Gëzim dhe pikëllim

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më 08/05/2015 Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati
Tema:

Gëzim dhe pikëllim

Njeriu gjatë rrugëtimit në jetën e tij kalon në periudha të ndryshme. Secila pjesë e jetës së tij i ka specifikat dhe veçorit e veta. Periudhat më të mira të jetës që i kalon janë periudha e fëmijërisë dhe periudha e rinisë së tij. Jeta në fëmijëri ka kënaqësinë e vetë për shkak se njeriu në këtë kohë nuk është i ngarkuar me obligime dhe me problemet e jetës. E vetmja gjë me të cilën është i ngarkuar fëmija duke filluar nga mosha shtatë vjeçare është angazhimi i tij në shkollë dhe përpjekja e tij për të arritur në mësimet dhe avancim në njohurit e tij. Fëmija vazhdon rrugën e shkollimit duke kaluar prej një klase në një klasë tjetër, prej një periudhe në periudhën tjetër, gjersa arrin në përfundimin e shkollës fillore. Pastaj vazhdon në shkollën e mesme me angazhimet dhe me përpjekjet e tij, gjersa arrin ta kurorëzoj atë me përfundimin e kësaj periudhe që njihet me emrin viti i maturës. I tërë ky angazhim i fëmijës deri në këtë periudhë dhe i tërë ky sukses, nuk është vetëm meritë e fëmijës. Jo që nuk është vetëm meritë e fëmijës, por ndoshta sikur mos të ishin prindërit dhe mësuesit, ai nuk do të arrinte në këtë. Andaj, prindërit dhe mësuesit meritojnë një falënderim të veçantë për këtë.

Është prej fesë që besimtari t’iu gëzohet punëve të mira, të festoj dhe të falënderoj Allahun për rezultatin e arritur. Allahu në shumë vende në Kuran na porositë se si besimtari duhet t’iu gëzohet veprave të mira dhe begative që Zoti ka dhuruar ndaj nesh. Allahu thotë në Kuran: O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” ( Junus 57,58). “Dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd ( Duha 11)”. “O familje e Davudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues. ( Sebe’ 13).

Edhe përfundimi i shkollimit të mesëm,dalja e një gjenerate, avancimi i tyre është një begati dhe një e arritur që besimtari dhe ne si shoqëri e meritojmë të gëzohemi, të festojmë dhe falënderojmë Allahun për të.

Ajo e cila po ndodhë me fëmijët ton me rastin e festimit të përfundimit të shkollimit të mesëm, e që njihet me “ mbrëmja e maturës” është e pa pranuar në aspektin fetar , por është e pa pranuar edhe nga logjika e shëndosh e njeriut, por edhe nga aspekti social është bukur e pa përballuar. Dëmet e kësaj mbrëmje lënë shumë gjurmë negative dhe të shëmtuar. Prej tyre:

• Harxhimet që bëhen në këtë natë dhe parapërgatitjet që bëhen për këtë natë janë të papërballueshme për një familje tonën, e që shumica e tyre jetojnë me një të ardhme mesatare, e prej tyre edhe me një gjendje të rëndë materiale. Kemi dëgjuar se ka nga familjarët që kërkojnë edhe para me borxh vetëm që ti plotësohet dëshira fëmijës për një natë, që edhe ai të barazohet me shokët e tij. Sa mirë do të ishte sikur të mos ishte i barabartë me ta në këtë natë. Një fëmijë për një natë do ta harxhonte një pagë mujore të cilën e merr prindi për një muaj.
• Shfrenimi në veshje. Me theks të veçantë te gjinia femërore. Nuk është e pranueshme për një natë të tillë nëse një vajzë vesh një veshje modeste. Pa tjetër për këtë mbrëmje veshja duhet të jetë ekstravagante, gjysmë lakuriqe, të ngushta dhe të tejdukshme. Ashtu sikur ka thënë i Dërguari i Allahut “ do të shohësh femra të veshura të zhveshura”. Ajo e cila mundohet të ketë veshje me modeste do të llogaritej një vajzë e prapambetur, një vajzë që nuk dinë të përcjell trendin e veshjes, një vajzë e cila nuk ka shije në veshje e kështu me radhë.

