3] Ibn Rexhebi i bën një përkufizim të rëndësishëm frikës që kërkohet fetarisht prej nesh, thotë: “Sasia e kërkuar e frikës është ajo që shtyn njeriun të kryejë obligimet dhe t’i shmanget ndalesave…ndryshe, frika e tepërt që çrregullon njeriun, që i shkakton vdekjen apo brengën e përhershme e cila e paralizon nga angazhimi, nuk është e pëlqyer.”[4] Me pak fjalë, frika nga Allahu është frikë e cila të çon drejt Tij, jo larg Tij.[5]

Sigurisht, kjo frikë jo vetëm që e bën besimtarin të ikën nga mëkatet por edhe e shpërblen. Allahu ka thënë: “E, për atë që i pat frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dyXhennete. (46) E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? (47) (Xhennete) plot degë me gjethe e pemë.” [Err-Rrahman: 46-48]; “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, (40) Xhenneti është vendi i tij.” [En-Naziat: 25-28]

Kështu qëndron puna edhe me shpresën. Ajo nuk mund të paramendohet pa vepra. Thotë Allahu: “Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet.” [Fatir: 29] Pra, shpresa ka ndodhur pasi që robi më parë ka lexuar Kur’anin, ka falur namazin, ka dhënë zekatin, pra ka kryer detyrimet. Kjo është shpresa e vërtetë, shpresë me punë. Me këtë kuptim janë edhe ajetet: “Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e All-llahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.” [El-Bekare: 218]: “…e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askënd.” [El-Kehf: 110]

Porosia: Allahu ka thënë: “Njoftoi robërit e Mi se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe mëshirues i madh. (49) Po (njoftojë) se edhe dënimi Im është ai i dhembshëm.” [El-Hixhr: 49-50]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1]Transmeton Imam Ahmedi.

[2]Shih: Medarixhu-s-salikine, 1/513.

[3]Shih: Medarixhu-s-salikine, 1/512-513.

[4]Ibn Rexheb el-Hanbeli, Et-tahvifuminen-nar, fq. 28.

[5]Shih: Err-rrisaletu el-kushejrijjetu, 1/253.