[There are no radio stations in the database]
FURIA E ZEMËRIMIT

FURIA E ZEMËRIMIT

– Babi im! Të bisedojmë për një çështje tjetër. Vërej se disa të rinj, kur zemërohen, nuk mund ta kontrollojnë e ta përmbajnë veten! Më intereson të di a ka lidhje veprimi i tyre me këtë periudhë të jetës.

* Po, biri im. I riu në këtë periudhë karakterizohet me reaksione të ashpra. Kur ai zemërohet, zemërimi i tij shtohet dhe zëri i tij ngrihet. Ka mundësi t’i thyejë gjërat që i ka në dorë e të sillet keq me dikë që është më i madh dhe me pozitë më të lartë se ai. Biri im, zemërimi është cilësi e keqe: e çon njeriun në situata të ndryshme, për të cilat, më vonë, do të ndiejë keqardhje. A ke vërejtur disa të rinj që, pasi u zemëruan, vepruan gjëra të pahijshme ose thanë fjalë të pamatura mirë e, në fund, ndiejnë keqardhje për çdo gjë?

Një njeri vajti te Pejgamberi, alejhi selam, dhe kërkoi ta këshillojë, ndërsa Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Mos u zemëro!” Prapë kërkoi këshillë, e Pejgamberi, alejhi selam,  sërish e porositi me të njëjtën porosi: “Mos u zemëro!”, dhe e përsëriti disa herë: “Mos u zemëro!”[1]

Një i pranishëm tha: “I meditova fjalët që i tha Pejgamberi m, saqë e kuptova se zemërimi me vete i sjellka të gjitha të këqijat.”[2]

Allahu i lavdëroi njerëzit që e përmbajnë dhe e kontrollojnë veten gjatë zemërimit: “… e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran, 134)

Dhe thotë: “… dhe që, kur i zemëron dikush, falin.” (Esh Shura, 37)

– Kjo bisedë rreth zemërimit më kujtoi një dukuri që shoh te disa shokë. Ata, kur duan dikë, e teprojnë në dashurinë e në lëvdatën e tij, dhe e kundërta, kur e qortojnë, e teprojnë në qortimin e tij. A ka lidhje kjo gjë me atë që përmende?

* Po, biri im. Furia e gjaknxehtësisë në këtë moshë e shtyn të riun ta teprojë e ta ekzagjerojë në dashuri dhe urrejtje. Për këtë shkak në masë të madhe e sheh që mahnitet me heroizmat. Te njerëzit kriteret e heroizmit dallojnë: për dikë heroizmi gjendet në arritjet sportive, për dikë në art e aktrim, e për dikë tjetër në kriminalitet dhe çrregullim.

Si rrjedhojë, kur njeriu mahnitet me heroizmin e ndonjërit prej tyre, atëherë e tërheq personaliteti i tij, e kjo e shtyn ta imitojë në sjelljet e tij e ta teprojë në dashurinë dhe lëvdatën e tij.

– Me sa po kuptoj, babi im, armiqtë e Islamit e kanë kuptuar mirë këtë veti te të rinjtë, prandaj i angazhuan të rinjtë dhe të rejat me ngjyrat e ndryshme të artit dhe sportit duke e tepruar në to. Ndoshta edhe e gjithë kjo i çoi të bien në gropat e devijimit dhe shkatërrimit?!

* Po, biri im, gjërat janë ashtu si thua ti. Armiqtë e Islamit nxituan vazhdimisht të shfaqin shëmbëlltyra të këqija para të rinjve dhe të rejave myslimane në të gjitha mediat. Mirë e shfrytëzuan çdo zhvillim bashkëkohor në shkencë dhe nëpërmjet tij ia shfaqën publikut atë që donin vetë, duke i mahnitur të rinjtë me atë që e shfaqnin.

– Edukata islame a ka ilaç dhe zgjidhje për këtë problem?

* Po, biri im. Prej mjeteve më të rëndësishme në kurimin e këtij problemi, madje prej mjeteve të investimit te të rinjtë në këtë periudhë është t’u ofrosh shëmbëlltyra të drejta dhe yrnek të mirë.

Në Kuran përmenden shumë rrëfime në të cilat shfaqet jetëshkrimi i të devotshmëve prej pejgamberëve dhe atyre që e ndoqën rrugën e tyre. Aty shfaqet trimëria e guximi i tyre, si dhe përqendrimi i tyre në mejdanin e betejës mes së vërtetës dhe së kotës. Përgjatë historisë islame ka shembuj në të gjitha fushat: në dije e adhurim, në luftën në rrugën e Allahut dhe heroizëm, në davet dhe përqendrim në parime. I riu mysliman shpresohet të ndikohet dhe ta tërheqin këta shembuj, t’ia shtojnë dashurinë për këta njerëz e të ngjashmit me ta, dhe të kujdeset të lexojë për jetëshkrimin dhe ngjarjet e tyre.

Çfarë rezultatesh me rëndësi jep kjo rrugë:

  1. Të riun e nxit t’i dojë ata. Për këtë dashuri shpresohet që Allahu ta shpërblejë. Ai që do një popull, do të ringjallet me ta, edhe nëse veprat e tij nuk janë në nivelin e veprave të tyre.
  2. Të riun e shtyn të ndjekë rrugën e tyre, të kujdeset t’i përvetësojë të mirat e tyre dhe t’i shohë si shëmbëlltyra që duhet të shkojë hapave të tyre. Kush i ngjason një populli, ai është prej tij. Kjo në tërësi kontribuon në edukatën, sjelljen dhe moralin e tij që të jetë sipas parimeve të Islamit.
  3. Të riun e shtyn të largohet nga rruga e dembelëve dhe të degraduarve. Madje, do të shohë edhe vetë se marrja me këtë soj njerëzish është e pavlerë dhe humbje kohe. E si t’i dojë ata kur zemra e tij tashmë është lidhur për njerëzit e mirë, që rrëfimet e tyre i ka lexuar në Kuran e në Sunet dhe në rreshtat që janë shkruar nga dijetarët myslimanë përgjatë historisë islame.

 

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

[1] Buhariu (6116).

[2] Ahmedi (22660).

 


[There are no radio stations in the database]