Biografia e Gazmend Hydës
Gazmend Hyda lindi në Kumanovë, më 20.04.1977. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në qytetin e lindjes. Qysh prej fëmijërisë është marrë me muzikë. Kjo ka qenë përpara udhëzimit. Më vonë, më konkretisht prej fillimit të vitit 2000, vendosi që t’i ndihmojë ngritjes së Fjalës së Allahut, në këtë rast përmes interpretimit të ilahive. Pra, me këtë u bë një transfer në aspektin e jetës së tij profesionale, pra nga muzikant në ilahist. Ilahia e parë e interpretuar e tij quhet “Kur më kujtohet mua rinia”. Data e daljes së saj për dëgjuesit është në fillim të vitit 2002.
Nga përvoja që e ka trashëguar prej periudhës së para udhëzimit të tij, kompozimi ka qenë pjesë që e ka përcjellur edhe më tej. Pra, deri më tani Gazmend Hyda ka bërë më tepër se 180 kompozime, prej të cilave shumica kanë qenë të suksesshme.
Në vitin 2007 ka hapur edhe studion e vet, e cila quhet Audioproduksioni Ensar, ku janë bërë 20 albume. Përveç albumeve të veta, albume u ka bërë edhe të tjerëve. Dhe vazhdon edhe më tej me këtë veprimtari. Shpirti i tij prej bashkëpunuesi i mirëpret të gjithë talentët e rinj, që dëshirojnë të promovohen në skenën e ilahisë shqiptare.
Si shenja më me gjurmë të tij, do të përmend ilahitë “Pendimi”, “Mbulesa” dhe “Më ka marrë malli në haxh me shkue”. Këto ilahi kanë pasur jehonë të madhe duke e pasur parasysh tematikën që është shtjelluar në to. Secila kategori e ka gjetur veten përkatësisht. Qofshin ata që kanë qenë zhytur në mëkate, pastaj motrat që e kanë pasur dertin e mbulimit të trupit të tyre apo ata të cilët shumë dëshirë kanë pasur për ta vizituar Shtëpinë e Allahut.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto arritje të deritanishme, falënderon gjithmonë Zotin dhe Atij ia atribuon çdo nivel qëka arritur.
Nuk duhet harruar të përmendet ajo që Gazmendi ndien keqardhje për të mos iu përgjigjur ftesave për të marrë pjesë në ceremoni të ndryshme fetare dhe shoqërore islame, sepse këtë ka qenë i detyruar ta bëjë si rezultat i zënësisë së tij me punët e tij profesionale, respektivisht me kompozimet që i bën dhe në përgjithësi me punën në studio.
Për fund, Gazmendi do të falënderonte të gjithë dëgjuesit dhe simpatizantët e tij, të cilët i kanë dhënë përkrahje për të arritur deri këtu. Gazmendi vlerëson çdo lutje dhe përcjellje të çdonjëri vëlla apo motër që ia bën atij.
Arsim Jonuzi