
Gaza, falet xhumaja në rrënojat e xhamive të shkatërruara nga Izraeli
Palestinezët në Rripin e Gazës kanë falur namazin e xhumasë së dytë të muajit të Ramazanit mes rrënojave të xhamive të shkatërruara nga lufta brutale izraelite në enklavë, raporton Anadolu.
Banorët e enklavës palestineze janë tubuar jashtë xhamive të shkatërruara apo edhe midis rrënojave brenda xhamive për të falur xhumanë.
Numër i madh i besimtarëve që janë tubuar për namazin e xhumasë është parë edhe në xhaminë Imam Shafii në lagjen Al Zaitoun në veri të Gazës. Ata vendosën qilima, pëlhura dhe dyshekë mbi mbeturinat e xhamisë duke improvizuar vendin për lutje.
Të paktën 48.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, në luftën brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Sulmet u ndërprenë në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila hyri në fuqi në muajin janar, por pavarësisht kësaj marrëveshjeje të arritur me Hamasin, Izraeli vazhdon të shkelë shpesh armëpushimin në Gaza.