Policia gjermane në një qytet në perëndim të vendit ka prangosur një grua muslimane me shami para vogëlushit të saj, siç shihet në videon që së fundmi u bë virale, duke e mbajtur atë të shtrirë në tokë për shkak të mos mbajtjes së maskës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në videon e marrë nga dëshmitarët okularë në qytetin Wuppertal, shihen shtatë oficerë të policisë jashtë ndërtesës nga ku gruaja muslimane u largua pasi ishte për vizitë te dentisti.
Videoja tregon dy oficerë të policisë që prangosin gruan para vogëlushit të saj, duke e mbajtur atë të shtrirë në tokë përderisa ajo bërtet për ndihmë.
Kur policia u përpoq të ndalojë kalimtarët që të mos xhirojnë, njëri nga kalimtarët tha: “Ju nuk keni të drejtë të më ndaloni të xhiroj këtë video. Telefoni është i imi. Unë mund t’ua jap numrin e avokatit tim”.
Policia largohet pas reagimeve të ashpra nga kalimtarët
Videoja po ashtu tregon një punonjës nga zyra e dentistit përderisa dilte nga zyra, i cili thotë se ajo që po bën policia është një krim.
Përderisa kalimtarët në video e bëjnë të qartë kundërshtimin e tyre në vendin e ngjarjes, policia ia heq prangat, e liron gruan dhe largohet sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Gruaja muslimane gjermane është konvertuar në Islam
Sipas informacioneve të siguruara nga AA, gruaja që shihet e prangosur në video ka lindur në Gjermani dhe është konvertuar në Islam.
Gruaja, dukshëm e tronditur nga incidenti, thuhet se do të paraqesë një ankesë penale kundër policisë.