Një foshnjë shtatëmuajshe ka vdekur në Dei ral-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së ilaçeve, raporton Anadolu.
Zyrtarët shëndetësorë, që dëshiruan të mbesin anonimë, thanë se bëhet fjalë për foshnjën Fayiz Abu Ataya që vdiq për shkak të mungesës së ushqimit, ilaçeve dhe kujdesit adekuat shëndetësor, që janë të gjitha pasoja të sulmeve brutale të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës të bllokuar që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Të njëjtat burime thanë se foshnja ka lindur pas fillimit të sulmeve izraelite dhe se kishte nevojë për ushqim dhe ilaçe të veçanta për shkak të sëmundjeve.
Ata theksuan se raste të tilla tragjike ndodhin si rezultat i sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe bllokadës së Rripit të Gazës.
Izraeli ka nisur një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë më shumë se 36.224 persona, duke përfshirë 15.328 fëmijë dhe duke plagosur rreth 81.777 të tjerë.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të fillonte pushtimi më 6 maj.