• Shfrenimi në moral. Kur në një shoqëri humb turpi, marrja, atëherë tejkalohen të gjithë kufijtë. Shumë nga të rinjtë e të rejat, bijat dhe bijtë ton humbin moralin e tyre, nderin e tyre përmes këtyre mbrëmjeve , përmes ekskursioneve të ndryshme. Çka mbetet për një vajzë dhe një djalë tonin kur ata përmes këtyre festimeve humbin nderin dhe moralin e tyre. Cili është fitimi i kësaj mbrëmje për neve si prindër dhe përgjegjës familjarë, kur bijtë dhe bijat tona zhvishen nga morali dhe normat e tij. Tërë atë mundi që ti ke investuar në fëmijën tënd prej vlerave të moralit ruajtjen e nderit, të shkoj huq brenda një nate, ose brenda një periudhe të vogël. Tërë atë investim që ti ke bërë në fëmijën tënd ti thuash se kjo është dita e jote dhe nata e jote dhe je i lirë të veprosh çka të duash!
• Përdorimi i alkoolit në këto mbrëmje. Për të tjerët kjo natë do të ishte e pakuptim nëse nuk do të servohet në të alkooli, duhani. Ti si prind dhe ti si mësues që je kujdes gjatë për ta zhvilluar mendjen e fëmijës, për ta ndriçuar mendjen e tij. Si ka mundësi që ti të lejosh që ai në këtë natë ta humb mendjen e tij, të dehet dhe të humb ndjenjat e të qenurit njeri. Pastaj përdorimi i muzikës së shfrenuar. Jo vetëm këto, por në këto mbrëmje të maturës dhe në këto ekskursione në një mas jo edhe të vogël por përdoren edhe substancat narkotike. A me këto gjëra ne duhet t’ia festojmë fëmijës ton, nxënësit ton sukseset e tij?! A po e gradojmë me këtë, apo po e degradojmë?! A po mbjellim te ai vlera të mira, apo po mbjellim antivlera dhe gjëra të këqija?!
• E fundit, por që është më e rëndësishmja dhe e vetmja e cila mund ta ndryshoj këtë gjendje është vetëdijesimi i nxënësit, prindit dhe mësuesit se me një mbrëmje të tillë e hidhëron Zotin tënd, Krijuesin tënd. Ti o mësues, ti o prind, ti o nxënës, keni frikë Allahun. Mos shkelni kufijtë e Allahut. Nëse nuk mundeni të ndryshoni këtë gjendje, mos u bëni pjesëmarrës i të keqes. Allahu thotë në Kuran: Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! ( Maide 2). Të mirat që Allahu ti ka dhënë në fëmijën tënd, mundësinë për të arritur deri në atë gjendje, mos ia kthe Allahut me mëkate. Mos i thuaj Zotit tënd me gjuhën e veprimit se këtu unë veproj si të dua o Zot. Mos të jemi prej atyre që Allahu ka thënë në Kuran: Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit? ( ibrahim 28).
A ka vullnet të mirë që dikush ta ndryshoj këtë trend të festimit të mbrëmjeve të maturës? A ka mundësi që ky rezultat i fëmijëve të festohet duke u ruajtur normat morale? A nuk do të ishte më e mirë dhe më e dobishme që të tubohen në një vend , mësues , prindër dhe nxënës, të festohet kjo ditë me ndonjë koktej rasti, të thirren njerëz specialist, profesional t’ju tregojnë nxënësve çka të veprojnë pas përfundimit të shkollimit të mesëm, si duhet ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, cilat janë sfidat me të cilat ata do të ballafaqohen në të ardhmen e tyre, cila është përgjegjësia e tyre për popullin, çka bartin ata në supet e tyre, cili është roli i tyre në shoqëri, përgjegjësia e tyre për ti ruajtur vlerat dhe të mirat e kësaj shoqërie?

Lusim Allahun që të na udhëzoj në rrugën e drejtë. Të ruaj bijtë dhe bijat tona. Të na bëjë qelës të derës së mirë dhe mbyllës të së keqes. O zot falna neve, prindërit tan dhe të gjithë besimtarët ditën kur do të jepet llogaria.