thumbs_b_c_f10d7e2a3c36659eb7a374f66f8f872d

Gjermani, qeveria arrin marrëveshje për lehtësimin e imigrimit të punëtorëve të kualifikuar

Qeveria e koalicionit në Gjermani ka arritur një marrëveshje përfundimtare për të lehtësuar më tej imigrimin e punëtorëve të kualifikuar, transmeton Anadolu.

Në një konferencë të përbashkët për media, sekretarët e partive të koalicionit, Katja Mast e Social Demokratëve (SPD), Irene Mihalic e të Gjelbërve dhe Johannes Vogel i Liberalëve (FDP), njoftuar se projektligji këtë javë do të paraqitet në parlament për diskutim përfundimtar.

Ndër ndryshimet në projektligj, siç tha Mihalic, është që t’u lejohet azilkërkuesve e drejta për të qëndruar për qëllime pune. Ata duhet të jenë në gjendje të hynë në tregun e punës nëse kanë një ofertë pune.

Vogel, nga ana e tij, tha se rregullorja do të zbatohet vetëm për azilkërkuesit në proces dhe në mënyrë retroaktive. Data e fundit është 29 marsi i vitit 2023, dita kur projektligji u bë publik me vendim të kabinetit.

Sipas tij, do të ketë ndryshime të mëtejshme në “kartën e planifikuar të mundësive”. Për shembull, perspektiva e të qenit në gjendje të qëndrojë në Gjermani duhet të qartësohet për njerëzit që kanë gjetur një punë në vend.

Po ashtu do të ulet kufiri minimal i të ardhurave ku do të jetë i mundur imigrimi për motive punësimi përmes të ashtuquajturës “Karta e kaltër”, respektivisht do të jetë në rreth 3.500 euro bruto të ardhura në muaj.

Ndërkaq, Mast shpjegoi se në të njëjtën kohë, koalicioni ka ra dakord edhe për detajet përfundimtare për Aktin e Arsimit dhe Trajnimit. Kjo përfshin një garanci trajnimi për të gjithë të rinjtë në Gjermani.

Mbështetja dhe promovimi i potencialit vendas është ana e dytë e medaljes në tërheqjen e punëtorëve të kualifikuar. Këtë javë, ligji do të hidhet në votim edhe në Bundestag.

Me amendamentin në Aktin e Imigrimit të Punëtorëve të Kualifikuar, koalicioni qeverisës synon ta bënë shumë më të lehtë imigrimin për punëtorët e kualifikuar.

Në të ardhmen do të jetë e mundur që të huajt nga vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të vijnë në Gjermani për të kërkuar punë me një “kartë mundësie” të bazuar në një sistem pikësh.

Punëtorët e kualifikuar dhe me përvojë profesionale do të mund të vijnë pa iu njohur më përpara kualifikimet e tyre nga Gjermania. Për të huajt me një diplomë të njohur nga Gjermania edhe pengesat do të ulen.